Lideri nënshtron kampionin (VIDEO)

Në një ndeshje mahnitëse, Manchester Unitedi e ka mposhtur rivalin lokal Manchester City në Etihad Stadium me rezultat 3-2.
Skuadra vendase ishte mbresëlënëse në fillim të ndeshjes duke i mbajtur futbollistët me fanella të kuqe nën presion, mirëpo duke mos arritur të nxjerrë asgjë nga kjo ofensivë.

Përkundrazi, në rastin e parë për të shënuar, Djajtë e Kuq kaluan në avantazh. Van Persie dhe Young luajtën mirë nga e majta, ndërsa anësori anglez asistoi te Wayne Rooney, i cili e ndëshkoi portierin Joe Hart (16’).

Largimi i Vincent Kompany për shkak të lëndimit, bëri që City të çalonte në mbrojtje dhe shumë shpejtë, United e dyfishoi epërsinë.

Valencia dhe Rafael u kombinuan mirë në krahun e djathë dhe braziliani dërgoi një krosim të ulët drejt Rooney, i cili shënoi golin e 150-të personal në Ligën Premier (29’).

United arriti të shënojë edhe në pjesën e dytë me anë të Ashley Young, mirëpo arbitri vendosi që futbollisti anglez ishte në pozitë jashtë loje, e që në fakt përsëritjet treguan se ishte në pozitë të rregullt.

Pas një ore lojë, David de Gea arriti të ndalë disa tentativa në drejtim të portës, por jo edhe atë të Yaya Toure, i cili i ktheu ‘pasanikët’ në lojë (60’).

Pjesa e mbetur e takimit u përshkua me aksione të të dyja skuadrave – vendasit kërkonin golin e barazimit, ndërsa mysafirët atë të sigurisë.

Më të suksesshëm në këtë periudhë u treguan futbollistët me fanellat e kaltra, të cilët e barazuan rezultatin. Pas një harkimi nga këndi të Tevez, Zabaleta e nivelizoi ndeshjen (86’).

Mirëpo, për kënaqësinë e tifozëve të Unitedit u përkujdes Robin van Persie, i cili shënoi golin e fitores (90’+2).

Me këtë fitore, Manchester Unitedi ia bën të qartë Cityt se do ta ketë vështirë që ta mbrojë titullin këtë edicion. Djajtë e Kuq distancohen gjashtë pikë në krye të tabelës, nga rivali i sotëm që është përcjellësi i parë i tyre. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button