Myftiu i Shkupit: Nënpunësit fetarë janë trajnuar për mbajtjen e rendit nëpër xhami, xhemati duhet t’i zbatojë disa rregulla

Besimtarët mysliman, të cilët nga nesër, do të kryejnë obligimet fetare nëpër xhami, do të duhet t’iu nënshtrohen rregullave dhe masave për parandalim të përhapjes së virusit korona. Mbajtja e maskave, sexhades personale, dezinfektimi para hyrjes në xhami dhe mbajtja e distancës, janë disa nga rregullat që ka vendosur BFI, për besimtarët që obligimet fetare do t’i kryejnë nëpër xhami.

Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, tha për Portalb.mk se, nëpër xhami do të ndërmerren të gjitha masat që rekomandohen nga institucionet shëndetësore. Ai tha se në lidhje me këtë, sot u kanë mbajtur një trajnim këshillave të xhamive dhe nëpunësve fetar, me ç’rast nëpunësi fetar është i obliguar që të udhëheqë xhematin dhe do të orientojë atë brenda xhamisë, kurse këshilli i xhamisë do të aplikojë të gjitha këto vendime të cilat i ka ndërmarrë BFI.

“Bashkësia Fetare Islame ka përgatitur një protokoll të veçantë që gjithë myftinitë, gjatë ditës së djeshëm dhe të sotme, të përgatiten për realizimin e protokollit. I kemi ndarë në dy pjesë, pjesa e parë që ka të bëjë me përgatitjen e hapësirave të xhamive, pjesën e jashtme dhe të brendshme, nga ana e nëpunësve fetar dhe nga ana e këshillave të xhamive, të cilët sot realizojnë trajnim se si duhet të mbyllen shatërvanët, të mbyllen abdes’hanet, se si duhet të adaptohet pjesa e jashtme të xhamisë, ku duhet të vendosin pikat orientuese që të mbajnë distancën  sociale”, deklaroi Ismaili.

BFI

Ai po ashtu tha se kanë përgatitur edhe udhëzime për besimtarët, të cilat do të vendosen në dyert e xhamive dhe në formë të fletushkave do t’u shpërndahen njerëzve.

“Do të përgatitet edhe një spot ilustrues, ku ne do të vetëdijësojmë qytetarët gjatë kësaj periudhe se si të sillen në xhami, aty paraqesim personat që kanë simptoma gripi të qëndrojmë në shtëpi dhe mos të vijnë në xhami, abdesi duhet të marrin në shtëpi, dhe të marrin sexhade dhe tespi personal. Obligohet të mbahen maska në xhami, edhe pse aty do të qëndrohet shumë shkurt, maksimumi 5 -10 min, dezinfektues në çdo xhami i cili duhet të përdoret gjatë hyrjes, të falen aty ku do t’ju caktohet paraprakisht vendi që duhet të kryejnë obligimin fetar, të mbajnë distancë fizike edhe jashtë xhamisë, mos të përshëndeten me kontakt fizik dhe mos të qëndrojnë në grupe”, theksoi Ismaili.

Rregullat dhe masat për mbrojtje nga COVID - 19
Rregullat dhe masat për mbrojtje nga COVID – 19

Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, ka sjellë vendim që nga data 12 maj t’i hap xhamitë për besimtarët, për të kryer obligimet fetare kolektive, të cilat paraprakisht ishin mbyllur përkohësisht, për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të virusit korona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button