Kosovë, skandal me targat, “avullohen” 200 mijë euro

Nuk është vetëm kompania austriake për prodhimin e pasaportave biometrike OeSD, e cila u “dogj” nga bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, të cilës nuk iu paguan asnjëherë 1 milion e 400 mijë euro. Fatin e njëjtë e ka pasur edhe kompania sllovene “KIG” sh.a., e cila për dy vjet radhazi ka prodhuar targat e automjeteve kosovare.

Kësaj kompanie, njëjtë si në rastin e skandalit të pasaportave, nuk i janë pagur mbi 200 mijë euro, duke ia transferuar kështu nënkontraktuesit, shkruan “Zëri”.

Pothuajse njësoj siç kanë bërë zyrtarët e MPB-së dhe ish-nënkontraktuesja e OeSD-së, Natalija Velija, gjatë “skenarit” për t’ia shmangur paratë kompanisë austriake, ashtu është vepruar edhe me kompaninë sllovene “KIG” sh.a., e cila për dy vjet radhazi ka prodhuar targat e automjeteve kosovare.

E vetmja gjë që e dallon kompaninë sllovene prej asaj austriake është shuma e parave të cilat u janë “avulluar” në Prishtinë dhe nuk janë bartur në xhirollogaritë përkatëse të tyre.

Kompanisë “KIG” sh.a. në Prishtinë i janë shmangur “vetëm” rreth dyqind mijë euro, nga tenderi që ka pasur vlerën 1 milion e 700 mijë euro./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button