A u bë mjaft me orën policore?

Qysh prej shpërthimit të pandemisë Covid 19 e këndej, në Maqedoninë e Veriut kanë ndodhur disa veprime jo serioze nga ana e institucioneve shtetërore, ndërsa është kërkuar faj dhe fajtori te populli i shkret. Ndaj popullit të shkret është vendosur ora policore dhe ndaj popullatës krishtere dhe myslimane nuk po i lejohet që të përjetojnë festat e tyre fetare dhe të jetësojnë si duhet mësimet e Jezu Krishtit (Isait a.s.) dhe Pejgamberit Muhammed. Dëshmi për këtë është vazhdimi i orës policore pikërisht në Festën e Pashkëve, dhe vendosja e prioriteteve për hapjen e bastoreve sportive e mos hapjen e xhamive pikërisht në muajin e shenjtë të Ramazanit. Vendimi i BFI për hapjen e xhamive u kritikua nga të gjitha institucionet shtetërore dhe krerët më të rëndësishëm politik. Në qarqet gazetareske qarkullon informacioni për devijimin nga rruga të vendimit të qeverisë për heqjen e orës policore, pikërisht për shkak të inateve që kanë institucionet shtetërore dhe politikanët me kreun e BFI-së.

Në vijim do të numërojmë disa faje të institucioneve shtetërore dhe politikanëve për përhapjen e Covid 19 dhe vënien në faj të popullatës së shkret.

  1. Në medie u raportua se ish drejtoresha e Klinikës së Dermatologjisë në Shkup, Nina Caca Biljanovska për një javë ka fshehur se ka simptoma të Covid 19, ndërsa ajo ka vazhduar të shkoj në punë. Në këtë mënyrë, drejtoresha Nina Caca Biljanovska ka infektuar 200 persona tjerë, dhe si rezultat e vetmja masë nga qeveria ndaj saj ka qenë shkarkimi i saj dhe zëvendësimi me Suzana Nikollovska.
  2. Po ashtu në medie u raportua se drejtoresha e Spitalit të Kumanovës, Snezhana Zaharieva, nuk ka furnizuar në kohë me mjetet e nevojshme mbrojtëse mjekët e spitalit dhe si rezultat i kësaj pandemia Covid 19 ka shpërthyer me të madhe në mesin e mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve teknik duke e shndërruar Kumanovën në një qendër me rrezik të lartë. Snezhana Zaharieva ende është drejtoresh e spitalit dhe nuk është ndërmarr asnjë masë ndëshkuese ndaj saj.
  3. Në medie u raportua për pres konferencën e Këshillit të përgjithshëm të Krizave në Kumanovë, ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski. Pas përfundimit të pres konferencës, Dimitrievski rezultoi pozitiv me Covid 19 duke u shndërruar në këtë mënyrë në rrezik potencial e të gjithë pjesëmarrësve në atë takim. Si rezultat pjesëmarrësit në takim u futën në karantinë 14 ditore, ndërsa Dimitrievski ende sot e kësaj dite vazhdon që të kryej punën e tij, pa u ndërmarr ndaj tij asnjë përgjegjësi politike, penale e morale. Edhe pse pati zëra të ndryshëm në opinion, akuza dhe ndër akuza midis pushtetit dhe Maksim Dimitrievskit, sidoqoftë, ky i fundit po vazhdon që t`i kryej të gjitha detyrat e tij si kryetar i Komunës së Kumanovës.
  4. Në raportimin e përditshëm të ministrisë së shëndetësisë  u bë e njohur për dy vdekje në Kumanovë, që njëherë në testimin e parë rezultuan negativ ndaj Covid 19, ndërsa pas vdekjes dolën pozitiv. Familjarët e këtyre rasteve denoncuan në medie se viktimat kanë vdekur krejtësisht nga sëmundje tjera dhe jo nga Covid 19.
  5. Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, thuajse për çdo ditë njofton për raste të reja të infektimit me Covid 19, ndërsa në raportimet zyrtare të ministrisë së shëndetësisë, edhe rastet e Komunës së Likovës i përshkruheshin Komunës së Kumanovës.
  6. Vatër e re e valës me Covid 19 tashmë po bëhet qyteti i Tetovës, ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët u bë publike informacioni se ka zyrtar mjekësor që janë pozitiv me Covid 19, nuk e kanë bërë publike këtë informacion dhe vazhdojnë t`i kryejnë detyrat e tyre të punës duke i marr në qaf pacientët dhe qytetarët e Komunës së Tetovës me rrethinë.
  7. Në Strugë u mbajt një aktivitet fetar publik ortodoks për të cilin aktivitet nga zyrtarët thuhet se kanë marr leje prej ministrisë së punëve të brendshme që momentalisht drejtohet nga kuadri i VMRO-DPMNE-së. Edhe pse ai tubim madhështor ishte një rrezik potencial i shpërndarjes së kësaj sëmundjeje dhe aty nuk u respektua asnjë rekomandim i autoriteteve shtetërore, megjithatë deri më tani nuk është ndërmarr asnjë masë ndëshkuese ndaj atyre që kanë marr një vendim të këtillë.
  8. Në fshatin Hasanbeg të Shkupit banorët protestuan ndaj arrestimit të dy fshatarëve të tyre për shkak se e kanë shkelur orën policore. Në këtë protestë u arrestua edhe kryeredaktori i Gazetës Lajm, Isen Saliu edhe pse ka pasur leje për lëvizje edhe në orë policore. Nga burime gazetareske, arrestimi i Saliut nuk ka të bëje me protestën e përgjithshme, por është marr në pyetje krejtësisht për gjëra tjera. Si rezultat i kësaj proteste, qeveria u egërsua, ndërsa Prokuroria Themelore Publike e cila u bë shurdhmemece sa i përket ngjarjeve në Strugë, e kapi defterin dhe filloi të shpërndaj me të madhe dënime marramendëse për pjesëmarrësit.

Në të gjitha këto raste, si dhe në rastet të cilat nuk u përmendën këtu, fajtor kryesor për përhapjen e Covid 19 nuk janë qytetarët e thjeshtë, por autoritetet politike, institucionale dhe shëndetësore. Qytetarët e thjeshtë në këtë periudhë kanë vetëm një pyetje që po u sillet në kokë për t`ia adresuar autoriteteve shtetërore: A u bë mjaft me orën policore?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button