Komuna Saraj nuk por arrin t’i mbulojë gropat (Foto)

Infrastruktura dhe kanalizimi vazhdojnë të mbeten problemet kyçe të lagjes Saraj të Shkupit. Këto janë gjërat elementare të cilat u mungojnë banorëve të kësaj ane në shekullin 21.

Anketa të cilën realizuam me banorët e kësaj ane, por edhe fotografitë të cilët arriti ti sigurojë Portalb nuk duan shumë fjalë.

‘Problemet me të cilat ne si qytetare të komunës së Sarajit ballafaqohemi janë të shumta, duke filluar nga ato infrastrukturore ku ende kemi mungesë të kushteve elementare si rrugë, kanalizime, problemeve me ndriçimin rrugore, si dhe te gjitha fshatrat e tjera ne përjashtim të Sarajit kanë probleme me transportin publik ku linjat e autobusit janë shumë të rralla. Përpos këtyre problemeve, Komuna e Sarajit edhe pse numëron afër 35000 banor ajo nuk disponon me asnjë shkollë të mesme dhe për këtë nxënësit e komunës së Sarajit detyrohen të bëjnë udhëtime në relacione deri ne 20 km për çdo ditë vetëm për të ndjekur mësimet e tyre. Të rinjtë janë të anashkaluar tërësisht nga komuna saqë nuk po behet asnjë aktivitet për ta edhe pse kjo komunë disponon me disa hapësira rekreative-sportive ( si parku i sarajit, Matka, liqeni Treska) shumë të mira ajo deri më tani nuk ka bere asnjë aktivitet as sportiv as kulturor’ tha Besir Shabani.

‘Rrugët e lagjes janë në gjendje katastrofale, lere që dëmtohen veturat, gjatë lëvizjes, por edhe kur jemi duke ecur në këmbe, për shembull tani me prishjen e kohës, kemi shi dhe balta është gjithkah mezi arrijmë aty ku duhet të shkojmë, se bëhemi gjithë baltë, për shembull ky është problem me të cilin ballafaqohem unë personalisht për çdo ditë’ thotë Besarta Xhoni.

‘Saraji në përgjithësi është mirë i rregulluar por ka shumë rrugë pa asfalt e sidomos para ndërtesës së komunës ku mund të gjejmë gropa të mëdha me lloç. Saraji me një kohë kur ishte nën udhëheqjen e PDSH-s ishte një nder komunat më të suksesshme në Maqedoni po atëherë u ndërtuan shumë rrugë e rrugica, u ndërtua Sheshi në qendër të Sarajit u bë investim te parku i Sarajit, kanalizime etj. Tani jemi duke jetuar në një gjendje jo të lakmueshme sepse premtimet nuk u realizuan, ndërtesa e Komunës nuk është askund, shkollë te mesme nuk ka, thanë kinse do e bien fakultetin e UEJL-së edhe kjo dështoj’ tha Ilhan Mamuti.

Një student tjetër e fakultetit të mjekësisë në Tetovë, thotë se ‘Sigurisht se në lagjen tonë përveç problemeve të infrastrukturës dhe kanalizimit ka edhe problem tjera, për shembull, kishte paralajmërim se do të transferohet USHT-ja në Saraj, më saktë ajo që më interesonte mua ishte fakulteti i mjekësisë, kështu ishte parapa që ta sjellin në Saraj, por kjo ende nuk ka ndodhur, mbetet një premtim i kotë’ thotë një studente në fakultetin e mjekësisë Tetovë.

‘Rrugët i kemi në gjendje të mjerueshme, është mëkat të vozis me veturë kështu, çdo ditë më dëmtohet ndonjë pjesë e veturës’ thotë I. Memeti, banor i Sarajit.

‘Kemi shumë probleme, për shembull me kanalizimin, gjysma e lagjes nuk ka kanalizim atmosferik. Edhe ata që kanë e kanë bërë me vetë iniciativë, jo që Komuna ka ndërmarrë diçka, kemi dhënë para vetë dhe e kemi realizuar këtë projekt. Për shembull rruga numër 10 nuk ka kanalizim pasi nuk kishin mundësi të kyçen në projekt për shkak se s’kishin të holla ta paguajnë. Pasi e bëmë kanalizimin, Komuna as që ka ardhur të meremetojë rrugët të cilët u dëmtuan gjatë instalimit të kanalizimit’ tha Arben Gj./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button