Strugë, qytetarët në rrezik! Ku janë shenjat e komunikacionit?

Në disa rrugë të Strugës mungon tërësisht sinjalistika rrugore si ajo horizontale ashtu edhe ajo vertikale, dukuri e cila është bërë e dukshme prej kohësh dhe po ngrihet me forcë si problem nga qytetarët dhe shoferët.

Ata, të shqetësuar tregojnë se në disa rrugë si rezultat i mungesës së tabelës që fton shoferët të ndalen (Stopit) ka ardhur edhe deri te aksidente të shumta që kanë rezikuar edhe jetë njerzish.Nga komuna e Strugës për këtë situatë potencojnë se pushteti vendor gjithnjë është i angazhuar në këtë drejtim, por pohojnë se kjo gjendje negative më shumë ka ardhur si pasojë e hajdutëve të hekurishteve të cilët e vjedhin dhe i shesin tabelat treguese të qarkullimit rrugor për skrap në pikat e grumbullimit të hekurishteve.

Sanella Gogoska, e punësuar në Njësinë e komunikacionit rrugor në Komunën e Strugës, tregon se para disa muajve u vendosën të gjitha shenjat dhe udhëtreguesit e rinj në të gjithë territorin e komunës, por sot sipas saj pjesa më e madhe e tyre nuk janë në rrugët e Strugës por janë dërguar për skrap nga hajdutët e hekurishteve.

”Edhe pse në disa lokacione ne kemi ndërhyrë menjëherë dhe kemi vendosur sinjalistikë të re, ajo sërish brenda një kohe të shkurtër nuk është aty.Besoj se me këtë problem është e udhës që të mirret edhe policia, sepse komuna në këtë drejtim nuk ka çfarë të bëjë.Policia detyrimisht të ndaloj keqbërësit sepse zgjidhje tjetër nuk ka”, thekson ajo.

Zyrtarja Gogoska tregon se komuna e Strugës për çdo vit duhet të ndajë rreth 1 milion 200 mijë denarë nga buxheti i saj, mjete të cilat shkojnë vetëm për sinjalistikën rrugore.

”Komuna e Strugës ndoshta mund të jetë një nga komunat e rralla në vend që për cdo vit ndan mjete për sinjalistikën rrugore edhe pse kjo mund të duket si paradoks por është e vërtet. Sepse të ndash çdo vit nga 20 mijë euro vetëm për tabela rrugore kjo tregon vetë për dëmin ekonomik që i shkaktohet komunës nga hajdutët dhe vandalët”, përfundon zyrtarja komunale, Sanella Gogoska.

Gjithashtu, tashmë është fakt i dijshëm sidomos fenomeni që vërehet në vendbanimet dhe fshatrat maqedonase ku edhe pse në mënyrë të përsëritur vendosen udhëtreguesit në gjuhën shqipe dhe maqedonase ato brenda natës tërhiqen dhe shkatërrohen në pjesët ku figuron gjuha shqipe.Shkatërrimet e kësaj natyre më shumë janë prezentë në fshatrat apo lagjet ku jetojnë pjesëtar të komunitetit maqedonas.Për këtë dukuri nga pushteti vendor pohojnë se kanë njoftuar edhe policinë e Strugës por deri tani sipas tyre nuk është proceduar askush për shkatërrimin dhe vjedhjen e tabelave njoftuese e shenjave të tjera të komunikacionit rrugor./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button