Kosovë, Kurti numëroi sukseset e 100 ditëshit, opozita përmendi dështimet

Qeveria aktuale do të vazhdojë punën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Në një mbledhje të qeverisë të mbajtur të mërkurën, Kurti ka thënë se “rruga përpara janë zgjedhjet e lira dhe demokratike, me masa mbrojtëse për shëndetin e qytetarëve dhe të demokracisë”, shkruan REL.

“Në këto 100 ditë të qeverisjes ç’kapja e shtetit prej mujsharëve shpërdorues ka filluar dhe nuk do të ndalet”, tha ai.

Kosova gjatë kohës së pandemisë është përfshirë edhe nga kriza politike, pasi Kuvendi i Kosovës më 25 mars e rrëzoi qeverinë e Kurtit, përmes një mocioni të paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Na u benë bashkë i gjithë regjimi i vjetër që kishte qeverisur për 20 vjet në Kosovë, vetëm për të rrëzuar një kryeministër dhe një qeveri që nga çdo parametër është treguar e suksesshme duke përfshirë edhe menaxhimin e pandemisë. Pse gjithë ky inat? Pse gjithë kjo nguti për ta marr ulësen e kryeministrit”, ka thënë Kurti.

Kurse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), parti kjo në opozitë, me anë të një aktiviteti pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ka shfaqur një pankartë, ku siç thuhej janë përfshirë 100 dështimet e qeverisë Kurti, në 100 ditët e punës së saj.

Deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu tha para mediave se dështimet e qeverisë janë të mëdha. Ajo tha se në radhë të parë është dështimi dhe prishja e marrëdhënieve me SHBA-të.

“Qeveria Kurti për 100 ditë rrezikoi miqësinë e shenjtë me SHBA-të dhe do të mbetet e fundit që kërcënoi këtë raport historik. Kryeministri Kurti është zyrtari i parë shtetëror që akuzoi rëndë SHBA-të për ndërhyrje në rrëzimin e qeverisë por që për një gjë të tillë nuk u pajtua ministri i Jashtëm i tij, Glauk Konjuca””, tha ajo.

Kërkesa e Shteteve të Bashkuara për të hequr reciprocitetit për mallrat serbe është refuzuar nga ana e kryeministrit, Albin Kurti. Bashkimi Evropian e ka përkrahur heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe nuk e ka parë si problem vendosjen e masës së reciprocitetit.

“Kjo Qeveri dezertoi si pasojë e paaftësisë për të menaxhuar me pandeminë dhe ekonominë e vendit. Nuk guxoi të merret me temat e ndjeshme të vendit sikurse dialogu me Serbinë”, tha Zejnullahu.

Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar, Avdullah Hotin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Vendimi i tij u mor pas disa letrave që i kishte dërguar Vetëvendosjes për emërimin e një mandatari të ri. Por, VV-ja e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese e cila e pezulloi zbatimin e dekretit të presidentit, deri më 29 maj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button