Sot është dita ndërkombëtare e familjes, si është gjendja me legjislacionin familjar të RMV-së?

Shkruan: Arta Selmani, profesoreshë e së drejtës familjare në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL).

Me rezolutën 44/82 më 9 dhjetor të vitit 1989 Kombet e Bashkuara shpallin Ditën ndërkombëtare të familjes, ndërkaq në vitin 1993 Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me rezolutën A/RES/47/237 vendos që 15 maj të manifestohet si Ditë ndërkombëtare e familjes. Që nga 15 maji i vitit 1994 organizohen aktivitete të shumta, konferenca dhe seminare e që kanë për qëllim promovimin dhe ngritjen e vetëdijes për të gjitha çështjet ndërlidhur me familjen, duke identifikuar në këtë drejtim proceset sociale, ekonomike dhe juridike drejtë fuqizimit të saj si shtyllën kryesore të shoqërisë.

Arta Selmani-Bakiu, Profesoreshë e të drejtës familjare dhe trashëgimore në Fakultetin juridik-UEJL
Arta Selmani-Bakiu, Profesoreshë e të drejtës familjare dhe trashëgimore në Fakultetin juridik-UEJL

Sot është shumë e vështirë të jepet definicioni për institucionin “familje”. Shumica prej neve kanë një imazh për “familjen ideale” e përbërë prej nënës, babait dhe fëmijëve biologjikë, mirëpo, arsye dhe rrethana të ndryshme kanë imponuar ndryshimin e këtij modeli familjarë. Sot hasim forma të ndryshme të familjes: familje monoprindore, familje të rekomponuara, familje jashtëmartesore, familje të personave të të njëjtës gjini, familje të themeluara me anë të metodave të teknologjisë së reproduktimit artificial. Në drejtim të “destabilizimit” të familjes tradicionale dhe paraqitjes së familjes bashkëkohore pluraliste, pyetje dhe dilema të shumta shtrohen në arsyet që kanë sjellë definimin e këtij modeli të ri familjarë. Shumë profesor të së drejtës familjare, këto ndryshime i sistemojnë në disa segmente, edhe atë në: përbërjen dhe funksionet e martesës dhe familjes; strukturën ekonomike dhe modelin demografik; reformat juridike; transformimet në marrëdhëniet emotive dhe intime midis gjinive; procesin e barazisë juridike, ekonomike dhe sociale të gruas; pozitën e re të fëmijëve në familje dhe shoqëri; zgjidhjen e problemit të inferilitetit përmes teknologjisë së reproduktimit artificial. Andaj, për të sqaruar këtë “revolucion” në modelin familjarë, fillimisht duhet të reflektojmë në transformimet që janë bërë në formën e lidhjes së martesës dhe funksionet e saj. Përderisa në të kaluarën, bashkëshortët e ardhshëm janë martuar me pajtimin e anëtarëve më të moshuar të familjes edhe atë për realizimin e interesave familjare-ekonomike ose politike, në kohën e sotme kemi zbatimin e konceptit të plotësimit të nevojave individuale në marrëdhëniet midis bashkëshortëve, model ky i lidhjes së martesave nga dashuria, afërsia dhe lidhshmëria reciproke. Ndër të tjera, funksioni i martesës i orientuar drejtë autonomisë së vullnetit, plotësimit të nevojave individuale, ndjekjes së lumturisë personale, kënaqësisë dhe plotësimit të vetvetes, shumë çifteve ua ka hapur rrugën e liberalizimit të ndarjes së martesës me anë të shkurorëzimit.

Këtu gjithsesi duhet të theksojmë se rol të rëndësishëm ka pasur edhe përmirësimi i pozitës së gruas nga një “qenie pa aftësi veprimi” deri tek një grua e pavarur dhe aktive në shoqëri dhe familje. Emancipimi i saj ka rritur mundësinë e punësimit duke fituar në këtë drejtim pavarësinë financiare, zëvendësimin e obligimeve të saja me marrëdhënie partneriteti në martesë, dhe e gjitha kjo për të ndikuar në masë të konsiderueshme në ndryshimin e normave tradicionale të martesës. Vet transformimi i konceptit të martesës ka tërhequr edhe disa procese tjera të rëndësishme, siç janë: 1. barazia e fëmijëve jashtëmartesorë me fëmijët martesorë; 2. barazia e burrave dhe grave në obligimet dhe të drejtat në martesë dhe familje; 3. rregullimi juridik i bashkësisë jashtëmartesore; 4. rregullimi juridik i “partneriteteve familjare” të personave të të njëjtës gjini, si dhe 5. fokusimi i së drejtës familjare në rregullimin juridik të përgjegjësisë prindërore.

