Ish-ushtarët e UÇK-së riveshin uniformën

Kur janë bërë 14 vjet nga përfundimi i luftës, ish-pjestarët e UÇK-së veshën sërish uniformën e ushtrisë. Por këtë herë jo për ndonjë mision ushtarak, por në protestë kundër arrestimit të ish-komandantit të UÇK-së Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të tij. 

Ditë më parë gjyqtari i EULEX-it caktoi masën e paraburgimit për Fatmir Limajn, Naser Shalën, Nexhmi Krasniqin dhe Naser Krasniqin, të pandehur në rastin “Kleçka”. 

Protestuesit e sotëm thonë se ky vendim njollos luftën e UÇK-së, është tendencioz dhe për të kënaqur orekset e Beogradit. 

“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër, për të mbrojtur dhe çliruar vendin. Kjo luftë është e njohur ndërkombëtarisht dhe veprimet e EULEX-it janë një tentativë për ta njollosur atë dhe për të dëmtuar kombin shqiptar në përgjithësi”, deklaroi Rrahman Ramadani, ish-ushtar i UÇK-së, brigada 153. 

Protestuesit mbanin në duar flamurin kombëtar me emblemen e UÇK-së, ndërsa në pankarta dominonin frazat “Liri për çlirimtarët” dhe “Lufta jonë është e shenjtë”. 

Përfaqësuesit e shoqatava të dala nga lufta kërkuan nga institucionet e Kosovës që të rishikojnë mandatin e EULEX-it në Kosovë. 

Muharrem Xhemajli tha se vendimi i Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy të tjereve ka treguar se lufta e UÇK-së është e drejtë dhe sipas tij nuk ka nevoje për proçese të tjera kundër luftëtarëve të saj. 

“Vendimi i përcaktimit të masës së paraburgimit është i pabazuar në ligj, tendencioz dhe për të kënaqur orekset e Beogradit. Fatmiri me shokë gjithmonë kanë qenë të gatshëm të ballafaqohen me të keqen. Ne asnjëherë nuk u pajtuam me këto veprime anti shqiptare të EULEX-it dhe konsiderojmë që ky mision është i pavlefshëm”, deklaroi Xhemajli. 

Pas një orë qëndrimi në qendër të Prishtinës, pranë selsië së EULEX-it, protestuesit u shpërndanë të qetë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button