Deklaratat e Berishës shqetësojnë BE-në

Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha me tone nacionaliste nuk janë pritur mirë në Bruksel.

Keqardhja apo shqetësimi nga retorika nacionaliste është kthyer tashmë në një amendament për rezolutën e Parlamentit Evropian, e cila votohet të mërkurën e javës që vjen, dhe sipas burimeve diplomatike në Bruksel ky shqetësim pritet të përfshihet edhe në konkluzionet e Ministrave të BE-së për Shqipërinë.

“Bëhet thirrje që të shmangen të gjitha deklaratat që shkojnë kundër fqinjësisë së mirë në rajon”, rrëfyen burimet konfidenciale. Nëse ky paragraf përfshihet në konkluzione, ai do të “errësonte” për herë të parë një prej politikave të rralla të lavdëruara nga BE: qasjen konstruktive të Shqipërisë në marrëdhëniet me fqinjët në rajon.

Ndërkohë, përfaqësuesit e vendeve anëtare në Bruksel kanë vijuar edhe të premten diskutimet për draft-konkluzionet për strategjinë vjetore të zgjerimit, ku për Shqipërinë, përveç tre çështjeve të paplotësuara që përcaktoi Komisioni, nga vendet kritike anëtare është shtuar dhe çështja e zgjedhjeve.

Sipas burimeve, të paktën tri vende Gjermania, Holanda dhe Franca këmbëngulin ende që për zgjedhjet, në konkluzione të përdoret në mënyrë të prerë fjala “kusht”, por ndërsa vendet e tjera pajtohen se zgjedhjet janë kusht, preferojnë që kjo të mos figurojë kaq prerë në tekstin përfundimtar.

“Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor i mirëfunksionimit të institucioneve demokratike”, është përkufizimi aktual, subjekt ndryshimi, siç rrëfejnë burimet e Top Channel.

Teksti i draft-konkluzioneve do t’i kalojnë të hënën për diskutim Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, ndërsa vendimin përfundimtar dhe zyrtar e merr Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, që mblidhet të martën, me 11 dhjetor. Vendimi i Ministrave i kalon vetëm për miratim formal krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, në ditën e dytë të samitit evropian, me 14 dhjetor./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button