Hungaria po i mban jashtëligjshëm azilkërkuesit, vendosi Gjykata Evropiane e Drejtësisë

Gjykata Evropiane e Drejtësisë (ECJ) ka vendosur që Hungaria e ka anashkaluar ligjin e BE-së, duke i mbajtur në kushte burgu azilkërkuesit afganë dhe iranianë.

BE-ja e ka kritikuar në vazhdimësi Hungarinë për qasjen e saj të rreptë ndaj migracionit.

Rasti u paraqit para gjykatës me seli në Luksemburg, nga katër azilkërkues nga Irani dhe Afganistani, të cilët po mbahen në zonën tranzite në Hungarinë juglindore, pasi arritën aty përmes Serbisë.

Këta migrantë, paraqitën kërkesat e tyre për azil në pikën kufitare në fshatin jugor të Roszke të Hungarisë, transmeton REL.

Budapesti hodhi poshtë kërkesat e tyre, duke argumentuar se Serbia është një vend i sigurt tranzit dhe ata duhet të kishin paraqitur kërkesat e tyre atje.

Beogradi nuk i pranoi ata, duke argumentuar se këta persona nuk kishin hyrë në Hungari në mënyrë të paligjshme dhe për këtë arsye nuk i plotësonin kushtet e një marrëveshje ripranimi midis Budapestit dhe Serbisë.

Roszke është i rrethuar nga një gardh i lartë dhe tela me gjemba. Aty liria e lëvizjes është e ndaluar rreptësisht.

Gjykatësit vendosën se qëndrimi në rrethana të tilla është i njëjtë me kushtet e paraburgimit.

“Kushtet që mbizotërojnë në zonën e Roszke janë një mohim i lirisë, sepse personat e interesuar nuk mund të largohen nga ajo zonë me vullnetit të tyre të lirë”, tha ECJ.

Qeveria e djathtë e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban argumenton se migrantët nuk po ndalohen në mënyrë të paligjshme, pasi ata janë të lirë të kthehen në Serbi.

ECJ është gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian për çështjet e legjislacionit të BE-së dhe ka për detyrë interpretimin e ligjeve të BE-së dhe sigurimin e zbatimit të barabartë të tyre, në të gjitha vendet anëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button