fbpx

Sekrete dhe gënjeshtra: Fundi i mohuar i viktimave të komunizmit

I lirë pas 17 vitesh burg, Fatos Lubonja filloi të rrëmonte në të shkuarën.

Kërkonte të zbulonte se si në moshën 23-vjeçare pwrfundoi në katalogun e mjerë të komunizmit shqiptar: një i burgosur politik,  i reduktuar në një emër e një numër.

Zbulimi i së vërtetës e udhëhoqi prej arkivave të policisë sekrete, drejt e tek numëratori publik, ku gjeti një tjetër emër dhe numër, që ndrynte shpresën e një përgjigjeje.

“Ju e kuptoni pse u kam marrë. Dua t’u takoj”,-i tha Lubonja, pasi i ra numrit.  Burri nga ana tjetër heshti për disa sekonda, i bindur megjithatë se mund të fitonte veçse kohë. Ishte ish-agjenti i policisë sekrete që kish përgatitur dosjen për dënimin e Lubonjës. Emri i tij është Llambi Kote dhe e njihte publicistin, shumë më mirë se ç’njihej prej tij.

U takuan në katin e nëndheshëm të një lokali në Tiranë, në fundin e vitit 2010. Asokohe, ish i burgosuri ishte në të 60-at, ndërsa oficeri që i dha një dorë të mirë arrestimit të tij po shtynte të shtatëdhjetat.

Mes diktaturave komuniste të Europës Lindore, ajo e Shqipërisë ishte më e ngrata dhe e çuditshmja. Paralelisht me shtypjen e armiqve, lideri paranojak, Enver Hoxha ndaloi thuajse të gjitha kontaktet me vendet e tjera. Një grusht të huajsh vizituan Shqipërinë dhe vetëm pak shqiptarë u lejuan të udhëtonin jashtë.  

Brenda burgut të madh të vendit të tij, Hoxha krijoi ca të tjerë më të vegjël. Armiqtë e supozuar të shtetit u dërguan në këto kampe, të ndërtuara sipas modelit të gulakëve stalinianë. Të burgosurit u detyruan të punonin në projektet madhore të qeverisë, e shumë prej tyre vdiqën për shkak të kushteve të tmerrshme.

Rreth 200 mijë njerëz kaluan përmes këtyre kampeve. Në një shtet me 3 milionë banorë, thuajse një në 15 kishte një të afërm të burgosur apo të internuar nga komunistët.

Sot, vetëm 2700 ish-të burgosur janë ende gjallë. Të dëshpëruar  e të varfër, pjesa më e madhe e tyre kanë marrë vetëm një këst të kompensimit të premtuar nga qeveritë post-komuniste. Gjatë grevës së urisë në Tiranë, muajin e kaluar, dy ish-të burgosur politikë i vunë zjarrin vetes. Njëri prej tyre vdiq më pas nga djegiet.  

Të pasigurt për dëmshpërblimin, të mbijetuarit kanë kërkuar gjithashtu hapjen e sekreteve të pista të shtetit komunist, fshehur në arkivën e policisë së vjetër sekrete, Sigurimit. Deri më sot, shteti nuk e ka përmbushur apelin për hapjen e dosjeve.

Gjatë intervistave për Balkan Investigative Reporting Netëork, disa zyrtarë konfirmuan se një pjesë e mirë e dosjeve janë shkatërruar. Sipas tyre, ato që kanë mbijetuar nuk ka gjasë të shohin dritën e diellit, pasi janë ruajtur si karta loje në kapitalin politik të liderëve modernë të vendit.

“Thashethemet për ish-bashkëpunëtorët mes politikanëve kanë qarkulluar prej vitesh, por deri më tani, publiku shqiptar ka parë vetëm pak dosje”,-thotë Fatos Klosi, ish-shefi i policisë sekrete në vitin 1998.

“Kjo çështje është përdorur për shantazh politik, për të frikësuar ata që mund të frikësohen”.

Pas rënies së komunizmit, Shqipëria është dominuar nga dy parti: Demokratët dhe Socialistët. Të dyja palët kanë mbushur me premtime viktimat e komunizmit, ndërkohë që akuzojnë njëra-tjetrën për injorimin e kërkesave të tyre.