Përveç ndryshimit të konceptit të lidhjes dhe funksionit të martesës, avancime të theksuara vërehen edhe në format e themelimit të prindërisë. Reproduktimi më nuk paraqet çështje e cila është jashtë kontrollit të njeriut. Ajo që dikur llogariteshte një proces natyror për ngjizjen e fëmijës, në kohën e sodit, është një transformim i vetëdijshëm dhe i planifikuar në jetën e  njeriut në momentin kur ai vendos të merr rolin e prindit. Në këtë drejtim, pjesë integrale e politikës bashkëkohore të natalitetit janë: inseminimi artificial, in vitro fekondimin, amësia surrogate, lindja e fëmijës nga një grua e vetme me material gjenetik të donuar, post mortem reprodukimi, ngjizja e fëmijës nga tre persona dhe shumë procese tjera të njohura nga teknologjia biomjekësore.  Kështu që, sot ekziston një spektër i gjerë i mundësive për reproduktim të cilët kanë ndikuar në ndryshimin e konceptit të lindjes dhe themelimit të prindërisë. Prandaj, në një makroplan familjarë nuk ekziston një model universal i planifikimit familjarë i cili do të ishte i pranueshëm dhe i përshtatshëm për një sistem juridik.

Po në Legjislacionin e RMV-së, si qëndron situata?

Drejtesi, ligj

Përveç ndryshimeve që kanë reflektuar në të dejtën familjare bashkëkohore, do të kisha dashur të orientohemi edhe në gjendjen aktuale në legjislacionin familjarë të RMV-së. Ligji për familje i RMV-së nuk ka pësuar ndryshime që kur është sjellur në vitin 1992 e deri më sot, andaj nuk mund të themi se është ligj i kohës edhe përkundër shumë transformimeve që kanë ndodhur në marrëdhëniet juridike – familjare. Prandaj, në legjislacionin familjarë i një nevoje eminente është procesi i reformave i cili duhet të realizohet në disa drejtime, edhe atë: 1. Inkorporimi i parimit të interesit më të lartë të fëmijës në Ligjin për familje; 2. Zbatimi i institutit të mediacionit familjarë dhe përforcimi i këshillmoreve prindore dhe bashkëshortore; 3. Kujdestaria e përbashkët ndaj fëmijëve pas shkurorëzimit; 4. Mbrojtja juridike  e “banesës familjare” gjatë martesës si edhe gjatë shkurorëzimit; 5.Rregullimi juridik i kontratës martesore; 6.Rregullimi juridik i bashkësisë jashtëmartesore; 7.Heqja e kontradiktave ligjore midis Ligjit për familje dhe Ligjit për fekondim të asistuar biomjekësor lidhur me të gjitha metodat artificiale për themelimin e familjes. Gjithësesi, këto reforma duhet të jenë të shoqëruara nga disa procese kruciale familjare, edhe atë: barazia juridike e gruas në martesë dhe familje; shkalla më e lartë e mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të fëmijëve në marrëdhëniet familjare; pranimi i barazisë dhe vullnetit të lirë të të gjithë anëtarëve të familjes si dhe lufta ndaj dhunës familjare.

Nga ajo që u theksuar më lartë,  tranzicionet në vet modelin familjarë  na bëjnë me dije se shumica prej neve do të jetojmë në aranzhmane familjare të reja dhe komplekse. Në këto familje, rregullat, rolet dhe përgjegjësitë do të jenë objekt i marrëveshjeve dhe nuk do të jenë paraprakisht të përcaktuara si në periudhat e më hershme.

Dhe për në fund, dua të vlerësoj që situata me pandeminë e virusit Covid 19  ka pasur edhe disa ndikime pozitive, veçanërisht në aspektin e afërisë midis anëtarëve të familjes nukleare. Uroj që kjo situatë të ketë zbutur individualizmin që ka njeriu i kohës së sotme. Gjatë ditëve në izolim, prindërit kanë pasur më shumë kohë të merren me obligimet ndaj fëmijëve të cilët i kanë anashkaluar për shkak të preokupimit të tyre në marrëdhëniet e punës dhe ndjekjes së karrierës. Në këtë kohë të normave të reja dhe diverzitetit të modeleve familjare, uroj të jemi më liberal dhe më mendje hapur ndaj formave të reja familjare. Këto qasje na bëjnë me dije se anëtarë të familjes jo çdo herë janë personat me të cilët kemi lidhshmëri gjenetike,  por janë ata të cilët na ofrojnë mbështetje, siguri dhe dashuri të pakompromis. Të kujtojmë se sa vlerë për ne kanë të gjithë anëtarët e familjes dhe sa e rëndësishme është familja. Le të kultivojmë marrëdhënie familjare cilësore dhe t’i barazojmë ato në respekt të ndërsjellë. Ta ruajmë familjen. Urime Dita ndërkombëtare e familjes!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button