Lotët e axhës Haxhi

Nuk ka më rëndë se të shohësh lotët e plakut. Përlotja dhe dënesja e plakut Haxhi Musa rrëzon kuptimin e burrërisë. E aty ku humbët burrëria humb edhe kuptimi për jetën, për familjen dhe shoqërinë. Dhe lotët e tij sot dolën nga përjetimi i trishtë. Ishte rrahur nga të rinjtë maqedonas. I doli në mbrojtje vajzës 15-vjeçare shqiptare që ishte shënjestër e grupeve të orkestruara të të rinjve maqedonas që deshën me thikë të lënë vragë në trupin e shqiptarëve në pjesën perëndimore të Shkupit. 

E, ky epilog ishte paralajmëruar gjatë ndeshjes së futbollit, ku Shkëndije qe e detyruar të lëshojë stadiumin në Gjorçe Petrov nga brohoritjet antishqiptare sulmet në terren ndaj lojtarëve nga ana e maqedonasve. Aty nuk intervenonte policia. Siç edhe nuk intervenoi në autobusin numër 2, kur 300 “Komitë“ deshën të linçojnë shqiptarët. Dëshmitarët shqiptarë të tmerrit thanë se disa policë shqiptarë i kanë shpëtuar nga më e keqja.

Dhe, hesht policia, heshte qeveria, hesht edhe BDI-ja. Hesht edhe opozita shqiptare. Menduh Thaçi më shumë e ka dertin nëse Ramush Haradinaj do të bëhet kryeministër se sa të merret me problemet jetike të shqiptarëve, kur veçmë partia në pushtet nuk është e zoja të mbrojë shqiptarët.

Po të ishin rrahur sot dy pleq maqedonas dhe sulmuar një 15-vjeçare, Gruevski dhe Jankullovska do t’i qitnin forcat speciale për të lar lesh në shqiptarët e Shkupit.
Pas kësaj që ndodhi sot në Shkup nuk ka më kuptim durimi për euro-integrime, kur edhe ashtu s’ka asgjë nga Brukseli. Nuk ka si të arsyetohet më me mbetje në qeveria Teuta Arifi dhe BDI-ja. 

Rrahja erdhi vetëm disa ditë pasi në Shkup u thanë fjalë të mëdha për bashkim. Berisha, Ahmeti dhe Thaçi nuk jetojnë në Shkup. Erdhën dhe thanë fjalë të mëdha, ndërsa shqiptarëve ua lanë durim-dajakun. 

Porosia për shqiptarët e Shkupit, Prilepit dhe gjithandej Maqedonisë është: “Ju ruajt Zoti!”. Se për Sali Berishën, Ali Ahmetin, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Menduh Thaçin, Edi Ramën… maqedonasit nuk do të ndalin dajakun.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button