BAJRAKTARËT DHE “QENTË”

Gjëja e parë që të bie në sy kur merr të lexosh esetë e Ali Podrimjes, janë titujt sugjestivë të tyre, si: Re të zeza në horizont, Frikë për të ardhmen, Beteja për Kosovën, Liria si burgim, Maskemballi kombëtar, Bajraktarët dhe qentë, Ky nuk është ferku e kështu me radhë. Janë këto shkrime të lexuara e publikuara jashtë e brenda vendit, që të befasojnë me parashikimet e poetit për të ardhmen e Kosovës së posashpallur shtet. Pra, fjala është për ese të shkruara para 20 vitesh, atëherë kur konsideroheshin të marrë intelektualët që guxonin ta shohin të gjymtë lirinë  e shumëpritur, si Prometeu i Gjakut që nuk falet

Parë me syrin e kohës së shkrimit të eseve, një Zot e di si u janë dukur ato shumë kolëgëve të tij të penës, që, pas hyrjes së forcave të NOTO-s në Kosovë, e mbyllën kapitullin e dhunës shekullore serbe dhe u shkrinë papërsiatur në entuziazmin patriotik: Bac, u kry! Sigurisht se edhe Aliu do të dëshironte të flasë bukur e me ngazëllim për lirinë, ta besojë mrekullinë e përfundme të saj, po ç’të bënte me do shenja, që si krijues i shihte ndoshta edhe me emocione. Si të shqitej nga dyshimi i mbështetur në njohjen e mirë të mashtrimeve të politikës serbe dhe të jeniçerizmit shumëdimensional të renegatëve shqipfolës. Si të tebdilosej në atë që nuk ishte, kur duhej t’jua thotë hapur shqiptarëve se nuk është koha për gjum, po për vigjilencë?

Aliu dyshoi me kohë se diç nuk ishte në rregull me lirinë, se në horizont kishin filluar të duken retë e zeza të luftës së pashpallur, të cilës i fryejnë edhe ca vende, që, njësoj si Serbia, mbajnë nën okupim etni të tjera dhe bëjnë çmos t’i kthejnë sërish shqiptarët e Kosovës në mjerimin serb. Atë e shqetësoi rreshtimi i paramilitarëve serbë te Ura e Mitrovicës, ku gjendej Trepça, Kullat e Boletinëve dhe vatrat shekullore të shqiptarëve, prej të cilave i përzunë me barbari, e tani nuk i lejonin të kthehen, pa çka se u “çlirua” Kosova (!?); histeritë  shqiptarofobe të Kishës serbe, që nuk hoqi dorë nga mbajtja gjallë e planeve më xhuxhëzimin e mëtutjeshëm të trojeve shqiptare; paranoja nacionale e ushqyer nga Akademia e shkencave dhe Lidhja e shkrimtarëve serbë, që rinisën gjithandej botës shpërndarjen e publikimeve me pallavra pseudihistorianësh serbë dhe të huaj, të shkruara enkas për çështjen e Kosovës; e dhëna se i ashtuquajturi revolucion demokratik postmillosheviqian ishte vetëm fasadë e jashtme e po të njëjtit regjim kriminel, se “revolucioni” i opozitës ishte më tepër lojë e vozhdit, prej së cilës u distancua vetëm një pjesë e papërfillshme e intelektualëve serbë; mosdistancimi nga hegjomonizmi serbomadh…, që sipas Ali Podrimjes: pamundësoi sërish çfarëdo raportesh paqësore ndërmjet dy popujve…

