Rektorin vëlla kurse dekanin nip, kështu të mos hapen Universitetet në RMV

Shkruan: Ardit Ramadani.

E  marr guximin të flas në emër të të gjithë studentëve të RMV-së. Andaj, këtë letër timen lexojeni dy-tri here ju, punonjës të arsimit, ju që keni gisht sadopak në përmirësimin e situatës me arsimin në shtetin tonë të vogël, por me probleme shumë të mëdha.

Edi se ju mungon shumë vendi i juaj i punës, kampusi i Universitetit, veç më besoni, të njëjtën gjë e ndjejmë edhe ne, studentët. Ani pse shpesh herë në sytë tuaj na shihni si armiq të arsimit, si dikush që nuk e do atë vend ku thithet dija, vendin për të cilin siç ju pëlqen juve ta quani “është ndarë buka e gojës që shqiptarët të shkollohen në gjuhën amtare”. E duam shumë, madje ne e duam atë më shumë se vetë ju, më shumë se shumica prej jush, po ju tregoj tani se pse po e pohoj këtë, veç ju lutem, lexojeni këtë shkrim për shkak se nuk po ju flas unë, por ju flasin ai numër i vogël i studentëve të cilët kanë ngelur në këtë shtet, për shkak se shumicën e hoqët qafe për arsyet që do ti përmend më poshtë.

Unë dhe shumë tjerë si puna ime nuk do të fluturojmë nga gëzimi kur do të ju hiqet driri Universiteteve pas karantinës, të gjithë jemi të vetëdijshëm për nivelin e arsimit shqip në RMV, për sfidat dhe problemet me të cilat hasen studentët çdo ditë. E për çfarë të gëzohemi? Megjithatë, po ua zgjas dorën e pajtimit juve, për hir të gjakut që është derdhur në mënyrë që ne sot të mësojmë në gjuhën shqipe, po i lë në të kaluarën të gjitha kërcënimet, tentativat për mbyllje të gojës të studentëve dhe sulmet personale ndaj nesh, në qoftë se krijojmë një pakt mes studentëve dhe punonjësve të arsimit të cilin do ta quanim “Arsimi post Corona në RMV”.

Nuk do të kërkoj shumë nga ju, të merremi veshtë që nga dita kur rampat e Universiteteve tona të ngrihen dhe studentët të ulën në bankat e tyre, të njëjtit të kenë vetëm një mërzi, edhe atë se a kanë mësuar për provimin e radhës, por jo edhe a i kanë mbledhur paratë të cilat profesori do të ua kërkoj për notën kaluese, të mos i lëmë studentët të vrasin mendjen se a kanë ndarë prindërit e tyre para nga paga e tyre modeste për ta blerë librin e shtrenjtë të profesorit, për shkak se pa atë libër, nuk ka notë. Kërkoj që sanksioni juaj i vetëm ndaj studentëve të jetë përmes notës kur ata të mos tregojnë rezultat, jo kur të mos i nxjerrin librat ku autor jeni ju, vëllai apo burri juaj. Pra, korrupsionin ta lëmë në të shkuarën, ta lëmë në botën “para virusit korona”.

“Nuk e kam notën e djalit të politikanit, por kam dijen” lexova diku në një parullë nga protestat studentore. Ju, punonjës të arsimit të dashur, unë plotësisht kuptoj nevojën tuaj për tu avancuar sa më shumë në jetë, shfrytëzojeni këtë vullnet për të avancuar diturinë tuaj në mësimdhënie, ne jemi lodhur duke parë profesor, dekan dhe rektor me libreza partiake të cilët jo të gjithë studentët i trajtojnë në mënyrë të njëjtë, do ti gëzoheshim kthimit në amfiteatrot universitare dyfish më shumë në qoftë se kjo dukuri e diskriminimit të studentëve në bazë të përkatësisë partiake do të kishte ngelur në të kaluarën.

Ndoshta nuk është shumë e dukshme, mirëpo pesimizmi dhe besimi i ulët se ne si studentë pasi të diplomojmë do të punësohemi dita e ditës po na ulet. Kjo nuk ndodhë rastësisht, jo, ne çdo ditë kemi punë me profesor të cilët rektorin e kanë dajë apo dekanin baba, ndërsa pro rektorin vëlla. E ç’të presim ne të shkretit që askush i gjakut tonë nuk punon në universitet? Në periudhën e “Arsimit Post Corona” të kthejmë trendin e meritokracisë, kurse nepotizmit të ia fusim një grusht të fortë duke përdorur metodën e vetingut në arsim, ku të gjithë profesorët jo kompetent por të punësuar sipas lidhjeve familjare do të ishin larguar nga puna, për të ua lëshuar vendin të rinjve të cilët vlejnë.

Më thanë i çmendur, armik i arsimit shqip, më kërcënuat duke më ndjekur me veturat e tipit “Audi” në momentin kur unë me organizatën time nxorëm në pah fenomenin e kërkimit të favoreve seksuale studenteve gra na ana e profesorëve në këmbim të notave. Të dakordohemi një zëri që profesorët të cilët kanë probleme seksuale dhe psikike  të largohen nga shtëpitë ku buron dija, dhe të shkojnë aty ku e kanë vendin, prapa grilave. Kjo përveç hyn në pjesën e diskriminimit gjinor, është edhe vepër penale e cila kryhet kryesisht nga persona të sëmurë psikik e jo nga ndonjë mësimdhënës.

Pra, në pikën e fundit të paktit tonë të merremi vesh që ajo që studentja ka pasur vesh, niveli i inteligjencës së saj, fuqia jo aq e madhe politike apo shoqërore e studentes në asnjë mënyrë nuk duhet të shihet si alibi që profesori ta kushtëzoje atë në këmbim të notës.

Andaj, propozoj që pakti i “Arsimit Post Corona” të hyje në fuqi nga dita kur të përfundoje karantina, në mënyrë që mësimit ti rikthehemi me Universitete të depolitizuara, parlamente studentore të pavarura nga rektorati dhe partitë politike, pa korrupsion dhe nepotizëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button