Serwer: Kosova mund të ballafaqohet me presion nga SHBA-ja për ta lejuar përfshirjen e Rusisë në dialog

Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, i vlerëson të rrezikshme sinjalet e fundit se Rusia mund të përfshihet në dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai pret që SHBA-ja të bëjë trysni mbi Kosovën në mënyrë që të lejojë përfshirjen e Rusisë në këtë proces, por sipas tij, kjo nuk duhet të lejohet nga zyrtarët në Prishtinë.

Në një përgjigje për KOHËN, Serwer, ka komentuar deklaratën e Dick Custinit, zëdhënësit të të dërguarit special të SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, i cili ka thënë se Rusia dhe kushdo tjetër që ka ide për paqe, stabilitet e prosperitet në Kosovë e Serbi, është i mirëseradhur. Custin iu referua deklaratës së ambasadorit të Rusisë në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, i cili tha se marrëveshja finale duhet të kalojë nëpërmjet Këshillit të Sigurisë të OKB-së, të miratohet një rezolutë e re që do të zëvendësonte atë 1244 dhe se Rusia do të përfshihet në proces nëse e kërkon Serbia.

“Kosova mund të ballafaqohet me presion të madh nga Shtetet Bashkuara të Amerikës për ta lejuar Rusinë të përfshihet në proces, siç mund të kuptohet nga deklarata e zyrës së Grenellit që tha se, ‘të gjithë janë të mirëseardhur’. Prishtina do të duhej të jetë e qartë dhe në mënyrë të pa ekuivokë për t’u përballur me një propozim katastrofal për ndarje”, ka theksuar Serwer.

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Kharcenkom ka thënë po ashtu se shkëmbimi i territoreve dhe idetë tjera “mund të vlerësohen vetëm nga Prishtina dhe Beogradi”. Sipas Serwerit, tema e shkëmbimit të territoreve i shkon për shtati Rusisë, e cila dëshiron të justifikojë aneksimin e Krimesë nga Ukraina dhe krijimin e “shteteve kukulla” përbrenda Gjeorgjisë e Moldavisë.

“Rusia duhet të përfshihet vetëm nëse Prishtina pajtohet, dhe kjo nuk duhet të ndodhë përderisa Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve aktual. Është e qartë se Rusia po kërkon një zgjidhje territoriale që do t’i ndihmojë në justifikimin e aneksimit të Krimesë dhe krijimin e shteteve kukulla në Osetinë e Jugut, Abhazi dhe Transnistri”, ka thënë Serwer për KOHËN.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button