Historiku i 9 majit-Ditës së Evropës, ëndërr për Maqedoninë e Veriut, zhgënjim për Britaninë

Bashkimi Evropian filloi rrugëtimin e tij më 9 maj të vitit 1950, ndërsa në vitin 2020 për herë të parë asaj do t’i largohet një anëtarë e cila ishte pjesë e saj 47 vjet, Britania e Madhe.

Britania e madhe ishte anëtarësuar në BE në vitin 1973 së bashku me Danimarkën dhe Irlandën. Ai ishte edhe zgjerimi i parë i Bashkimit Evropian, nga gjashtë shtete në nëntë shtete.

Anëtarësimi i fundit në Bashkimin Evropian është Kroacia, e cila tash kryeson Bashkimin Evropian. Kroacia, nikoqiri i fundit i Bashkimit Evropian “Zagreb 2020” ishte anëtarësuar në vitin 2013. Në atë vit ajo ishte anëtarja e 28-të e BE-së, ndërsa tani është anëtarja e 27-të, pas largimit të Britanisë, transmeton Portalb.mk.

Historiku i BE-së fillon më 9 maj 1950, kur Deklarata e Shumanit propozoi themelimin e Komunitetit Evropian për Thëngjill dhe Çelik, i cili u bë realitet pas nënshkrimit të Traktatit të Parisit, më 18 prill 1951. Kjo vendosi tregun e përbashkët për thëngjill dhe çelik midis gjashtë vendeve themeluese Belgjika, Republika Federale e Gjermanisë, Franca, Italia, Luksemburgu dhe Hollanda.

‘Gjashtë’ vendet vendosën me Marrëveshjen e Romës më 25 mars 1957, të krijojnë Komunitetin Evropian të Energjisë Atomike (Euratom) dhe Komunitetin Ekonomik Evropian. Obligimet doganore midis gjashtë shteteve u shfuqizuan më 1 korrik 1968. Në qershor 1979 u shënua një hap vendimtar përpara, me mbajtjen e zgjedhjeve të para direkte për Parlamentin Evropian. Këto zgjedhje mbahen çdo pesë vjet.

Në vitin 1981, Greqia iu bashkua Komuniteteve, pas të cilës vijuan Spanja dhe Portugalia në vitin 1986. Ky zgjerim i Komuniteteve drejt Evropës jugore e bëri edhe më të domosdoshëm implementimin e programeve për ndihmë rajonale.

Pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe pasi Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari në dhjetor 1991, shtetet anëtare të Komunitetit Ekonomik Evropian negociuan një traktat të ri, i cili u miratua nga Këshilli Evropian në Mastriht, në dhjetor të vitit 1991. Traktati i Mastrihtit krijoi Bashkimin Evropian. Ky traktat hyri në fuqi më 1 nëntor 1993.

Tre vende të tjera — Austria, Finlanda dhe Suedia — u anëtarësuan në Bashkimin Evropian në vitin 1995, duke shtuar numrin e shteteve anëtare në 15.  Më 1 janar 2002, euroja zëvendësoi valutat e vjetra të 12 vendeve të BE-së, të cilat së bashku përbënin ‘zonën euro’.

10 vendet kandidate, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia u anëtarësuan në Bashkimin Evropian më 1 maj 2004. Bullgaria dhe Rumania pasuan më 1 janar 2007, dhe kështu anëtarësia në BE arriti numrin 27.

Rregulla të reja u propozuan në propozim Kushtetutën e BE-së, e cila u nënshkrua në tetor 2004 që u refuzua në dy referendume nacionale në vitin 2005. Për këtë arsye, Kushtetuta u zëvendësua me traktatin e Lisbonës, i cili u nënshkrua më 13 dhjetor 2007 dhe hyri në fuqi më 1 dhjetor 2009.

Në mars të vitit 2020, dy vendet nga Ballkani Perëndimor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën dritë të gjelbër për nisjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sipas metodologjisë së re për zgjerim të miratuar më 5 shkurt në Komisionin Evropian.

BE-ja në Samitin e fundit për Ballkanin Perëndimor të mbajtur online më 6 maj në Zagreb, konfirmoi mbështetjen e BE-së për rrugën euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa shtetet u zotuan në Deklaratën e Zagrebit për bashkëpunim rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Në vitin kur Britania e zhgënjyer largohet nga Bashkimi Evropian, për autoritet shtetërore Evropa vazhdon të ngelet ëndrra e Maqedonisë së Veriut.

LEXO: Spasovski dhe Xhaferi uruan Ditën e Evropës: Ishit synimi jonë
LEXO: Pendarovski: Sivjet është arritur ëndrra e shumë gjeneratave
LEXO: Negociatat RMV-BE, nëse nuk zbatohen reformat për drejtësi, liri dhe siguri, gjithçka mund të bllokohet

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button