Bisedimet RMV – BE janë afatgjata, ndërsa kontrolli i qeverisë zvogëlohet me gjendjen e jashtëzakonshme

(Intervistë ekskluzive me Nano Ruzhin, ish ambasador i NATO-s)

  • Nga Delvina Kërluku

Bashkëbisedimet me Bashkimin Evropian, për Maqedoninë e Veriut do marrin kohë të gjatë, rruga do të jetë e vështirë dhe me shumë kthesa, zhgënjime  inkurajime. Ekipi ynë negociator me BE e presin përballjet me sfida të mëdha, thotë Nano Ruzhin, ish ambasador i NATO-s, në intervistën (ekskluzive) për Portalb.mk. Ai shton se gjendja e jashtëzakonshme, ka bërë që kontrolli i qeverisë të zvogëlohet. Dhe se procesi i zgjedhjeve është domosdo dhe  shumë domethënëse për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

Portalb: Drejtuesit e partive politike në Maqedoninë e Veriut kanë rënë dakord të shtyjnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara për 12 Prill të këtij viti, pa caktuar një datë për mbajtjen e tyre për shkak të situatës së shkaktuar nga koronavirusi (Kovid-19). Shtyrja e zgjedhjeve, në ç’situatë e sjell Maqedoni e Veriut?

Nano Ruzhin
Nano Ruzhin

Ruzhin: Gjendja e jashtëzakonshme si fenomen politik nuk është e dëshirueshme dhe të gjithë shpesh i afrohen asaj, sepse në kushte emergjente institucionet demokratike janë shfuqizuar, qeveria është në duart e një grupi pakicë, dhe kontrolli i qeverisë zvogëlohet si nga opozita ashtu edhe nga sektori joqeveritar, mediat dhe nga ndarja klasike e kontrollit të ndërsjellë midis gjykatës – ekzekutives dhe pushtetit legjislativ. Në të njëjtën kohë, qytetarët ndjehen të margjinalizuar dhe pa përkrahje, Parlamenti nuk ekziston. Praktikisht vetëm kultura politike e elitave ndihmon në ruajtjen e demokracisë. Përndryshe, në historinë politike, kjo masë jopopullore u vendos nga diktatorët me qëllim për marrëveshje më të lehtë me armiqtë politikë të brendshëm dhe të jashtëm, pastaj pas atentateve politike kur shteti ishte destabilizuar, në gjendje lufte etj.

Në rastin tonë, faktori Kovid 19 ka krijuar një gjendje të jashtëzakonshme si dhe në të gjitha vendet e Ballkanit dhe në të gjithë Evropën. Situata me të vërtetë u bë serioze që kërcënoi tërë popullatën dhe për këtë arsye krijimi i një gjendje të jashtëzakonshme ishte i justifikuar. Në të njëjtën kohë, pa menduar në ndonjë teori konspirative, elita politike në Maqedoninë e Veriut, e udhëhequr nga Presidenti i vendit, bëri veprimin e duhur duke shtyrë zgjedhjet dhe duke futur atë një gjendje të jashtëzakonshme.

Portalb: Zgjedhjet do të ndodhin pasi të tejkalohet gjendja e jashtëzakonshme. Çfarë të mira do të sjellin këto zgjedhje për qytetarët dhe vetë shtetin? Cilat janë pritjet tuaja?

Ruzhin: Gjendja e jashtëzakonshme duhet të vazhdojë derisa ekspertët të vendosin ndryshe. Zgjedhjet nuk duhet të jenë një opsesion, por nëse krijohen kushte me më pak rrezik, ato duhet të mbahen me sistemin më të madh të masave të sigurisë për votuesit. Fushata nuk duhet të jetë masive dhe me tubime të mëdha, por më shumë përmes rrjeteve dhe kanaleve elektronike dhe  sociale, që secili votues duhet të jetë në një distancë prej 2 metrash, dhe komisionet e tanishme duhet të jenë të siguruara mirë, në hapësirë të veçantë.

RMV – BE

Përfitimet e këtyre zgjedhjeve do të jenë shumë domethënëse për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. E dëshirueshme është që ato të organizohen në mënyrë të përsosur, demokratike, transparente, të drejtë dhe të suksesshme. Unë pres që të fitojë opsioni që ka drejtuar Maqedoninë e Veriut në NATO, sepse nuk ka kohë të mjaftueshme për të zbatuar reformat e planifikuara. Qeveria e ardhshme duhet të merret me korrupsionin në radhët e veta, shtetin e së drejtës, efikasitetin e gjyqësorit, demokratizimin e mëtutjeshëm të shoqërisë, rritjen ekonomike dhe sociale. Kjo është gjithashtu bileta për një fillim të suksesshëm të negociatave me BE-në.

Portalb: Procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut do të nënkuptojë përfundimin e procesit të afrimit me Unionin, miratimin e përfitimeve dhe vlerave të tij, si dhe rregullimin e plotë të institucioneve tona kah funksionimi i institucioneve të BE-së. Pra, ky proces është i gjatë. Çfarë mendoni ju?!

Ruzhin: Bisedimet me BE-në do të jenë afatgjata, të vështira dhe me shumë kthesa, zhgënjime dhe inkurajime. Ekipi ynë negociator me BE e presin përballjet me sfida të mëdha, por  gjithashtu, edhe gjithë elitën politike, OJQ-të dhe tërë popullin e Maqedonisë së Veriut. Shteti do të jetë një fabrikë e vërtetë e reformave, ligjet e reja do të duhet të miratohen, mentaliteti dhe vetëdija jonë do të duhet të ndryshohen gradualisht nëse përpiqemi të arrijmë standardet e Kopenhagës, forcuar nga Metodologjia e re. Ekziston një ndjenjë që rruga jonë për në Bruksel do të varet nga secili qytetar individualisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button