Pandemia, besimi dhe manifestimi i besimit

Ajo që ndodhi javën e kaluar në Strugë ishte jo vetëm e turpshme por edhe shumë e rrezikshme. Organizimi i tubimit masiv fetar në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme, kur qeveria ka vendosur masa strikte të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve me të vetmin qëllim mbrojtjen e shëndetit të tyre nuk është një padëgjueshmëri e thjeshtë qytetare por një akt i rrezikshëm kundër shëndetit të njerëzve që paraqet veprim penal. Të rrezikosh një grup aq të madh qytetarësh në kohë të pandemisë dhe ta ekspozosh në mënyrë direkte ndaj rrezikut për t’u infektuar me virusin të cilin e luftojmë me muaj është një akt mizor që kërkon përgjegjësi serioze.

Feja duhet t’u sjellë qetësi shpirtërore njerëzve që e praktikojnë, veçanërisht në kohëra të tilla pasigurie të pandemisë. Besimi është ai që i ndihmon njeriu t’i tejkalojë sfidat me të cilat përballet. Autoritetet fetare në asnjë mënyrë nuk guxojnë të lejojnë që feja dhe besimi të shndërohen në ankth për besimtarët, në dyshim për atë se a e morën virusin ose jo duke u përpjekur që të praktikojnë me përkushtim ritet fetare të parapara të realizohen në mënyrë kolektive në kohëra normale dhe jo në gjendje që për shkak të rrezikshmërisë së lartë është shpallur si e jashtëzakonshme. Fundja askush askujt nuk ia ka ndaluar besimin dhe as ritualet individuale fetare gjatë kohës së pandemisë. Secili besimtar ka të drejtë të plotë të vazhdojë praktikimin e fesë sepse të praktikuarit e fesë është në esencë një akt individual dhe i pandalshëm meditimi. Kjo është e drejtë themelore e njeriut dhe si e tillë mbrohet me dokumente ndërkombëtare, si që është neni 9 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo e drejtë përfshin edhe manifestimin publik të të drejtës së besimit, por dallimi është që manifestimi publik i kësaj të drejtë mund të kufizohet për shkaqe të ndryshme. Pra e drejta e besimit dhe religjionit nuk mund të ndalohet, por ritualet kolektive fetare ndalohen gjithmonë kur shëndeti ose siguria e njerëzve është e rrezikuar.

Feja nuk është inat i ndërsjellë. Mund të ketë interpretime fetare që nxisin inate e zili, por esenca e çdo feje është mirkuptimi dhe solidariteti. Prandaj për shkak të inatit nuk duhen sakrifikuar besimtarët duke u vendosur në rrezik. Secili besimtar praktikues i fesë ka të drejtën e jetës dhe të drejtën e shëndetit. Autoritet fetare nuk duhet ti sfidojnë këto të drejta por duhet t’i mbrojnë ato. Autoritetet fetare nuk duhet të veprojnë emocionalisht dhe për hakmarje por gjithmonë të kenë parasysh mirëqenien e besimtarëve që i ndjekin sepse edhe ata janë përgjegjës pë këtë mirëqenie. Pikërisht duke pasur parasysh këto parime, atoritetet botërore fetare i kanë adaptuar ritet kolektive fetare në përpjekje për t’u përballur me pandeminë Covid19. Qabeja në Mekke vazhdon të jetë e zbrazët për herë të parë në histori. Papa si prijësi kryesor katolik mbajti meshën e Pashkëve në shehsin e zbrazët të Vatikanit. Por ja që në këto vendet tona paskemi pasur prijës fetarë që janë më katolikë se papa, më myslymanë se kalifi.

Të mos harrojmë se gjithçka është kalimtare, pra edhe kjo pandemi. Është me rëndësi që ta tejkalojmë me pasoja sa më të vogla që të mund t’i kthehemi përditshmërisë dhe aktiviteteve që janë të rëndësishme për ne. Atëherë mund t’u kthehemi edhe riteve kolektive fetare, por sjellja jonë e tanishme dhe sjellja e tanishme e autoriteteve tona fetare do të përcaktojnë a do të jenë ato rite shprehje gëzimi apo dhimbjeje dhe pikëllimi. Fundja një pjesë shumë e rëndësishme e besimit është ndërgjegja. A thua vallë do e kemi ndërgjegjen e pastër nëse bëhemi shkas për sëmundjen ose vdekjen e dikujt në përpjekje për t’u dukur besimtarë të devotshëm?

Të përmbahemi sot që të festojmë më vonë. Të ruajmë jetën dhe shëndetin tonë të cilat janë dhuratat më të mëdha që na i ka falur Zoti që t’u kthehehemi ritualeve të gëzimit e jo të mortit. Të mos kemi dyshim se të kujdesurit për këto dhurata është përgjegjësi e të gjithëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button