fbpx

Revizioni, Universitetit “Nënë Tereza”, nuk ka të dhëna për kriteret e zgjedhjes së profesorëve, një asistent është bërë prodekan

Universiteti shtetëror “Nënë Tereza” gjatë vitit 2018-të nuk ka pasur të dhëna për kriteret e përzgjedhjes së profesorëve të punësuar, ka dhënë kompensime për punë jashtë orarit pa kritere, nuk i ka treguar në mënyrë të drejtë dhe objektive të gjitha aspektet financiare dhe materiale të punës, ndërkaq gjatë vitit 2017-të ka emëruar në mënyrë të paligjshme një prodekan apo zëvendësdrejtor pa thirrje shkencore profesor apo docent, gjegjësisht ka qenë asistent-doktorant. Këto janë vetëm disa prej shkeljeve të cilat Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) i ka përmendur në raportin e tyre për punën e Universitetit “Nënë Tereza” gjatë vitit 2018-të, shkruan Portalb.mk.

EShR ka dhënë mendim negativ, gjegjësisht të pafavorshëm për realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2018-të, por edhe për harmonizimin e aktiviteteve, transaksioneve financiare dhe informatave me rregullativën ligjore, udhëzimeve dhe politikat e vendosura.

“Raportet financiare nuk i tregojnë vërtetë dhe në mënyrë objektive të gjitha aspektet materiale”, thonë nga EShR.

Revizioni ka dhënë mendim negativ edhe në lidhje me mendimin për pajtueshmërinë me ligjet dhe dispozitat, sipas tyre të njëjtat nuk janë në pajtueshmëri me rregullativë ligjore relevante, udhëzimet dhe politikat e vendosura.

Revizioni ka konstatuar se Universiteti nuk ka të dhëna se në bazë të cilave kritere janë punësuar profesorët

Gjatë shikimit të dosjeve të një pjese të kuadrit mësimorë-shkencorë, revizioni nuk mund të konstatojë në plotësimin e kushteve dhe kritereve për zgjedhjen e thirrjeve mësimore-shkencore, për arsye se të njëjtat nuk përmbajnë dokumentacion të plotë dhe të besueshëm me të cilën do të dëshmohej plotësimi i kushteve.

“Për zgjedhjen e kuadrit mësimor, revizioni ka konstatuar se Këshilli Arsimor (që i zgjedh profesorët) nuk ka të dhëna për mënyrën e vlerësimit të veprimtarisë mësimore arsimore, veprimtarinë shkencore hulumtuese, artit profesional dhe veprimtarisë profesionale aplikative”, thonë nga Revizioni.

Ata shtojnë se mungojnë të dhëna edhe për arritjet e plota shkencore, profesionale, pedagogjike dhe të tjera të kandidatëve nga fillimi karrierës, por edhe mënyrën e vlerësimit dhe numrin e publikimeve shkencore, për çka Revizori nuk mundej të bindet në numrin minimal kumulativ të pikëve të kandidatëve për zgjedhje të kuadrit mësimor shkencor, që është në kundërshtim me Rregulloren për kriteret dhe procedurën e zgjedhjes së kuadrit mësimor-shkencor, shkencor, mësimor-profesional, bashkëpunëtorë dhe asistentë doktorantë.

Universiteti "Nënë Tereza"
Universiteti “Nënë Tereza”

“Moszbatimi i akteve interne për zgjedhjen e kuadrit mësimor mund të ndikojë në kualitetin e zgjedhjes së personave në thirrjet mësimore-shkencore”, thonë nga EShR.

Në Fakultetin e Shkencave Informatike, Shkencave Teknologjike dhe Shkencave sociale revizori ka konstatuar se nuk është plotësuar kushti për sigurimin e numrit të nevojshëm të personave me thirrje shkencore-mësimore, i cili duhet që ta zbatojë mësimin prej 50% dhe të njëjtët të jenë në marrëdhënie të rregullt pune me orar të plotë.

Universiteti është arsyetuar se është institucion i ri, dhe përskaj problemeve në lidhje me mungesën e kuadrit mësimorë-shkencor ka infrastrukturë të dobët të pajisjeve, ndërkaq kryesisht nuk kanë hapësira të mjaftueshme për zbatimin e procesit mësimor-shkencor, për shkak të vonimit të ndërtimit të kompleksit të ri të Universitetit.

