Në Tetovë me rrethinë ka gjithsej 56 raste aktive me virusin korona, Bogovina më e rrezikuar

Shtatë raste të reja me virusin korona janë regjistruar sot në Tetovë me rrethinë, kështu numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë rajon është 116, nga ky numër 50 persona janë shëruar ndërsa 10 kanë ndërruar jetë. Sipas kësaj, ky rajon ka gjithsej 56 raste aktive, shkruan Portalb.mk.

Sipas komunave reale, ky numër është si vijon:

  • Komuna e Tetovës 50 (2 kanë ndërruar jetë)
  • Komuna e Bogovinës 40 (5 kanë ndërruar jetë)
  • Komuna e Tearcës 6
  • Komuna e Bërvenicës 10 (1 ka ndërruar jetë)
  • Komuna e Jegunovcës 4
  • dhe Komuna Zhelinës 6 të infektuar (2 persona ka ndërruar jetë)

Marrë parasysh numrat e të infektuarve me atë të banorëve, Komuna e Bogovinës me gjithsej 40 persona të infektuar ngelet si një ndër komunat më të rrezikuara nga virusi korona në rajonin e pollogut.

Këtë rritje të numrave në Tetovë me rrethinë sipas institucioneve të qeverisjes lokale ka të bëje me faktin se qytetarët duhet të risin kujdesin dhe të respektojnë në përpikëshmëri masat parandaluese.

“Të vetëdijshëm që në vend ka filluar të mendohet dhe po bëhen plane operative për liberalizimin e masave restriktive, numrat e fundit të të infektuarve me COVID19 në komunën e Tetovës vazhdojnë të kenë një tendencë të rritjes e cila nuk duhet nënvlerësuar. Kjo rritje flet për faktin se qytetarët duhet të risin kujdesin dhe të respektojnë në përpikshmëri masat preventive për sa i përket ruajtjes së distancës fizike si dhe mbajtjes së maskave mbrojtëse” deklaruan nga Komuna e Tetovës.

Në izolim me vendim në Komunën e Tetovës janë gjithsej 33 persona, në vetizolim 27 kurse në karantinë shtetërore në Kodrën e Diellit aktualisht gjenden 116 persona.

Ndërkaq, nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB), Tetovë informojnë se në 24 orët e fundit urdhrin e ndalesës për lëvizje në këtë rajon nuk e kanë respektuar gjithsej 12 persona, me ç’rast të njëjtit janë privuar nga liria dhe ndaj tyre do të përgatiten parashtresa adekuate.

Nga ky sektor gjithashtu informuan se gjatë fundjavës janë bërë disa vërejtje me shkrim për mos mbajtje të maskave mbrojtëse kurse nga Komuna e Tetovës thanë që janë në përfundim të procesit së shpërndarjes derë më derë të pakove me maska mbrojtëse, doreza dhe fletushka informative për virusin korona.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë informoi se Instituti për Shëndet Publik ka regjistruar 22 të infektuar të ri me virusin korona, ndërkaq 64 të tjerë janë shëruar. Numri i të infektuarve gjithsej ka arritur në 1664, të shëruarve 1200, të vdekurve 91, ndërkaq për momentin në RMV ka 373 raste aktive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button