SHBA “pushtohet” nga grerëzat aziatike, kanë helm toksik

Një lloj grerëzeje vrasëse po qarkullon prej muajsh në shtetin perëndimor amerikan të Uashingtonit, duke kanosur banorët e zonave rurale por edhe popullatën e bletëve në vend. Kandrrat me përmasa gjigante mendohet të kenë ardhur vitin e kaluar nga Azia, transmeton OraNews.

Kur mendohej se pandemia është rreziku kryesor me të cilin përballet Amerika këta muaj, në shtetin e Uashingtonit autoritetet janë vënë në alarm për prezencën e një kolonie grerëzash helmuese gjigante.

Insektet që arrijnë deri 5 centimetra gjatësi dhe 7 centimetra gjerësi kur hapin flatrat, kanë thumba të mëdhenj që rrezikojnë edhe jetën e njeriut.

Ky lloj i veçantë grethi jeton kryesisht në Kinë dhe vendet e Azisë Juglindore, ndërsa një fole e tyre u gjet dhe u shkatërrua vitin e kaluar në brigjet e Kanadasë, e tashmë edhe në territorin amerikan.

“Çdo vit në Japoni ka njerëz që shtrohen në spital nga pickimet e shumta të këtyre grerëzave, disa edhe vdesin. Gjëja e parë që mendojmë të bëjmë është ta lokalizojmë popullatën e tyre, të përcaktojmë madhësinë dhe t’i shfarosim, edhe pse duket i shmëtuar si objektiv. Por nuk mund të lejojmë që të nguliten në shtetin e Uashingtonit,” tregon një studiues amerikan i insekteve.

Për kërkimin e këtyre kolonive me insekte vrasëse, dhe mundësisht kapjen e mbretëreshës së grerëzave, ekipi i tij ka vendosur në zona të caktuara enë me lëndë të ndryshme që ndjellin insektet.

Mbrojtja nga pickimet e kandrrave gjigante kryhet me veshje të posaçme të pluhurosura me insekticid, pasi thumbat e mëdhenj të këtyre grerëzave mund të shpojnë përtej rrjetave të zakonshme.

Kolonitë e tyre mendohet se përpos rrezikut për jetën e njerëzve, kanosin edhe bujqësinë dhe kandrrat më të vogla, si bletët, duke e vrarë tërë kosheren e tyre brenda pak orëve.

Për herë të parë, insektet vrasëse u shfaqën në shtetin veriperëndimor të Uashtingtonit vitin e kaluar, ndërsa në këtë periudhë dalin nga gjumi i dimrit për të ndërtuar fole të reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button