Ahmeti dhe Gruevski do të dënojnë të gjithë që shkelin ligjin

Dy liderët në pushtet ai i BDI-së Ali Ahmeti dhe ai i VMRO-së, Nikolla Gruevski i bëjnë apel opinionit që të përmbahen nga provokimet, duke shfrytëzuar marrëdhëniet ndër-etnike dhe ndër-fetare në funksion të qëllimeve të politikave ditore nga cili do subjekt apo individ. 

“ Jemi të vetëdijshëm se përgjegjësia më e madhe në pjesën e marrëdhënieve ndëretnike bie në duart e elitave politike, dhe veçanërisht në duart e politikanëve të cilët kanë fituar besimin më të madh nga qytetarët. Të dy palët u zotuan se do të bëjnë gjithçka për të parandaluar çdo lloj tentimi për keqpërdorim dhe interpretim të gabueshëm të procedurave të cilat janë nga sfera e marrëdhënieve ndëretnike” shkruhet në komunikatën e BDI-së, sot pas takimit të Ahmetit dhe Gruevskit ku kanë folur për çështjet lidhur me marrëdhëniet ndëretnike.

Të dy u angazhuan të ushtrojnë autoritetin dhe mundësitë e tyre për të ndikuar në kapërcimin e problemeve të fundit ndër-etnike , në frymën e respektit, tolerancës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. 

“Partnerët qeveritar vlerësojnë se secili komunitet duhet të respektojë identitetin e njëri tjetrit, dhe se komunitetet kanë të drejtë të shprehin identitetin e tyre në mënyrë që nuk do të shqetësonte apo lëndonte ndjenjat e pjesëtarëve të komuniteteve tjera etnike apo interesat shtetëror, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Maqedonisë janë të paprekshme dhe të garantuara nga shteti” thuhet në komunikatë.

Individ apo subjekte nuk duhet të krijojnë tensione apo të nxisin mosbesim nëpërmjet çështjeve të cilat janë të ndjeshme për ndonjë bashkësi etnike, si kushtëzimi i gjuhës, kombit, emrit, përdorimit të simboleve, dhe kërkohet mirëkuptim për çështjet e rëndësishme lidhur me identitetin për secilin komunitet, si dhe respektim të pakushtëzuar të ligjeve, japin mesazhin Gruevski dhe Ahmeti.

“Çdo sjellje kundërligjore, sjellje që nuk ka bazë ligjore, apo sjellje që bie në kundërshtim me ligjet, me të drejtën vendore dhe ndërkombëtare, nuk do të ketë përkrahjen e partnerëve qeveritar dhe duhet të trajtohet përmes procedurave të duhura dhe të sanksionohet” thanë partnerët e koalicionit.

Më tej, bashkëbiseduesit theksuan se realizimi i integrimit të Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO është një përcaktim strategjik drejt përmbushjes të së cilës kemi një qasje me përkushtim maksimal, qasje të përgjegjshme dhe iniciativë në frymën e vlerave evropiane.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button