fbpx

Datë të kushtëzuar, apo shuplakë tjetër për eurointegrimet?

Të martën do të vendoset për marrjen ose jo të datës për fillim të negociatave mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian. Një tjetër shuplakë për proceset eurointegruese apo më në fund marrjen e datës për fillim të negociatave, qoftë edhe të kushtëzuar, pas katër rekomandimeve të Komisionit Evropian. Zv/kryeministrja për eurointegrime, Teuta Arifi shpreson që mbledhja e Këshillit të Evropës të rezultojë me një zgjidhje kreative e cila do të jetë e pranueshme edhe për Maqedoninë, edhe për Greqinë.

“Pres nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës ta respektojnë parimin e gjetjes së zgjidhjeve kreative kur bëhet fjalë për ne. Shpresoj se do të gjejnë mënyrën që të arrihet një përfundim i cili do të jetë i kapshëm edhe për ne edhe për anëtarët tjerë të Bashkimit Evropian. Shpresoj për një gjë të tillë, por, se si  do të duket dhe të tingëllojë ajo, mbetet të shohim” – tha Arifi.

Nga ana tjetër, Andreja Stojkovski nga Qendra maqedonase për edukim evropian nuk beson se Maqedonia do të merr datë për fillim të negociatave. Sipas tij, kontesti rreth emrit me Greqinë edhe njëherë do të vihet para bisedimeve, e jo paralel me to ashtu siç ishte paralajmëruar kohëve të fundit.

“Nuk pres zgjidhje të plotë, do të ketë ndonjë zgjidhje të përgjysmuar e cila do të jetë pak më ndryshe se të kaluarat, e cila do të mund të cilësohet si pak më pozitive, por që nuk do të thotë fillimin e negociatave. E kemi të qartë si qëndrojnë punët dhe se zgjidhjen e çështjes së emrit që moti është kusht, edhe tani nuk do të ndryshohen shumë kushtet. Pra ajo që pres është modifikim i konkluzioneve të deritanishme dhe sjellja e ndonjë konkluzioni i cili do të na obligon që në afat të shkurtë të mbyllim çështjen e emrit dhe më në fund të fillojmë negociatat” – tha Andreja Stojkovski.

Ditëve të fundit, mediat maqedonase duke iu referuar burimeve diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar se Maqedonia mund të merr veto të dyfishtë në mbledhjen e ministrave. Por, profesoresha Biljana Vankovska e sheh si pak të rëndësishme se sa veto do të marrim, përderisa edhe një e vetme kryen punë.

“Lexova se në Bruksel na përgatisin veto të dyfishtë. Ajo është shumë non-sens. Fjala dhe thelbi i vetos është në ndalimin, bllokimin e vendimit. Në këtë rarst, edhe 10 veto të jenë ato kanë të bëjnë me një punë, datën për bisedime. është pak e rëndësishme se sa veto do ti marrim, sepse në BE, si edhe në NATO, edhe një veto kryen punë. E vetmja gjë që më duket e rëndësishme është se Franca po qëndron hapurazi para Greqisë, që ta mbron nga pasoja eventuale në kontekst të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë” – tha Vankovska.

Edhe nëse Maqedonia merr datë për fillim të negociatave, ajo do të jetë e kushtëzuar që në afat të shkurtër të ketë përparim në bisedimet për çështjen e emrit, duke lënë mundësinë e hapur që negociatat të ndërpriten në çdo kohë, nëse Maqedonia dhe Greqia largohen larg një zgjidhjeje për emrin./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button