fbpx

SHBA gati të sulmojë Sirinë

Trupat amerikane po mblidhen pranë kufirit me Sirinë, pasi një zyrtar i lartë i SHBA-ve konfirmoi se regjimi sirian dëshiron të përdorë armët kimike.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, po i bënë gati armët kimike dhe me to synon ta shtypë kryengritjen e cila po zgjatë që një vit kundër tij. Këtë e pohoi një zyrtar i paemëruar amerikan, vetëm dy ditë pasi presidenti Barack Obama e paralajmëroi Assadin që të mos përdorë mjete drastike kundër popullit të vet, meqë pastaj do të përballet me pasojat.

Në të njëjtën kohë, përgjatë kufijve të Sirisë tashmë janë dërguar më shumë se 10 mijë ushtarë amerikanë, të shoqëruar nga tetë transportues të avionëve, të cilat po cilësohen si përgatitje për pushtimin e atij vendi.

Një burim i lartë amerikan tha se ushtria siriane i ka mbushur bombat me gazin vdekjeprurës nervor – sarinin. Tash ata kanë një afat prej 60 ditësh për t’i përdorur, meqë pas kësaj periudhe substanca e rrezikshme nisë të tretet dhe ajo duhet të shkatërrohet. Sipas zyrtarëve, regjimi sirian ende nuk i ka mbushur bombat e aeroplanëve, mirëpo pritet urdhri.

Përndryshe, gazi sarin (i cili është përdorur nga regjimi serb edhe kundër nxënësve shqiptarë, në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar – v.j.), mund të përdoret në disa mënyra, por supozohet se sirianët e kanë vendosur në kuti të veçanta bombe që shpërthejnë pasi hidhen pas aeroplanit.

“Ne besojmë se gazi do të shpërndahet si sprej në tokë”, ka thënë zyrtari amerikan.

Akuzat e tilla kanë nxitur reagime të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar, i cili kërcënoi Sirinë që të mos mendojë të përdorë armët kimike, se përndryshe NATO do të ndërhyjë.

Në anën tjetër, Zëvendësministri i Jashtëm sirian, Faisal Mekdad, ka akuzuar SHBA-të dhe Evropën se po e përdorin çështjen e armëve kimike si një justifikim për sulmet e ardhshme në Siri, duke theksuar se ndërhyrja do të ishte një katastrofë.

Më parë në këtë javë, NATO ra dakord që përgjatë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë të instalojë sistemin raketor “Patriot”. Meqë gjatë konfliktit në Siri janë vrarë më shumë se 40 mijë njerëz, disa projektile kanë përfunduar në territorin turk. Andaj, ky shtet është i shqetësuar veçanërisht në lidhje me armët kimike të Sirisë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button