Sektori i turizmit në Maqedoninë e Veriut më i dëmtuar në këtë kohë, nuk përkrahet edhe nga shteti

Turizmi sot, kalon nëpër disa sfida. Edhe për kompanitë turistike në Maqedoni situata duket jo e mirë. Nëse vitet e kaluara rezervimet për festat në stinën e pranverës mbylleshin disa javë më herët, këtë vit kanë rënë thuajse në zero. Shumë rezervime të paketave turistike pezullohen, humbjet janë të mëdha, shkruan Portalb.mk.

Shoqatat turistike në Maqedoninë e Veriut, për këtë vit kishin parashikuar vizitorë nga shumë vende të botës, por me shfaqjen e pandemisë, në botë, të gjitha rezervimet janë anuluar. Humbjet janë të dukshme edhe në pagat e burimeve njerëzore, në veprimtarinë e turizmit.

“Gjendja është shqetësuese, sepse të gjitha aktivitetet janë të ndaluara. Nëse shikojmë në këndvështrim më të gjerë, të gjitha grupet vizitore nga vendet e jashtme janë anuluar, nuk ka asnjë shpallje për ditët në vazhdim, nuk di se çfarë do të ndodh. Pra, kemi dëmtime, madje edhe humbje qind për qind në udhëheqjen e turistëve dhe në përgjithësi në pagesën e punëtorëve. Sfidat në çfarëdo aspekt që ta marrim, ka barriera, qëllimi është që të mbijetojmë. Këtë vit vështirë është funksionimi i turizmit”, tha për Portalb.mk, Branko Bosillkov, kryetar i Shoqatës së Guidës Turistike dhe Shoqëruesve në Maqedoni.

Ndonëse shteti ka premtuar për përkrahje, për të përballuar krizën, në fushën e turizmit, vonesat nga ana e tyre janë të dukshme dhe nga Shoqata e Guidës Turistike dhe Shoqëruesve në Maqedoni, thonë se nëse nuk merren masa do të dalin me kumtesë se shkelet e drejta e tyre.

“Qeveria na ka premtuar se do të na përkrah financiarisht, me një shumë solide, mirëpo, megjithatë këto ditë na është kumtuar lajmi se nuk do të përkrah. Për këtë ne kemi lëshuar një letër, ku edhe presim përgjigje, për të na mbështetur, në të kundërtën detyrohemi të dalim me një pres-konferencë, që t’i shpalosim edhe ne qëndrimet tona, për dëmtimet në sektorin e turizmit, në vendin tonë”, tha Bosillkov.

Korona, virus, qyteti, shkup, qytetar, maska

Gjendje vështirësie kanë edhe vendet e tjera turistike në shtet, ku edhe kanë refuzuar rezervimet shumë turistë brenda dhe jashtë vendit.

“Asgjë nuk funksionon, është e bllokuar krejtësisht. Ne më herët kemi pasur turistë jo vetëm brenda vendit, nga rajoni, por edhe nga jashtë si Polonia, Franca, Gjermania, etj, ku edhe i kemi udhëhequr në drejtim të malit Sharr dhe rrethinën e vendit. Përmes agjencisë sonë i kemi mbartur turistët në vende të caktuara nga aeroporti i Shkupit. Të huajt rezervimet i bëjnë që në muajin nëntor, për të shfrytëzuar bukurinë e pranverës dhe verës, në viset e natyrës tonë”, thanë nga Shoqata Turistike “Turizmi malor në Malësinë e Tetovës”.

Humbjet për personelin e turizmit, për shkak të mos lëvizjes së turistëve janë të mëdha dhe për t’i mbuluar ato do të duhet përkrahje.

“Agjenda për vizitorët është shëtitja dhe rrëfimi i historisë së anëve tona, po ashtu dhe ushqimet tradicionale që ofrohen nga ana e restoranteve në pikat turistike. Kjo veprimtari është zinxhir, fitojmë ne, fitojnë edhe restorantet edhe turistët, por në këtë rast kemi humbje gjithëpërfshirëse. Pikërisht për këtë qëllim ne nuk kemi asnjë mbështetje nga palët e interesuara, respektivisht nga shteti. Shpresojmë që e ardhmja do të jetë më e mirë, për ne dhe për vizitorët dhe në përgjithësi për sektorin e turizmit”, tha Shoqata e turizmit malor.

Vitet paraprake numri i turistëve në Maqedoni ishte në rritje rapide. Numri i turistëve në muajin mars të vitit 2019 në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar është rritur për 1.8 për qind ndërsa numri i bujtjeve është rritur për 3.8 për qind.

Këtë vit sipas Entit Statistikor, numri i turistëve në shkurt të vitit 2020, në krahasim me shkurtin 2019, u rrit me 8.3%, dhe numri i bujtjeve u rrit me 3.4%, ndërsa për muajt në vazhdim ka rënie totale, siç kumton sektori turistik.

Vizitorët, përmes sektorit të turizmit, informohen mbi bukuritë natyrore të vendit tonë, prandaj do të duhet t’i kushtohet vëmendje të madhe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button