fbpx

Kosovë, gastronomia po “falimenton”, pandemia lë pa punë mbi 14 mijë persona

Sektori i gastronomisë llogaritet të jetë sektori që ka pësuar më së shumti humbje financiare që nga 13 marsi i këtij viti kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente për parandalimin e koronavirusit të ri.

Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë, (IETL) i themeluar nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka publikuar rezultatet e një hulumtimi në këtë sektor, para, gjatë dhe pas pandemisë.

Drejtoresha ekzekutive në këtë Institut, Besa Zogaj-Gashi, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se gjatë kohës së masave emergjente, nga të gjitha bizneset e anketuara, vetëm 2.3 për qind kanë zhvilluar veprimtarinë përmes shpërndarjes së ushqimit me një qarkullim simbolik monetar, kurse pjesa tjetër kanë deklaruar se gjatë këtyre muajve qarkullimi i tyre mujore ka pasur rënie në 100 për qind.

“Ne si institut kemi marrë dy sektorë të cilët janë goditur më së shumti dhe të cilët kanë rëndësi të madhe për ekonomi. Njëri hulumtim ka të bëjë me sektorin e Gastronomisë dhe tjetrin për sektorin e Patundshmërisë. Sa i përket Gastronomisë është bërë në bashkëpunim me shoqatën e Gastronomisë në Prishtinë, mostra është reprezentative, ka një shtrirje në të gjitha komunat dhe janë targetuar pronarët e restauruanteve, lokaleve të ndryshme, diskotekave dhe gjithë pjesët ushqimore”.

“Mostra është afro 192 përfaqësues që kanë plotësuar mostrën. Qëllimi është që të identifikohen sesa ka ndikuar pandemia në këtë sektor, sa ka ndikuar në likuiditetin e tyre. Në bazë të këtyre rezultateve, del se për shkak të masave të Qeverisë, rreth 97 për qind e tyre kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë qarkullim dhe kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre, dhe vetëm 2.3 për qind e ndërmarrjeve kanë pasur mundësi një aktivitet biznesor, apo t’iu ofrohet shërbime ushqimore përmes shpërndarjes”, ka thënë ajo.

Zogaj ka thënë se ky sektor ka qenë shumë i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, teksa thotë se kanë qenë të punësuar më shumë se 14 mijë punëtorë.

“Ky sektor ka pasur shumë rëndësi të madhe në ekonominë e Kosovës, sepse sipas rezultateve të anketës, të dhënat janë për vitin 2018. Kanë qenë të regjistruara afro katër mijë ndërmarrje në këtë sektor, që në një far mënyre nëse i përkthejmë në përqindje atëherë janë 10.4 për qind e ekonomisë. Po ashtu edhe një burim shumë i rëndësishëm i ekonomisë, pra afro 14 mijë punëtorë kanë qenë të punësuar me kontrata në këtë sektor dhe nëse i përkthejmë në përqindje, atëherë del 7.9 për qind e punësimit i kanë takuar sektorit të gastronomisë”, ka thënë ajo.

Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës të vazhdojë masat për lirime nga tatimet dhe subvencione për punëtorë, të ketë subvencione të drejtpërdrejta me kritere me të lehta për kualifikim si dhe subvencionim të qirasë edhe në muajt e ardhshëm për qiramarrësit.

“Gjatë kësaj periudhe ne kemi bërë edhe hulumtime se cilat janë praktikat e vendeve tjera, por gjithashtu duke iu përshtatur rrethanave tona, kemi dhënë disa rekomandime. Rekomandimi kryesor është që të vazhdohet me subvencionimi i pagave mirëpo të rritet shuma e pagesave për paga”, u shpreh Zogaj.

Në sektorin e gastronomisë, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës për vitin 2018, rezultojnë se punojnë rreth 14,000 qytetarë në 3,683 biznese të regjistruara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button