Në vend që të shfrytëzohej për paqtim, e shkuara e dhimbshme e Shqipërisë është kthyer në një instrument force për arenën politike.

Asgjësimi i dosjeve

Lubonja ishte në fillimet e një karriere premtuese si akademik, kur autoritetet zbuluan ditarët e tij sekretë, mbushur me pakënaqësi për regjimin e Hoxhës.

U dërgua në burgun famëkeq të Spaçit, ku edhe kaloi 4 muaj në një birucë të izoluar në shenjë proteste. Pas pesë vitesh burg, vuajtja e tij u zgjat me një dënim të ri për përfshirjen në një organizatë armiqësore brenda kampit. I burgosur në vitin 1974, Lubonja e pa veten të lirë vetëm kur komunizmi u shkërmoq, në vitin 1991.  

Në Shqipërinë e re, Lubonja bëri karrierë si publicist e shkrimtar, i trazuar megjithatë nga e shkuara e tij. Cili nga miqtë e tradhtoi? Ku kishin përfunduar ditarët e tij, të konfiskuar nga hetuesia?

Nga ajo rendezvous me ish-agjentin sekret në Tiranë,  Lubonja priste një mbyllje. Një fund që nuk mundi ta gjente. Kote u dredhonte dyshimeve të tij përmes pyetjeve të veta. Lubonja mbeti i shtangur prej faktit se sa pak në të vërtetë kishte ndryshuar.

“U tmerrova që ai kishte ende pushtet mbi mua,  jo unë mbi të.  Sepse ai dinte ç’kishte ndodhur, ndërsa unë kërkoja të dija”,-tregon Lubonja.

U ngrit i pashpresë prej takimit. Nopran dhe i paepur, Lubonja megjithatë ende habitet teksa i rikthehet dialogut me Koten. Ish-oficeri i shërbimit sekret mbrohej me vuajtjen e tij, se edhe ai u godit ca vite më vonë nga regjimi e iu desh t’i përvishej punës në një fabrikë.

“U përpoq të më bindte se ishim njësoj, të dy viktima të kohës sonë”,-thotë Lubonja.

Ideja se të gjithë vuajtën njësoj nën komunizëm dëshpëron ata që humbën më shumë se të tjerët.  Politika e shtetit kundrejt së shkuarës duket se e mbështet këtë ide,  pa qenë nevoja ta shprehë me fjalë.

Ish-të përndjekurve politikë iu premtua dëmshpërblim, por në fakt, trajtimi i tyre ka pasur pak ndryshim nga ai i qytetarëve të zakonshëm. Arkiva e Sigurimit, e cila do të duhej të zbulonte kush spiunoi kë gjatë komunizmit,  mbetet sot e gjithë ditën e mbyllur.

Një shembull tjetër, ai i Gjermanisë Lindore, ku u hapën dosjet e famëkeqit Stasi thuhet se ndihmoi shoqërinë e traumatizuar në adresimin e së shkuarës së vet.  Në Shqipëri, e shkuara mbetet kruspull nën rrogoz.

Arkiva origjinale mbante dokumentet e armiqve të dyshuar të shtetit. Shumë prej të dhënave për ta janë siguruar nga miqtë e ngushtë, të afërmit apo kolegët.

Nga qindra- mijëra dosje sekrete, të grumbulluara gjatë 45 viteve të diktaturës, zyrtarët pohojnë se kanë mbijetuar  rreth 14.000 të tilla. Shumë kanë humbur.  Një pjesë janë shkatërruar qëllimisht nga komunistët e fundit.

“Një pjesë e mirë dosjesh u asgjësuan në fillim të viteve ‘90”,-thotë  Kastriot Dervishi, drejtor i arkivës së Ministrisë së Brendshme që prej vitit 2005.

Përgjatë dekadës së kaluar, duket se arkivat u lanë në mëshirë të fatit. Ish-shefi i policisë sekrete, Klosi thotë se kur u emërua në detyrë,  në vitin 1998 zbuloi se një pjesë e madhe dosjesh ishin lënë të kalbeshin brenda disa thasëve.  

“Ne gjetëm dosje të hapura, me fletë të grisura e të shpërndara në dysheme”,-thotë ai.

Artikulli hulumtues është botuar në rrjetin hulumtues gazetaresk për Ballkanin BIRN.

Lajme të ngjashme

Back to top button