Në tre muajt e parë, numri i raporteve në MPB për dhunën në familje u rrit për 17 përqind

Në periudhën janar-mars të këtij viti, 255 persona kanë qenë viktima të dhunës në familje, që është rritje prej 17 përqind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur numri i viktimave ishte 217, tregojnë statistikat që MPB i siguroi për Meta. Në vitin 2018, ky numër ka qenë 236, transmeton Portalb.mk.

Numri i autorëve të këtyre krimeve është rritur gjithashtu me 19 përqind. Këtë vit, në tremujorin e parë janë regjistruar 248 autorë, ndërsa vitin e kaluar 207, që është më pak se në vitin 2018, kur numri i autorëve ishte 229.

Masat e jashtëzakonshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit e kanë ngritur alarmin midis OJQ-ve që merren me parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Në fillim të pandemisë, ata apeluan që izolimi do të rrisë më tej rrezikun e këtij lloji të dhunës.

Komiteti i Helsinkit paralajmëron se në raste krizash të këtij lloji, niveli i dhunës në familje mund të rritet, që nuk do të thotë patjetër rritje e numrit të rasteve, por se ekziston një rrezik serioz që dhuna ekzistuese do të intensifikohet.

“Përveç masës së raportimit të pandërprerë dhe gjatë orës policore, shteti nuk ka bërë asnjë përpjekje për të gjetur zgjidhje kreative për të parandaluar dhunën ose lehtësuar raportimin”, thuhet në raportin mujor të Komitetit të Helsinkit.

Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje reagoi edhe për dy vrasjet e grave (femicid) në më pak se dy javë, të cilat, siç thonë ata, janë një shenjë që sistemi po dështon në përballjen me dhunën në familje dhe me dhunën në baza gjinore.

Ministria e punës dhe politikës sociale i inkurajoi viktimat të raportojnë dhunën në numrat për ndihmë 02/157000 dhe 02/15315. Edhe rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje gjithashtu publikoi numrat për ndihmë juridike (071/464 019), ndihmë psikologjike (075/255 154) dhe të drejtat sociale (071/324 223).

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button