Tetovë, pasi dha dorëheqje për keqpërdorim të detyrës, Teuta Arifi e bëri drejtor në ndërmarrje tjetër

Mori 50,000 euro borxh në mënyrë të paligjshme, harxhoi 10,000 euro vetëm për telefonat zyrtar, kreu një sere shkeljesh tjera ligjore gjatë kohës kur ishte drejtor i NP “Parkingu i Qytetit” në Tetovë. Pas gjithë këtyre akuzave, Fejsal Behadini dha dorëheqje në mënyrë që vetëm disa muaj më vonë, nga Komuna e Tetovës ta veshin përsëri me petkun e drejtorit, edhe atë të NP “Tetova Transport”, shkruan Portalb.mk.

Vetëm një javë më herët, Enti i Revizionit Shtetëror (ERSh) publikoi revizionin për punën në NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë” për vitin 2018, nga ku u konstatuan një sërë shkeljesh ligjore nga drejtori i atëhershëm, Fejsal Beadini.

Fejsal Beadini
Fejsal Beadini

Për këto, biseduam me Beadini, i cili pretendon se gjatë punës së tij ka pasur vetëm shkelje procedurale, por jo edhe akte të kundërligjshme. Ai nuk pajtohet plotësisht me raportin e revizionit, thotë se mjetet e marra borxh janë shfrytëzuar për pagat e punëtorëve.

“Sa i takon raportit të revizioni konstatoj se bëhet fjalë për lëshime procedurale për të cilat natyrisht kemi marrë rekomandime që të njëjtat të përmirësohen në të ardhmen. Si ndërmarrje e re e themeluar, menaxhimi i saj përben një sfidë më vete dhe këto lëshime kryesisht kanë të bëjnë me mungesën e administratës se ndërmarrjes e cila edhe sot e kësaj dite është në konsolidim e sipër dhe në fazë ekipimi. Në lidhje me mjetet e huazuara nga ana e ndërmarrjes konstatoj se të njëjtat janë siguruar për lëshimin e rogave të të punësuarve e që më vonë ndërmarrja të njëjtat i ka shlyer konform kontratës për huazim, dhe se nuk janë shfrytëzuar pa qëllim siç thotë raporti. Sa i takon mjeteve të harxhuara për telefona zyrtare mendoj se janë plotësisht të arsyeshme sepse puna dhe veprimtaria e kësaj ndërmarrjeje as që mund të mendohet pa smart pajisje, ngase markimi, bllokimi dhe kontrolli i mjeteve që parkohen kryhet me sistem të tillë që kërkon edhe qasje në internet gjatë punës ne teren, dhe të njëjtat duhet t’i posedojnë të gjithë punëtoret e terrenit, e që janë me dhjetëra të tillë”, tha Fejsal Beadini për Portalb.mk.

Megjithatë, në raportin e Revizionit thuhet se Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” nuk ka dërguar asnjë vërejtje për raportin e revizionit.

Borxhet e NP "Parkingu i Qytetit".
Borxhet e NP “Parkingu i Qytetit”.

Portalb.mk mëson se në mbledhjen e Këshillit të Komunës së Tetovës me datë 30 shtator të vitit 2019, është vendosur që komuna të paguajë borxhin prej plot 10 milion denarësh ndërmarrjes “Parkingu i Qytetit” në Tetovë.

Ja kujt i kishte borxh kjo ndërmarrje:

Para se të publikohet raporti i lartpërmendur, një numër i madh i akuzave, ishin në adresë të drejtorit të atëhershëm të NP “Parkingjet e Qytetit” Fejsal Beadini, madje me një letër publike drejtuar kryetares së Komunës së Tetovës, Arifit, punonjësit e kësaj ndërmarrje paralajmëruan të njëjtën për shkelje të shumta ligjore nga ky i fundit.

Menjëherë pas kësaj, në datën 25,06,2018 Beadini dha dorëheqje nga posti i drejtorit të kësaj ndërmarrje, kurse nga Komuna e Tetovës këtë dorëheqje e komentuan përmes kësaj deklarate:

“Sigurisht që ne denoncimin në fjalë e kemi marrë parasysh, duke e analizuar me kujdes për sa i takon kredibilitetit të vërtetësisë, dhe së shpejti si udhëheqësi do të reflektojmë ditëve në vijim, shumë shpejt ndryshimi do të vërehet në prizmin organizativ të Ndërmarrjes në fjalë. Parimi i qeverisjes me duart të pastra, është postulat i padiskutueshëm i Komunës së Tetovës”, thanë për Portalb.mk, nga Komuna e Tetovës.

I njëjti që dha dorëheqje pas akuzave për keq menaxhim, u emëruar drejtor në NP “Tetova Transport”

Situata bëhet më interesant këtu, nuk kalon as 1 vit nga dita kur ky drejtor dha dorëheqje si pasojë e akuzave që ishin ngritur ndaj tij për keq menaxhim të detyrës zyrtare, i njëjti u emërua si drejtor i NP “Tetova Transport” me datë 03,10,2019, kur edhe u rithemelua kjo ndërmarrje.

