Spanja regjistroi numrin më të ulët të viktimave nga COVID-19 prej gati 2 muajsh

Spanja sot konfirmoi 143 viktima të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19), që paraqet shifrën më të ulët të rritjes ditore të numrit të të vdekurve prej gati dy muajsh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se bilanci i përgjithshëm i të vdekurve në Spanjë ka shkuar në 26.621.

Pas 179 viktimave të raportuara dje, sot vendi ka regjistruar 143 sosh, që është rritja më e ulët ditore nga 18 marsi.

Ndërkaq, numri i rasteve, të cilat regjistrohen sipas testeve PCR, ka arritur në 224.390, me një rritje prej 621 rastesh në 24 orët e fundit.

Sipas ministrisë, bilanci i të shëruarve është rritur për më shumë se 2.000 në 24 orët e kaluara, për të shkuar në 133.166.

Madridi mbetet rajoni më i prekur në Spanjë, me 8.644 të vdekur dhe 41.559 raste.

Një pjesë e Spanjës do të fillojë të lehtësojë masat kufizuese të hënën.

Në rreth gjysmën e vendit, e cila ka përmbushur kriteret e nevojshme shëndetësore dhe epidemiologjike për lehtësimin e masave, do të lejohet hapja e dyqaneve të vogla, tarracave dhe restoranteve në natyrë të hapur të hënën për herë të parë pas gati dy muajve. Gjithashtu, do të lejohet takimi i grupeve deri në 10 persona.

Banorët e rajoneve si Madridi, Barcelona dhe Valencia do të duhet të presin të paktën një javë tjetër përpara se të mund të ndërmarrin këtë hap.

Vendi e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave në transportin publik, por fuqimisht rekomandon që njerëzit t’i mbajnë ato kudo ku nuk mund të mbahen dy metra distancë midis njerëzve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button