TOP 5 dezinformatat në gjuhën shqipe lidhur me COVID-19

Lista e 5 dezinformatave më të shpërndara në mediat në gjuhën shqipe

Shkruan: Dren Gërguri

Në muajt mars-prill, shumë dezinformata të ndryshme u shpërndanë në mediat sociale. Në këtë artikull do t’ju prezantojmë top 5 dezinformatat në gjuhën shqipe lidhur me pandeminë, COVID-19. Në postimet publike në Facebook, dezinformata që pati angazhim apo interaktivitet më të madh me publikun, me mbi 12 mijë, ishte ajo me mjekun amerikan, Rashid Buttar.

Top 5 Dezinformatat në mediat në guhën shqipe

 

(1) – Doktori amerikan trondit botën, tregon të vërtetën e virusit korona (interaktiviteti: 12,423)

Më 16 prill ishte publikuar një video në YouTube që sugjeronte se koronavirusi është një karrem për të detyruar injektimin e “vaksinës së detyrueshme” dhe të mikroçipëve te njerëzit. Kjo video grumbulloi shpejt miliona shikime, përkundër premtimit të YouTube për të luftuar dezinformimin që ndërlidhet me COVID-19. Videoja ishte publikuar nga The Next News Network, kanal në YouTube, që merret me teori konspirative dhe njihet për publikimin e informacioneve të dyshimta dhe të pavërteta. Për vetëm katër ditë, videoja kishte kaluar shifrën prej 4 milionë shikimeve. Kjo video me intervistën e Dr. Rashid Buttar, që në një raportim të HuffingtonPost, u prezantua si osteopat i diskredituar gjerësisht, ishte bërë lajm edhe në mediat tona. Media të ndryshme në gjuhën shqipe kishin raportuar për këtë intervistë, duke e titulluar “Doktori amerikan trondit botën, tregon të vërtetën e Koronavirusit: Nuk ka vdekur asnjë, janë manipulime, me vaksinën do na vrasin”. Videoja u bë virale shumë shpejt edhe te ne, duke arritur mijëra shpërndarje në Facebook.

(2) – Diçka po zihet! 40 mijë forca speciale amerikane zbarkojnë në vendet e BE, përreth Ballkanit! (interaktiviteti: 6,170)

Virale u bë edhe dezinformata sipas së cilës, forca speciale amerikane kishin zbarkuar në Evropë si pasojë e gjoja një tensionimi të raporteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Rusinë dhe virusi korona është përdorë vetëm si shpërqendrim i vëmendjes për qytetarët në mbarë botën. Gjithashtu, në këtë dezinformatë ngriheshin dilemat rreth ekzistimit të një vaksine dhe se virusi nuk ishte aq i rrezikshëm. Kjo dezinformatë është paraqitur me tituj sensacional nëpër disa media në gjuhën shqipe, si, “Diçka po zihet! 40.000 forca speciale amerikane zbarkojnë në vendet e BE, përreth ballkanit!”, “Marrëdhënie të ashpra me Rusinë, 20.000 ushtarë amerikanë “zbarkojnë” në Evropë” dhe “’Të frenojmë Rusinë!’ Avionët luftarakë amerikanë ‘zbarkojnë’ në Europë”.

(3) – Një mjek Japonez, ja se si të kuptoni nëse jeni të prekur apo jo nga COVID-19. (interaktiviteti: 6,085)

Një tjetër dezinformatë virale ishte këshillë për ta kuptuar në pak sekonda nëse jeni të infektuar nga virusi, COVID-19. “Mbaje frymën për më shumë se 10 sekonda. Nëse arrin ta bësh këtë pa u kollitur ose pa shfaqur shenja ankthi apo shtrëngime në gjoks, atëherë nuk je i prekur” thuhej në informacionin e shpërndarë, që ishte thjesht dezinformatë, sepse asnjë institucion shëndetësor nuk e kishte konfirmuar këtë formë për të testuar infektimin nga virusi.

(4) – Kura për virusin C19 ose mënyra për ta eleminuar atë. (interaktiviteti: 4,330)

Një tjetër dezinformatë virale ishte këshilla e gabuar, kinse mjekësore, për “zbulimin” e kurës për t’u shëruar nga COVID-19. “Receta është e thjeshtë-Limon dhe Bikarbonat, përziejini dhe pijeni si çaj të nxehtë …”, thuhej ndër të tjera në mesazhin e shpërndarë. Mirëpo, Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte sqaruar se nuk ka ende medikament farmaceutik apo produkt që mund ta shërojë virusin korona.

(5) – Videoja e shoferit të autobusit: Njerëzit po vriten qëllimisht, nuk po vdesin nga virusi korona (interaktiviteti: 4,268)

Videoja dezinformuese e një shoferi të autobusit ishte bërë gjithashtu virale në internet. Një person, shofer autobusi, kishte shpërndarë një video ku tregonte se kinse në një qytet të Britanisë së Madhe, njerëzit po vriten qëllimisht dhe nuk po vdesin nga virusi korona. Ai u bënte apel njerëzve që të mos të pranojnë të shtrohen në spital.

SI TË MBROHEMI NGA DEZINFORMATAT:

Infodemia është ‘sëmundja’ e informacioneve të pa verifikuara që plasohen te publiku dhe, ky virus mund të bartet nga një person te tjetri, sa hapë e mbyllë sytë. “Pastroni duart shpesh”, gjithsesi, por edhe të gjykojmë çdo informacion që marrim dhe para se ta shpërndajmë, t’ia bëjmë vetes së paku tri pyetje, që janë “vaksina” më e mirë kundër infodemisë: A është burimi i besueshëm?, a është raportuar ky lajm edhe në një media tjetër?, dhe, a mbështetet në burime zyrtare? Pra, për pandeminë e virusit korona ende nuk është gjetur vaksina, mirëpo për infodeminë tashmë e kemi “vaksinën”, mjafton të jemi të kujdesshëm dhe të “vaksinohemi” me pyetjet e lartpërmendura për t’u mbrojtur nga infodemia.

Vaksina kundër “infodemisë”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button