Gjendja e jashtëzakonshme deri të shtunën, bëhen vlerësime nëse do të ketë vazhdim

Gjendja e jashtëzakonshme që e shpalli presidenti Stevo Pendarovski më 16 prill skadon të shtunën. Tani për tani mbetet e hapur çështja nëse do të ketë vazhdim të ri, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Oliver Spasovski dje deklaroi se Qeveria ende nuk ka sjellë vendim se a do të vazhdojë gjendja e jashtëzakonshme në periudhën e ardhshme. Ai tha se ende po bëhen analiza dhe vlerësime në bazë të gjendjes shëndetësore.

“Unë bëj thirrje që të presim dy ditë, kur do të ketë mbledhje Qeveria dhe të bëhet vlerësimi se a do të ketë nevojë për gjendje të re të jashtëzakonshme dhe se sa do të jetë”, tha Spasovski.

Ai shtoi se po përgatitet edhe raporti deri presidenti Stevo Pendarovski, për atë se çka është bërë gjatë kësaj gjendje të jashtëzakonshme. Mbetet në qëndrimin se prioritet është para së gjithash jeta dhe shëndeti i qytetarëve, ndërsa në bazë të atij prioriteti do t’i sjellin edhe vendimet e ardhshme.

Nëse sillet vendim i ri të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme dhe Qeveria të dorëzojë propozim, Këshilli i Sigurisë duhet të mbajë seancë të re të premten dhe presidenti të sjell vendim për vazhdimin e saj.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha sot, se në Këshillin e sigurisë do të kërkojnë vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Nesër duhet të mbahet takim i Këshillit të sigurisë. Ne do të kërkojmë vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme për disa shkaqe në mënyrë që të kemi mekanizma lidhur me implementimin e rekomandimeve të këtilla edhe në periudhën që pason”, tha FIlipçe duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp.

Ai nuk saktësoi nëse do të kërkohet vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë të reja apo më pak.

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, për shkak të pandemisë me koronavirusin, fillimisht shpalli gjendje të jashtëzakonshme më 18 mars.  Ai sqaroi se Qeveria ka dërguar kërkesë te Kuvendi, por kryetari i Kuvendit e ka dërguar te Presidenti, me arsyetimin se Kuvendi është i shpërbërë. Më pas, u soll edhe një vendim për 30 ditë të reja do të përfundojë të shtunën.

Të dy vendimet e presidentit Pendarovski për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme mbetën të pakonfirmuara në Kuvend, sepse ai ishte shpërndarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button