Kjo ndërmarrje u themelua fillimisht në vitin 2014, më pas u rithemelua në vitin 2019, kurse vetë ekzistenca e kësaj ndërmarrje është përfolur shumë nga qytetarët, të cilët thonë se nuk ka nevojë Komuna e Tetovës për një ndërmarrje të tillë, përderisa nuk ka asnjë autobus në qytet.

Kjo ndërmarrje për vite me radhë ka qenë jofunksionale, nuk ka pasur asnjë autobus, ndonëse me vite është premtuar që të njëjtat do të blihen. Tetovarët vazhdojnë të presin për transport publik.

Redaksia e Portalb.mk dërgoi pyetje deri te Komuna e Tetovës për atë se si është e mundshme që një personi dorëhequr për keq menaxhim të detyrës zyrtare, të emërohet drejtor vetëm disa muaj më vonë, të njëjtit nuk u përgjigjen në pyetjet tona.

Portalb ua sjellë disa prej shkeljeve që i ka gjetur revizori në punën e NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë”:

  1. NP “Parkingu i Qytetit” nuk ka sistem të kontrolleve të brendshme dhe nuk janë miratuar procedura për lëvizje të dokumenteve dhe sistem për ndjekje dhe kontroll të dokumentacionit të kontabilitetit me kompetenca dhe përgjegjësi të definuara dhe kufizuara qartë.
  2. Nuk janë përgatitur politika dhe raporte kontabiliste dhe raporte për rrjedhën e parave me të cilat është e nevojshme që të sigurohet koezistenca, vazhdimësia dhe ligjshmëria në shfaqjen e të gjitha ngjarjeve financiare dhe kontabiliste.
  3. Nuk është nënshkruar marrëveshje mes kryetari të Komunës së Tetovës dhe drejtorit të ndërmarrjes publike në të cilën do të konstatoheshin të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e ndërsjella.
  4. Janë konstatuar parregullsi gjatë llogaritjes së rrogave të të punësuarve në ndërmarrjen publike.
  5. Ndërmarrja publike ka hyrë në borxh pa akt të miratuar nga ana e Bordit Udhëheqës dhe themeluesit – Komuna e Tetovës.
  6. Vlera e kapitalit nuk është e regjistruar në Regjistrin e Vetëm Tregtar dhe në regjistrin e personave tjerë juridik në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
  7. Nuk është kryer regjistrim i patundshmërive, inventarit, pajisjes, mjeteve jomateriale (patentat dhe licencat), mjetet financiare, por edhe të mjeteve dhe obligimeve aktuale. Regjistrimi është obligim ligjor që të kryhet një herë në vit.
  8. Nuk është vënë në funksion operacioni i thesarit, në pajtueshmëri me dispozitat ligjore,, ndërkaq janë konstatuar edhe dallime mes mjeteve në para të treguara në Bilancin për gjendjen e llogarisë në bankë.
  9. Gjatë furnizimeve të mallrave dhe shërbimeve nuk është respektuar në tërësi Ligji për Furnizime Publike.
  10. Për këto gjetje, Enti i Revizionit nga ana e personit përgjegjës të NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë” nuk ka marrë vërejtje për draft-raportin e revizorit të autorizuar shtetëror.

Revizioni gjithashtu ka konstatuar edhe shkelje tjera si për shembull:

  • Nuk janë plotësuar vendet e punës në Sektorin për Punë të Përgjithshme, pozitat udhëheqëse dhe vendet tjera të punës.
  • Nuk është miratuar akt për person të autorizuar i cili do ta ndjekë realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara me operatorët ekonomik pas procedurave të zbatuara për furnizime publike.
  • Revizioni gjithashtu ka zbuluar raste kur NP “Parkingu i Qytetit”, u ka paguar të punësuarve orë jashtë orarit të punës për ditën e shtunë, ndërkaq i punësuari nuk ka qenë i evidentuar në fletoren për orar të punës.
  • Parkingu i Qytetit – Tetovë ka marrë borxh 3.4 milionë denarë (55.000 euro) pa vendim paraprak të Këshillit të Komunës dhe Bordit Udhëheqës. Pos kësaj, nuk ka treguar se për çfarë do t’i përdorë mjetet.
  • Ndërmarrja Publike nuk ka miratuar akt me të cilën rregullohet shfrytëzimi i telefonave zyrtarë. Gjatë vitit 2018-të, për këtë qëllim janë paguar mjete me vlerë prej 601.000 denarë (9.700 euro) një operatorit ekonomik për shfrytëzimin e telefonisë celulare.
  • Në vitin 2018-të, pa procedurë për furnizime publike është kryer furnizim të mallrave dhe shërbimeve me vlerë prej 1.855.000 denarë (30.000 euro) për furnizim të shërbimeve me automjet special – karrotrec, servisim të automjeteve – karrotrec dhe për pjesë kompjuterike dhe programe me mirëmbajtjen e tyre në mënyrë të parregullt.

Raportin e plotë të Revizionit mund ta gjeni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button