Pendarovski: Sivjet është arritur ëndrra e shumë gjeneratave

Stevo Pendarovski ka përkujtuar 9 Majin-Ditën e Evropës, si një vizion dhe ëndërr e shumë gjeneratave në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Vizioni për Evropën, si opsion për mbajtjen e paqes, bazuar në principet e bashkëpunimit dhe solidaritetit akoma ekziston”, deklaroi Pendarovski, duke përkujtuar vizionin e ministrit francez Robert Shumanja, si ideator i BE-së.

Ai theksoi se pandemia dëshmoi rëndësinë e të qenurit pjesë e familjes evropiane.

“Prej pavarësimit në vitin 1991, shoqëria maqedonase e ka zgjedhur Bashkimin Evropian si një qëllim strategjik, duke pranuar vlerën evropiane të demokracisë, sundimin e së drejtës, bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin e qytetarëve të vet”, deklaroi Pendarovski.

“Këtë vit është arritur ëndrra e shumë gjeneratave, kemi marrë vendimin për fillimin e negociatave për anëtarësim”, deklaroi Pendarovski.

Ai përkujtoi 9 majin edhe si Ditën e fitores ndaj fashizmit para 75 vjetëve, duke përkujtuar kontributin e qytetarëve të Maqedonisë në këtë betejë.

Përndryshe, sivjet Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria morën dritë të gjelbër për nisjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sipas metodologjisë së re për zgjerim të miratuar më 5 shkurt në Komisionin Evropian.

BE-ja në Samitin e fundit për Ballkanin Perëndimor të mbajtur online më 6 maj në Zagreb, konfirmoi mbështetjen e BE-së për rrugën euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa shtetet u zotuan në Deklaratën e Zagrebit për bashkëpunim rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“Duke rikujtuar Samitin e Zagrebit në vitin 2000, Samitin e Selanikut në vitin 2003 dhe atë të Sofjes në vitin 2018, Bashkimi Evropian edhe një herë ripohon mbështetjen e tij pa mëdyshje për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Në Samitin e fundit u nënshkrua Deklarata e Zagrebit, në të cilën shtetet e Ballkanit Perëndimor bien dakord për raportet ndërfqinjësore, që janë një nga pengesat për rrugën euroatlantike të RMV-së’, thuhet në Deklaratë.

“BE-ja mbështet plotësisht zotimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Në këtë kuadër mbetet i rëndësishëm zbatimi në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme i marrëveshjeve dypalëshe, ku përfshihen Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Traktati për Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë”, thuhet në deklaratë.

LEXO: Negociatat RMV-BE, nëse nuk zbatohen reformat për drejtësi, liri dhe siguri, gjithçka mund të bllokohet

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button