Kombinimi me tri barna cilësohet shpresëdhënës për trajtimin e virusit korona

Një kombinim i tri medikamenteve antivirale ka treguar efekt në lehtësimin e simptomave të lehta dhe të lehta deri te ato mesatare të Covid-19 dhe ka reduktuar me shpejtësi sasinë e virusit në trup, sipas një testi klinik të shkallës së vogël në Hong Kong.

Hulumtimi klinik me 127 pacientë, e krahasoi personat që iu dha kombinimi i barnave: lopinavir-ritonavir (për trajtimin e virusit HIV), ribavirin (për hepatit) dhe interferon beta (për multiplisklerozë); me grupin e pacientëve të cilit i jepej vetëm medikamenti për HIV, raporton Reuters, transmeton KOHA.

Gjetjet e publikuara në revistën mjekësore “Lancet”, treguan se në një mesatare, njerëzve të cilëve iu dha kombinimi i tri medikamenteve arritën një gjendje në të cilën virusi nuk mund të detektohej pesë ditë më herët sesa personat që ishin pjesë e grupit tjetër të kontrollit – shtatë krahasuar me 12 ditë për t’u shëruar.

“Testi ynë tregon që trajtimi i hershëm i Covid-19 të lehtë ose mesatar me një kombinim të barnave antivirale mund ta zvogëlojë sasinë e virusit në trup, t’i lehtësojë simptomat, dhe ta ulë rrezikun te punëtorët shëndetësorë”, ka thënë, Kwok-Yung Yuen, profesor në Universitetin e Hong-Kongut dhe bashkë-udhëheqës i hulumtimit, transmeton KOHA.

Ai tha se zvogëlimi i rrezikut te punëtorët shëndetësorë do të vinte për shkak të efektit të barit në reduktimin e ‘shpërndarjes së virusit’ që ndodh kur virusi mund të detektohet dhe mund të transmetohet.

Gjatë testit klinik, të gjithë pacentët morën kujdes standard spitalor, duke përshirë ventilim, dializë, antibiotikë dhe kortikosteroide.

Kowk-Yung Yuen ka thënë se gjetjet janë “inkurajuese”, mirëpo efektet e kombinimit prej tri barnash duhet të testohen në grupe më të mëdha pacientësh e njerëzish të sëmurë rëndë me Covid-19.

Ekspertët e pavarur janë pajtuar që gjetjet janë pozitive, por kanë thënë se ka nevojë për studime më të mëdha dhe më të detajuara.

“Kjo… e justifikon marrjen në shqyrtim të shtimit të interferonit beta në listën e trajtimeve serioze, në bazë të të dhënave, të trajtimeve premtuese në testet e radhës klinike me përdorim parimit të rastësisë”, tha Stephen Evans, profesor në London School of Hygiene & Tropical Medicine.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button