Topi akuzon Berishën: Po na lë prapë jashtë BE-së

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi fajësoi direkt mazhorancën shqiptare për faktin që sot Shqipëria, për të tretin vit me radhë, rrezikon të humbasë statusin e vendit kandidat për në BE. 

Sipas Topit, kjo mazhorancë e diskredituar në publik nuk ka asnjë shans matematikor që të përsërisë mandatin në zgjedhjet e vitit 2013. 

“Është faji i politikës dhe kryesisht i mazhorancës që nuk ka plotësuar kriteret që sot Shqipëria rrezikon statusin. Kjo mazhorancë nuk ka asnjë shans që të fitojë mandatin e tretë në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Topi. 

Duke marrë shkas nga 8 dhjetori, Dita e Rinisë, Topi drejtoi akuza të ashpra ndaj Berishës dhe ndaj Jozefina Topallit. 

“Ai që inicioi lëvizjen e rinisë, sot është pengesa kryesore jo vetëm e rotacionit politik, por pengesa kryesore e rinisë shqiptare. Gazmend Oketa, student i dhjetorit, sot 22 vjet më pas nuk lejohet të flasë në Kuvend nga Berisha dhe ajo qe i rri në krah”, theksoi Topi. 

Nga ana tjetër, deputeti i FRD Gazmend Oketa tha se përmes një patriotizmi të shtirur politika po përpiqet të largojë vëmendjen nga problemi më madhor që ka sot Shqipëria, kriza ekonomike. 

“Sot kemi një nacionalizëm të rremë që synon largimin e vëmendjes nga kriza ekonomike që ka përfshirë vendin. Buxheti i miratuar të premten është një buxhet që na zhyt në borxhe”, deklaroi Oketa. 

Duke u zotuar se do të jetë gjithnjë pranë qytetarëve me një program të realizueshëm dhe me premtime të mbajtura, Bamir Topi njoftoi hapjen e degës së FRD-së në qytetin e Librazhdit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button