Ekspertët paralajmërojnë kundër rihapjes së shpejtë të SHBA-së

Eksperti i sëmundjeve infektuese në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci ka thënë të martën para Kongresit se rihapja e parakohshme e ekonomisë amerikane mund të rezultojë me shpërthime tjera të koronavirusit, transmeton REL.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Sëmundje Infektuese dhe Alergji ka paralajmëruar një panel të Senatit amerikan se shtetet duhet të ndjekin rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë dhe të presin derisa të ulet numri i të infektuarve para rihapjes.

Në anën tjetër, presidenti amerikan, Donald Trump ka inkurajuar shtetet që t’iu japin fund masave tash e disa javë për mbyllje të ekonomisë.

“Nëse disa zona, qytete apo shtete, hapen para kohës, pa pasur kapacitetet që të përgjigjjen me efikasitet, shqetësimi im është se ne do të shohim shenja të vogla që mund të kthehen në shpërthime. Pasojat mund të jenë shumë serioze”, ka deklaruar ai.

Fauci, anëtar i task-forcës së Trumpit për koronavirus, i ka thënë Komitetit të Senatit për Shëndetësi, Edukim, Punësim dhe Pensione se përpjekjet për ta luftuar virusin vdekjeprurës duhet të “fokusohen në praktikat e vërtetuara të shëndetit publik për ndalim dhe zbehje” të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Fauci, 79-vjeçar ka raportuar nga dhoma e tij, pasi gjendet ne vetizolim, meqë mund të ketë qenë në kontakt me ndonjërin prej dy pjesëtarëve të stafit të Shtëpisë së Bardhë, që janë diagnostikuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton virusi.

Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi, pasi kanë raportuar mbi 1 milion të prekur dhe mbi 80,000 të vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton ky virus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button