Osmani: Shteti të përgatisë masa për mbrojtje gjatë riteve fetare, ndërsa bashkësitë fetare t’i respektojnë masat

Zëvendëskryetari i Qeverisë i obliguar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, si koordinator kryesor i shtabeve të krizës të njësiteve të vetëqeverisjes lokale për mbrojtje nga Kovid-19 sot nga Struga theksoi se shteti po përpiqet të gjejë mënyrë të kthehet gjendja në shoqëri në një normalitet të ri, ndërsa njëherësh t’u mundësohet besimtarëve t’i praktikojnë nevojat e tyre, duke i respektuar masat mbrojtëse, njofton Portalb.mk.

Për Liturgjinë e mbajtur në Strugë, Osmani tha se bëhet fjalë për ngjarje që në dukje ka qenë kanosje e drejtpërdrejtë e strategjisë shtetërore për luftë kundër pandemisë, me mundësi për rrezikimin e shëndetit të besimtarëve të cilët kanë marrë pjesë, por edhe të shëndetit kolektiv dhe politikave që sa më parë të dilet nga kjo gjendje.

“Nuk jemi këtu për të identifikuar përgjegjësi, atë e bëjnë institucionet e tjera, këtu jemi për të biseduar se si të kthehemi në normalitetin e ri që ngadalë duhet ta arrijmë pas pandemisë. Njëherësh ta ruajmë shëndetin që t’u mundësojmë besimtarëve t’i kryejnë lutjet e tyre”, tha Osmani pas takimit me përfaqësuesit e Shtabit të krizave në komunën e Strugës në të cilën morën pjesë edhe kryetari i saj Ramiz Merko,

Ai theksoi se kjo nuk është e lehtë pasi grupimi, afrimi janë esencë e lutjeve fetare, por duhet të gjendet mënyrë se si të mundësohet praktikimi i lutjeve fetare por edhe të kujdesemi për shëndetin, duke i respektuar rekomandimet e institucioneve.

“Besimtarët nuk janë kriminelë, nevoja e tyre për kthimin e lidhjes me fenë nuk është krim. Shteti obligohet të përgatisë një paketë masash ndërsa bashkësitë fetare t’i respektojnë. Mbase është dashur edhe koordinim më i mirë i bashkësive fetare me shtetin në kohën kur janë sjellë vendime të caktuara, por realiteti tani është i tillë, vendimi është sjellë duke iu përshtatur situatës. Detyrë e imja është të jem në bashkëpunim të afërt me të gjitha bashkësitë fetare, që të mund ta mbrojmë shëndetin e njerëzve gjatë lutjeve fetare”, tha Osmani.

Sa u takon pritshmërive për uljen e masave restriktive, ai sqaroi se vendimi do të merret në pajtim me parametrat e caktuara në mënyrë të saktë, ndërsa sipas kalkulimeve politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button