Myftiu i Shkupit, Ismaili: Ndaj vendimit për hapjen e xhamive kanë pasur ndikim xhemati i revoltuar nga tubimi në Strugë

Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, në një deklaratë për NOVATV ka deklaruar se në marrjen e vendimin për hapjen e xhamive për më 12 maj në Maqedoninë e Veriut kanë ndikuar xhemati dhe zyrtarët fetarë të cilët kanë qenë të revoltuar nga tubimi fetar i ortodoksëve në Strugë dhe nga disa ndodhi për Pashkët dhe kanë kërkuar që të hapen xhamitë, njofton Portalb.mk.

“Ndaj këtij vendimi ndikim kanë pasur thirrjet e shumta nga besimtarët dhe zyrtarët fetarë të cilët kanë qenë të revoltuar nga disa raste dhe kanë kërkuar që të hapen xhamitë. Ne kemi respektuar gjithçka, ashtu siç urdhëruan autoritetet shëndetësore deri më tani, i mbyllëm objektet që në 17 mars, tani të paktën t’i hapim në 10 ditët e fundit të muajit Ramazan. Të gjitha vendet i kanë hapur sot, ja për xhuma. Xhamitë për faljen e xhumasë ishin të hapura në Serbi dhe Bosnje, por ne do të presim edhe disa ditë që t’i përgatisim besimtarët”, deklaroi Ismaili.

Ai ka shtuar se namazet do të kryhen sipas protokolleve të vendeve perëndimore.

“Do të jemi të disiplinuar dhe do t’i respektojmë rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive, jemi në kontakt me ministrin e Shëndetësisë dhe kryeministrin, sot kishim takim edhe me ministrin Filipçe”, tha Ismaili.

Në lidhje me vendimin e BFI-së për hapjen e xhamive me 12 maj, ministri Filipçe, sot theksoi se ende është në fuqi ndalesa për grumbullimin e qytetarëve, prandaj kërkon nga bashkësitë fetarë bashkëpunim.

“Çdo tubim i papërgjegjshëm do të na kthejë në fillim të epidemisë dhe të krizës. Është jashtëzakonisht i madh rreziku që të rritet transmetimi i virusit në raste të tilla”, tha ministri i Shëndetësisë.

Ai theksoi se sot ka biseduar me kryetarët e BFI-së dhe Kishës Ortodokse.

“Për këtë arsye ishte edhe biseda e sotme me dy udhëheqësit fetarë, BFI-në dhe Kishën Ortodokse, duke kërkuar që të mbahen masat aktuale, gjegjësisht mos të ketë organizime në grupe më të mëdha”, deklaroi Filipçe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button