Organizatorët e 27 Prillit, Spasovski: Veljanoski nuk pranoi që të diskutohet për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit

Trajko Veljanoski nuk pranoi ndryshim të rendit të ditës dhe ndryshim të pikës për zgjedhje të kryetarit, deklaroi kryeministri Oliver Spasovski, i cili dëshmoi në seancën e sotme për organizatorët e 27 prillit në Kuvend, njofton Portalb.mk.

Spasovksi në fillim të seancës tha se në periudhën janar-qershor 2017-të ka qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë dhe sekretar teknik në LSDM.

“I propozova ish kryetarit të atëhershëm, Trajko Veljanoski, që të ndryshohet rendi i ditës dhe të kalojë në pikën e zgjedhjes së kryetarit, por e njëjta nuk u pranua”, tha Spasovski.

Ai theksoi se për propozimin ka pasur mbështetje të mbi dhjetë deputetëve, ndërkaq kryetari i Kuvendit, sipas Rregullores e ka pasur të domosdoshme ta vendos propozimin në votim.

Në pyetjen e prokurores, Villma Ruskovska, se çfarë aksione ka ndërmarrë partia në atë periudhë, Spasovski tha se kur ka filluar dhuna në Kuvend, përpara selisë së LSDM-së janë mbledhur një grup i madh i qytetarëve.

“Të vetmen që e ndërmorëm unë dhe kryetari i partisë, është që të mos lejojmë që turma e mbledhur të shkojë në Kuvend që të mos bëhet problem edhe më i madh”, deklaroi Spasovski.

Ai tha se partitë funksionojnë sipas hierarkisë, kështu që nuk mundet të mos dihet, të paktën në partinë e tij, se kush çfarë ka ndërmarrë.

Në pyetjen e të dyshuarit, Trajko Veljanoski, nëse ka pasur koordinim më 27 prill për çështjen e ndryshimit të rendit të ditës, Spasovski tha se ka biseduar në koordinimin për të njëjtën çështje, po se edhe atëherë ka refuzuar, por propozimin më pas e ka dorëzuar edhe në seancë.

“Koordinimi është irelevant, çështja e seancës deklarohet me votim”, deklaroi Spasovski.

Procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësi Ilija Tërpkovski, ndërkaq përfaqësues i akuzës është Vilma Ruskovska.

Të akuzuar në këtë lëndë janë ish kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish ministri i Arsimit, Spiro Ristovski dhe ish drejtori i Policisë Sekrete, Vlladimir Atanasov.

Në këtë lëndë akuzohen edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish pjesëtari i DSK-së, Nikolla Boshkovski, megjithatë pasi që ata janë të arratisur, procedura për ta do të ndahet dhe të njëjtit do të gjykohen, pasi të jenë të kapshëm për organet e rendit.

“Të dyshuarit në fillim të vitit 2017-të, kishin përgatitur dhe realizuar plan me qëllim që të pamundësojnë pranim-dorëzimin e qetë të pushtetit. Kishin organizuar dhe materialisht i kishin mbështetur protestat masive, së pari para  Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ndërsa pastaj edhe protestat e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët” të cilat kulmuan me hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit 2017-të”, kanë theksuar nga PThP.

Sipas PTHP-së kjo ishte bërë me qëllim që të rrezikohet rendi kushtetues dhe siguria.

“Me qëllim që ta rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë, ditën kritike kishin organizuar hyrjen pandërprerë të masës së popullatës në shtëpinë ligjvënëse,  kanë përfshirë shoqata patriotike për realizimin e dhunës. Njëherit nga selia e partisë politike vazhdimisht e kishin mobilizuar anëtarësinë e partisë nga Shkupi dhe qytetet tjera. Njëkohësisht, një nga të dyshuarit me veturë, pronë e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, kishte sjellë armë dhe jelekë mbrojtës para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë që ishin të dedikuar për persona të cikët protestojnë dhe kanë përvojë në menaxhimin me armët. Me këto aktivitete të dyshuarit kishin shkaktuar ndjenjën e pasigurisë, kërcënim dhe frikë te qytetarët”, thonë nga PTHP.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button