Negociatat RMV-BE, nëse nuk zbatohen reformat për drejtësi, liri dhe siguri, gjithçka mund të bllokohet

Kapitujt 23 (drejtësia dhe të drejtat themelore) dhe 24 (drejtësia, liria dhe siguria), do të jenë fokusi kryesor dhe nëse nuk bëhen reformat, bisedimet mund të bllokohet. Kështu paralajmëron, njohësi i çështjeve politike, shkruan Mersel Bilalli, njofton Portalb.mk.

Profesori Bilalli thotë se Maqedonia e Veriut do të duhet të plotësojë kriteret e aderimit në BE, ku ky i fundit tashmë ka një metodologji të re të anëtarësimit të shteteve të reja me qëllim të përforcimit të Unionit.

Mersel Bilalli
Mersel Bilalli

“Është e njohur që Unioni Evropian tanimë ka të miratuar një metodologji të re për procesin e bisedimeve për anëtarësim të anëtareve të reja në BE, qëllimi i së cilës është që të rivendoset një perspektivë me të vërtetë e besueshme për perspektivën e Ballkanit Perëndimor. BE ka përvojë të lidhur, sidomos me Bullgarinë dhe Rumaninë. Tani dihet se anëtarët e BE-së në Samitin e marsit vendosën për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është mirë. Por, duhet të kemi parasysh se fokusi do të përqendrohet në dy segmentet kyçe shoqëror – sundimi i së drejtës dhe funksionimi i institucioneve demokratike. Kjo gjer tani është quajtur kriter politik, gjegjësisht funksionimi i sistemit, Parlamentit, zgjedhjet e lira, sundimi i së drejtës, gjyqësori, etj. Metodologjia e re madje obligon edhe Malin e Zi dhe Serbinë që për vite janë në proces të bisedimeve. Pa dilemë se çështjet që kanë të bëjnë me kapitujt 23 (drejtësia dhe të drejtat themelore) dhe 24 (drejtësia, liria dhe siguria), do të jenë fokusi kryesor dhe nëse këtu punët nuk adresohen në mënyrën e duhur, bisedimet mund të bllokohet. Pra, dokumenti parashikon mundësinë e rikthimit të procesit të negociatave përsëri në start nëse shteti dështon të bëjë atë që nga ai kërkohet ta bëjë”, tha për Portalb.mk, Bilalli.

Sipas tij, bisedimet do të fillojnë me kapitujt më të rëndësishëm, gjegjësisht me kapitujt themelorë të cilët do të luajnë rolin kryesor në procesin negociator. Këto do të hapen të parët, kurse të fundit do të mbyllen. Në rast të realizimit të suksesshëm të reformave të rëndësishme, afati kohor nga hapja e një grupi për bisedime e deri në mbylljen e tij duhet të jetë i kufizuar mundësisht në një vit, tha Bilalli.

Gjithashtu, sipas Bilallit, duhet potencuar se, metodologjia e re parashikon stimuj të fortë nga BE në rast të përparimit të kandidatit të caktuar, por edhe pasoja negative nëse mungon përparimi. Pra, duhet pas parasysh se BE ndihet e lodhur nga zgjerimet dhe kur kësaj t’ia shtosh problemet e brendshme që ajo ka, nuk mendoj se do të jetë aq lehtë, veçanërisht për Maqedoninë që nuk ka ekip të profesionalizuar, por në masë të madhe strukturë partiake. Do të kisha dashtë të mos jem në të drejtë, por pjesërisht e njoh strukturën biseduese të Kroacisë. Ajo ishte një titan ekspertësh me njohje detaje të fushave të ndryshme. Por, se pati aq lehtë, tha, analisti Bilalli.

Bisedimet Maqedoni – BE

Maqedonia si kandidat tashmë do të duhet të forcohet dhe të aplikoj rregullat dhe procedurat e BE-së përmes përshtatjes së strukturave të tij administrative.

Maqedonia e Veriut është në pritje të Kornizës Negociuese, nga Komisioni Evropian, që do të duhet t’i  dorëzohet këshillit të ministrave, dhe pasi që të jenë pranuar nga Këshilli do të caktohet seancë ndër-qeveritare, e cila sipas një interviste ekskluzive, për Portalb.mk, me zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani, pritet që të prezantohet në fillim të qershorit.

Sipas autoriteteve qeveritare, Maqedonia e Veriut, ndonëse është e gatshme për fillimin e bisedimeve, në suaza që strukturat ekzistuese të bisedimeve mund të vihen në funksion, do të duhet vetëm se organizim i mirë, nxitje të njerëzve në sektorin publik, duke i përfshirë edhe palët e interesuar jashtë administratës publike.

Flamuri i Bashkimit Evropian - BE, Arbnora
Flamuri i Bashkimit Evropian – BE

Qeveria e Maqedonisë së Veriut raportoi se në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor “Zagreb 2020” u konfirmua mbështetja e BE-së për rrugën eurointegruese të vendit.

Samiti i Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor “Zagreb 2020”, që duhej të mbahej në Zagreb, u mbajt përmes video-lidhjeve, ku Qeveria e RMV-së shpreh gatishmërinë për nisjen e dialogut për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, në përputhje me metodologjinë e re.

Metodologjia e Komisionit Evropian i hapi rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.

Ajo nuk e përjashton as mundësinë e pezullimit apo të kthimit në fillim të bisedimeve të pranimit nëse shtetet kandidate nuk përparojnë në asnjë fushë. Metodologjia e re është iniciuar nga Franca, në vitin 2019.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, vjet e bllokoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar reforma të mëtejshme nga këto dy vende, por edhe reformim të vetë procesit të zgjerimit të BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button