Fituesit e Çmimit Letrar “Vexhi Buharaja”

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së dijetarit, poetit, studiuesit dhe përkthyesit Vexhi Buharaja (12 maj 1920 – 5 korrik 1987), në Bashkinë e Beratit u shpall konkursi letrar në emër të këtij poeti, në të cilin mundën të konkurronin poetët, prozatorët dhe përkthyesit e rinj e ata të njohur shqiptarë kudo që ishin.

Juria vlerësuese e shkrimeve të kandidatëve e përbërë nga: prof. Ymer Çiraku, z. Visar Zhiti, z. Aleksandër Cipa, prof. Milazim Krasniqi dhe prof. Yzedin Hima (të gjithë njerëz dhe emra të njohur të letërsisë e të publicistikës), theksoi se numri i kandidatëve (nga vendet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Kanadasë), edhe në këtë kohë pandemie arriti në 70-të, ndër të cilët 30-të kandidatë me poezi, 30-të me ese dhe 10-të me përkthime. Nuk munguan as kandidatët nga shteti ynë, si me krijime në poezi e prozë, ashtu edhe me përkthime.

t

Nga juria e tillë me çmimin e dytë letrar në poezi u vlerësua edhe Adelina Xhaferi nga fshati Forinë i Gostivarit, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Fitorja e saj për këtë çmim letrar është një sukses i madh për mbarë vendin dhe shtetin tonë, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të konkurrentëve nga të gjitha troje shqiptare.

Më poshtë është edhe njëra ndër poezitë fituese të Adelinës, të cilën mund ta lexoni!

ZËRI I KULLËS

Ma patën lidhë shaminë për fyti

femrat e kullës rrethuar me djem,

deri n’sy m’i patën lëshuar qëndisjet

se s’bën të të shihen vetullat më tha nëna,

teksa n’livadh fatin ma kërkuan

t’ma lidhnin si ëndërr nën heshtje nate

e ditën tjetër të verës

n’kullë të lartë t’nisej paja e nusërisë.

E ulja kokën nën urdhra të moçëm,

ndryshe i ati s’do m’jepte bukë në mbrëmje,

ta dëgjoja më urdhëronte nëna

e gjyshja me kokë ia pohonte fjalën e thënë.

Ishin të heshtura mëngjeset e verës për mua

sa herë me kokën ulur i dilja punës n’fund

e kur n’kullë të lartë më priste nënshtrimi

sërish m’urdhëronin femrat

se ndryshe me pushkë do m’i mbyllnin sytë.

Cepat e shamisë m’i futën në gjoks,

t’mos ishte bardhësia shkak për tmerr,

ashtu dhe nëna dikur kishte bë

kur n’livadhe e kisht’ pa gjyshja

e t’nesërmen nuse e kishte marrë për kullën e vet.

Ashtu dhe mua ma zunë frymën

duke më lidhë me kullën më shumë se djemtë,

se isha femër më thoshte nëna,

femra kokën e mban ulur,

në kullë s’bën me sjell telashe dashurie,

s’bën me qesh pa leje të burrit

se zëri i kullës shkon larg

e baba fytyrën ku ta çojë, më thoshte.

Isha femër e duhej t’ngulfatesha,

sytë, gjoksin dhe belin e këputur

s’bënte t’m’i shihte bota në livadhe,

por të rija pas nënës me drapër në dorë

se veç ashtu do ma uronin kullën

e fytyra e babës do quhej e bardhë.

Ky çmim letrar tashmë do të kthehet në traditë për Bashkinë e Beratit. Urojmë që kjo nismë e këtillë të përfshijë në të ardhmen edhe më shumë poetë, prozatorë e përkthyes të rinj!!!

 

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button