William Byrdi dhe muzika e tij në izolim

Katër shekuj më parë, kompozitori anglez William Byrd u ballafaqua me një shtrëngicë çuditërisht të ngjashme me atë që sot shumë artistë po e gjejnë veten teksa detyrohen të punojnë në izolim. Nuk ishte ndonjë pandemi globale që e shtrëngoi atë të futej në izolim në periferinë e Essexit, por feja e tij, transmeton Koha.net.

Një katolik i devotshëm që jetonte në Anglinë e pas-Reformës, një kohë kur papistëve iu hiqej koka, digjeshin për së gjalli apo vareshin, Byrdi (1540-1623) nuk mund të ushtronte besimin e tij në publik. Akti i Njëshmërisë i vitit 1559 ndalonte kremtimin e liturgjisë katolike në Angli, që nënkuptonte se shumë prej prurjeve të tij artistike – domethënë muzika me tekste në latinisht – u ngjiz dhe u performua fillimisht fshehurazi. Me gjithë paralajmërimet lemeritëse, Byrdi dhe katolikët e tjerë vazhduan të kremtonin meshën, me muzikë shpesh në zemër të këtyre tubimeve pas dyerve të mbyllura. Sir John Petre, koleg e patron i Byrdit, mbante shërbime klandestine prej shtëpisë së tij, Ingatestone Hall, që është në këmbë edhe sot.

Një përshkrim i kohës mbi një tubim të tillë, të mbajtur në korrik të vitit 1586, në kremtim të arritjes nga Roma të misionarëve katolikë Henry Garnet dhe Robert Southwell, shkruan: “Një shtëpi e kompani e hijshme…zotëria ishte edhe muzikant i zoti dhe kishte një organo e vegla të tjera muzikore, si dhe koristë, meshkuj e femra, anëtarë të shtëpisë së tij. Gjatë atyre ditëve dukej sikur ne po kremtonim një oktavë të pandërprerë të një darke të madhe. Zoti Byrd, muzikanti dhe organisti me nam anglez, ishte mes kompanisë…” Petre gjithashtu strehonte katolikë të përndjekur dhe Ingatestone përmban dy dalje të fshehta, “vrima priftërinjsh”, të ndërtuara në muret e shtëpisë e të sajuara asisoj sa për të fshehur priftërinjtë dhe gjësendet e tyre fetare nga zbulimi i gjahtarëve të priftërinjve të financuar nga qeveria.

Sado të kujdesshëm që ishin ata, megjithatë rreziku mbetej real: Garneti dhe Southwelli më në fund u arrestuan, u torturuan dhe u ekzekutuan me varje, kokat e tyre të prera u shpalosën si paralajmërim për të tjerët. Një prifti katolik të arrestuar më 1605, gjatë kohës së komplotit të barotit, iu gjetën kopje të muzikës së Byrdit; dhe Stephen Vallengerit, botuesi që nxori në dritë tekstin pro-katolik “Why Do I Use My Paper, Ink and Pen” (të cilin Byrdi më vonë e bëri muzikë) iu këputën veshët dhe u burgos përjetë. Megjithatë, Byrdi ishte me fat. I favorizuar nga muzikëdashësja Elizabeth I, ai ka qenë anëtar i Kishëzes së saj Mbretërore, dhe ishte njëri prej dy kompozitorëve që iu dha leja ekskluzive e publikimit (mentori i Byrdit ishte tjetër kompozitor).

Ai i shpëtoi ndëshkimit të rëndë, duke marrë një padi për mospjesëmarrje në shërbimet e kishës protestante, që cilësohej krim sipas Aktit të Njëshmërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button