Hiq më të mira Aliu nuk i pa as shenjat që vinin prej disa bajraktarëve shqiptarë. Këta ia forcuan bindjen se: diçka e tmerrshme fryn nga vrima, se nuk paska peshë asgjë jona! Ai frikësohej se nuk do të arrijmë t’i shmangemi vrimës së moçme gllabëruese… I frikësohej bindjes  së popullit se i ka punët mirë, se me politikën tonë nuk ka. Tmerrohej nga mungesa e kujdesit për të ardhmen, veçmas nga leximi i fatit në shpatull pule… Ai s’arrinte ta kuptojë naivitetin me të cilin një pjesë e bashkatdhetarëve, që në ditët e para të çlirimit të Kosovës, ia mundësuan Serbisë ta hallakatë unitetin brendashqiptar; të ndezë kollaj zënkat tona farefisnore e bajraktareske; t’na bëjë dele të zezë të Evropës me libra si: “Mafia shqiptare – një kërcënim për evropën”; t’ia mbushë mendjen një pjeseje të diplomacisë së botës se gjoja pavarësia e Kosovës do ta destabilizojë Ballkanin, sepse do ta lindë gogolin Shqipëri e Madhe; ta afrojë atë edhe pas aq gjerocidesh më pranë dyerve të Parlamentit Evropian se sa Kosova; të arrijë që në takime të rëndësishme burrështetasish ta shtrojë, jo si xhelat po si viktimë, pyetjen: Si mund të prisni paqe në Kosovë, kur ajo është nocion i panjohur në Shqipëri!?

Ali Podrimja nuk pati kohë t’i kënaqet si të tjerët lirisë së shumëpritur, sepse sërish vërejti: ndjekje, përndjekje, hasmëri, vëllavrasje, përdhunime trupore e mendore, hafijellëqe të hapura e tinëzare, ngarendje për një copë karrige. Përpara i dilnin sërish mediokrit e pseudotë, imituesit e verbër të Evropës, bashibozukët anadollakë… Ai nuk shihte se dikush po punon për t’ia ofruar Evropës ndonjë vepër për të vërtetën e Kosovës, sepse gjithkush priste që këtë ta bëjnë të tjerët në vend tonin. Dhembje i shkaktonte edhe e dhëna se nuk bëhej asgjë për krijimin dhe ruajtjen serioze të miqësive me dashamirët dhe aleatët tanë në luftën e fundit. Në vend të këtyre prioriteteve, klithte Ai, shqiptarët merren me intrigat e kuzhinës sllave, kënaqen me një çati dhe me ndonjë shkarravinë “patriotike” të kalemhanes, që pandeh se brenda e përreth nesh nuk luhet më asnjë lojë e zezë… Aliu kishte sinjale se serbët sërish do t’i shohim në rolin e komançerosëve të Ballkanit. Ai e parandjeu pagabueshëm se, si kishin nisur punët, nuk duhet të çuditemi fare, nëse një ditë lexojmë apo dëgjojmë se në Kosovë nuk ka pasur luftë, e lëre më krime monstruoze, gjë që po e dëgjojmë tani, 20 vite pas paralajmërimeve të poetit, nga presidenti arogant serb, i rritur si shtogu n’m…. e nënsjetullave të Kasapit ballkanik

Ali Podrimja i shtroi herët pyetjet, pergjigjet e të cilave i mësojmë sot. Ai i pyeti troç shqiptarët: Po ç’kontribuojmë ne tani, pos marrjes me gjëra që e rrënojnë imazhin tonë? A ekziston ende diçka që na bashkon e na këndell? Gjer kur do të kapemi për kodet fisnore dhe do të zhvillojmë politika qorre mes vete, duke lejuar që energjitë tona të treten gjithandej?

Në njërën prej sprovave të tij të fundit, nga e cila huazuam titiullin e shkrimit që po lexoni, Aliu rrëfeu në formë tregimi për do bajraktarë fisesh, që, pasi i shtynin njerëzit (besnikët që linin kokat për ta, por që i konsideronin si qen) të vriten e priten ndërveti, i çonin fjalë njëri-tjetrit për t’u takuar në një nahi neutrale, ku bënin pallën e sefasë, ku pinin e hanin desh të pjekur rreth hellit të zjarrit dhe ku kurvëronin e lidhnin miqësi mes tarafeve. Pas një kohe, natyrisht, prapë dëgjoheshin pushkët dhe gjëma, derisa ndodhte një sebep tjetër qejfi. E kështu me rradhë pakësoheshin tarafet e “qentë”.

Kështu foli më 1999 për të ardhmen “e ndritshme” të Kosovës, Poeti i Gjakut të saj që nuk falet – Ali Podrimja. Lexuesit i mbetet gjykimi mbi mendjemprehtësinë, largpamësinë, kujdesin dhe dhembjen e përhershme me të cilën e shkoi jetën ky Promete që, si rrallëkush, na e dhuroi me kohë zjarrin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button