PEMË DHE DRU

Pema dhe druri në gjuhën shqipe janë dy gjera. Po ta shohim se çfarë thotë fjalori për këto dy fjalë:

 DRU, m 1.  Bimë shumëvjeçare me trung të trashë, të fortë e me degë të shumta që dalin në një farë lartësie nga toka; Dru i madh (i vogël, i lartë …). Dru i vjetër (i ri). Dru halor (gjethor). Dru zbukurues. Trungu i drurit. Rrënjët (degët, gjethet, lëvorja,) e drurit. Mbjellja (rritja) e drurëve. Hipi në dru. (Nuk e ka një shpjegim që duhet ta ketë: bimë shumëvjeçare me trung, degë e rrënjë), 2. Lënda e fortë nën lëvoren, që përbën pjesën kryesore të trungut e të degëve të trasha të këtyre bimëve; trungu dhe degët e tyre, që përdoren si lëndë ndërtimi ose për të bërë orendi, sende të ndryshme etj. Dru i fortë (i butë). Dru i bardhë (i kuqërremtë). Dru i kalbur. Dru i gdhendur. Dru pishe (arre, bushi, аhu). Lëndë druri.

Tash ta shohim si e shpjegon pemën dhe pemishten:

PEMË f. 1. Dru zakonisht i butë, fryti i të cilit hahet, dru frutor; fryti i këtij druri, zakonisht në trajtë kokrrash me madhësi e me ngjyra të ndryshme, me tul e me lëng të ushqyeshëm. Pemë të freskëta (të thata, të ëmbla). Pemë të bëra (të pabëra). Lëng (pekmez, shurup, pelte, reçel) pemësh. Lëvozhgë peme. Mbjellin pemë. Sivjet pemët kanë bërë shumë. Bleu dy kilogramë pemë. Njeriu që vetëm për vete punon, është si dru që pemë s’lëshon.

Natyrisht shpjegimet e këtij fjalori kanë mangësi, të cilat janë hequr nga këto shpjegime të dhëna më lart, por, sidoqoftë e bëjnë dallimin midis  drurit dhe pemës. Ashtu duhet për shkak se këto janë dy kuptime të ndryshme. Mos të përsëritemi duke i dhënë shembujt e fjalorit, por duhet ta shprehim habinë tonë pse në komunikimin mediatik fjala dru sikur po ndiqet, sikur po hidhet në harresë e në vend të saj vjen fjala pemë, të cilën e ngarkojnë me një barrë të rëndë mbi vete, një barrë që s’e ka borxh ta mbajë. Keq. Sepse fjala pemë e ka funksionin e vet, druri të vetin. Kështu gazetari ose kushdoqoftë duke bërë një shkrim për ahishtat ose pishnajat thotë: askush nuk kujdeset për këto pemë. Çudi, kush e di se çfarë frytesh kanë këto “pemë”? Sipas kësaj duhet të kërkojmë te pemëshitësi fryte ahu ose pishe? Po kush i di këto fryte? A i ka provuar dikush ato? Natyrisht se jo, sepse as ahu e ash pisha nuk janë pemë, po janë druj (drunj). E, pema është një huazim nga latinishtja, si shumë huazime të tjera: Lat. Pomum, – pemë, dru frytdhënës. Këtij huazimi populli i ka dhënë cilësitë e veta fonetike për arsye që duhen studiuar. Sidoqoftë, pemët janë: molla, dardha, qershia, kumbulla, thana, arra, lajthia, fiku, limoni, portokalli etj.

Pemët janë sinonim i fryteve. Pemët i vjelim (i mbledhim) dhe na shërbejnë si ushqim. Pemë me bërthama e me fara, pemë dredhëzore, pemë tropike, pemë mali (të egra). Po a vilen drunjtë: pisha ahu, vidhi, frashri etj.?

Nga fjala pemë është formuar fjala pemishte (një vend, shpesh i rrethuar me gardh apo rrethojë për kultivimin e pemëve). E ka edhe fjalori: Tokë a ngastër e mbjellë me drunj frutorë, pemëtore. Mos ta harrojmë patronimin Dardhishta, që vjen nga një kopsht me dardha.Mirëpo në fjalor nuk kemi drunishte, për shkak se ndër drunj nuk kemi se çfarë të vjelim. Drunjtë nuk janë pemë, ndonëse pema  trungun dhe degët i ka të drunjta. Pra pema është dru, po druri nuk është pemë. Tjetër është kalku pemëshitës e krejtësisht tjetër kalku drushitës.

Jo rrallë na bie të dëgjojmë: pemët e parkut për drunjtë e parkut, pastaj pema e vitit të ri ose pema e kërshëndellave në vend se ta përdorim për së mbari bredhi i vitit të ri e kështu me radhë.

Janë këto, ndoshta, cikërrima që flasin se mediat që duhet ta përhapin për së mbari lajmin nuk e respektojnë gjuhën. Nuk e respektojnë aq sa duhet edhe arsimtarët. Më së paku e respekton gjuhën shteti shqiptar bashkë me institucionet e tij dhe institucionet ku flitet gjuha shqipe e ku duhet të jetë e mbrojtur me ligj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button