Kurti: Nuk është momenti që ta kthejmë mbrapsht progresin e shënuar kundër COVID-19

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti thotë se Kosova ka arritur të ulë dukshëm lakoren e koronavirusit, duke shtuar se në 13 ditët e fundit, në vend janë regjistruar më shumë raste të të shëruarve se të infektimeve të reja, shkruan REL.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e autoriteteve shëndetësore, me qëllim, që siç tha ai, të arrihet “fitorja e shumëpritur” kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

“Nuk është momenti për ta kthyer mbrapsht gjithë progresin e shënuar. Le të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të arritur deri në këtë pikë. Jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij”, ka shkruar Kurti.

Në Kosovë janë shënuar 880 raste me koronavirus, ku 653 prej pacientëve janë shëruar dhe 28 kanë vdekur.

Nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit. Qytetarët kanë të drejtë që të dalin çdo ditë për një orë e gjysmë – 90 minuta paradite dhe 90 të tjera pasdite. Orari i qarkullimit është i ndarë në grupe dhe është i rregulluar në bazë të numrit të parafundit personal në letërnjoftim.

Në fazën e parë – që ka nisur më 4 maj dhe do të jetë deri më 18 maj – është lejuar hapja e disa bizneseve si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.

Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.

Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button