Terrorizimi i banorëve të veriut të Kosovës

Policia e Kosovës nuk ka arritur të identifikojë sulmuesin e zëvendësshefit të Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, por bën të ditur se është duke vazhduar hetimin për të vënë para drejtësisë personat përgjegjës.

Dusan Milisavlevic, tani jashtë rrezikut për jetë, u plagos në orët e vona të së premtes mbrëma nga persona të maskuar në një veturë në lëvizje.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se ende nuk kanë mundur të identifikohen kryesit e aktit.

“Jemi duke punuar në atë drejtim – në mbledhjen e dëshmitarëve të mundshëm dhe të gjitha ato prova që mund të ndërlidhen me automjetin në fjalë apo edhe me personat. Mirëpo, fatkeqësisht deri më tani nuk kemi ndonjë rezultat të konkretizuar me identifikimin ose arrestimin e të dyshuarit si kryes të këtij akti kriminal”, tha Hoti.

Sulmi ndaj Milisavlevicit u dënua nga autoritetet vendore e ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa sipas njohësve të situatës në veri të vendit, ky sulm flet për mungesën e sundimit të ligjit në atë pjesë.

Ndonëse pa pasoja në njerëz, java që po lëmë pas u përshkua gjithashtu nga dy sulme me mjete shpërthyese në veri.

Duke folur për situatën në pjesën veriore të Mitrovicës, ish-ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, Sadri Ferati, tha se “një grup i vogël që po qëndron mbi ligjin, ka filluar të ushtrojë terror ndaj qytetarëve që mendojnë apo sillen ndryshe ndaj ambicieve ekstreme” të një pjese të popullatës së atjeshme, transmeton Rel.

Paralajmërimi para disa muajsh për vendosjen e një dialogu ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe banorëve serbë të pjesës veriore, sipas Feratit, nuk është i mundshëm në fazën aktuale.

“Tani për tani ai dialog nuk vjen ngase nuk ka qartësi. Është një pjesë e pozicionuar në pozicionin ‘Prit se do të shohim se çka do të dalë nga dialogu’, është një pjesë që mendon se pas një dialogu do të merret një vendim dhe një ditë do të duket ndryshe”.

“Prandaj, kjo ka qenë arsyeja dhe mendoj se nuk është e pritshme që së shpejti të fillojë ai dialog. Në momentin kur të qartësohen pozicionet në mes të Prishtinës e Beogradit me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare, atëherë do të jetë e mundshme që të ulen tensionet dhe njerëzit t’i lënë ambiciet e veta në pjesën që ka mbetur”, tha Ferati.

Pas incidenteve të fundit, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës paralajmëruan se në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic, do të diskutohet për “shpërbërjen e strukturave ilegale të sigurisë, policisë dhe gjyqësisë në veri”.

Ferati u shpreh pesimist për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë për këtë problem.

“Kjo do të marrë kohë dhe nuk besoj se shpejt do të mund të shuhen, mirëpo me tërheqjen e strukturave të sigurisë do të krijohet një mesazh i mirë se kjo është mënyra më e mirë që atje të normalizohet jeta, të shënohet një progres dhe të krijohet një ambient ku do të ndihen të sigurt të gjithë qytetarët – edhe ata serbë, edhe ata shqiptarë dhe të tjerë”, tha Ferati.

“Për t’ua zgjatur dorën” serbëve rezistues ndaj pushtetit të Prishtinës zyrtare në veri, Qeveria e Kosovës kishte hapur në verën e këtij viti Zyrën Administrative.

Puna e kësaj zyre, megjithatë, vlerësohet si e panevojshme nga një pjesë e madhe e serbëve lokalë. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button