“Në drejtim të ekipimit të Universitetit, pas marrjes së pajtueshmërisë nga Ministria e Financave për punësimin e kuadrit administrativ, gjatë vitit 2-19-të janë shpallur konkurse të cilat deri në fundit të vitit janë realizuar disa punësime me kuadër më kompetent dhe ashtu siç mund të konstatohet edhe nga situata në vitin 2019-të ku pjesa më e madhe e lëshimeve të cilat janë konstatuar nga ana jua në revizion janë tejkaluar”, thuhet në përgjigjen e Universitetit dërguar Entit Shtetëror të Revizionit.

Projekt ideor i Universitetit “Nënë Tereza”

Rektorati ka emëruar prodekan pa thirrje shkencore

Revizioni ka konstatuar se në vitin 2017-të, në mungesë të dekanit, Rektorati në mënyrë të paligjshme ka emëruar u.d. prodekan të një fakultetit. Pos procedurës së paligjshme, prodekani i emëruar nuk i ka plotësuar kushtet, pasi që i njëjti në kohën e emërimit ka qenë asistent-doktorant dhe nuk ka pasur thirrje mësimor shkencore – profesor i rregullt, profesor i çrregullt apo docent.

  • Sipas nenit 123 të Ligjit për Arsimit të Lartë, asistenti-doktorant është personi i cili ka mbaruar ciklin e dytë (fakultet dhe magjistraturë) të studimeve me sukses mesatar më së paku 8.50 në ciklin e parë dhe të dytë dhe pastaj është regjistruar në studime të doktoratit, ndërkaq harxhimet e shkollimit në këtë cikël ia mbulon institucioni arsimor, në këtë rast universiteti. Nëse Asistenti nuk mbaron në afatin në të cilin është zgjedhur (5-vjet), i ndërpritet marrëdhënia e punës.

Kjo është në kundërshtim me nenin 175 dhe 176 të Statutit të Universitetit.

Nenet 175, 176 të Statutit të Universitetit "Nënë Tereza"
Nenet 175, 176 të Statutit të Universitetit “Nënë Tereza”
  • “Prodekani zgjedhet nga radhët e profesorëve të rregullt dhe të çrregullt dhe docentëve. Prodekanët kryejnë detyra pune që ua ndanë dekani për fushat nga veprimtaria e fakultetit (arsimit të lartë, veprimtari shkencore hulumtuese, financiare dhe ngjashëm). Për punën e tyre, prodekanët përgjigjen përpara Këshillit Mësimor-Shkencor dhe përpara dekanit”, thuhet në nenin 176 të Statutit të Universitetit.

Arsyeja për këtë zgjedhje, thuhet në revizion, ka qenë mungesa e kuadrit nga radhët e të punësuarve.

“Moszbatimi i dispozitave ekzistuese ligjore në lidhje me emërimin e organeve udhëheqëse ka ndikim në ligjshmërinë dhe punën sipas statutit të Fakultetit”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Universiteti pa kritere u ka ndarë kompensime të punësuarve

Në vitin 2018-të Universiteti pa kritere të konstatuara u ka ndarë të punësuarve kompensime me vlerë të përgjithshme prej 530.000 denarësh (8.600 euro), për kryerjen e detyrave jashtë obligimeve të zakonshme.

“Senati dhe Universiteti kanë miratuar Rregullore për bazat për konstatimin e rrogave dhe kompensimeve të të punësuarve në Universitet, i cili parasheh edhe pagim të kompensimeve në disa baza. Në këtë rregullore nuk janë përfshirë kriteret/pikët për ndarje të mjeteve në varësi të vëllimit dhe shkallës së kompleksitetit. Kjo mënyrë e ndarjes së parave gjatë së cilës nuk ekzistojnë kritere dhe vlerësim i tyre, gjatë konstatimit të vlerës së kompensimit të aktiviteteve, nuk jep besim për objektivitet gjatë ndarjes së lartësisë së kompensimit dhe mundëson që në mënyrë subjektive të vendoset gjatë ndarjes së jetëve për të punësuarit”, thonë nga Revizioni.

Revizioni gjithashtu ka konstatuar se Universiteti një pjesë të furnizimeve publike i ka kryer pa procedurë për furnizime publike.

Në vitin 2018-të nuk ka pasur të formuar Revizionin e Brendshëm, edhe pse sipas Statutit është i obligueshëm

Nuk është themeluar njësia organizative për revizion të brendshëm me së paku një revizor të brendshëm dhe udhëheqës të njësisë për revizion të brendshëm, edhe pse parashikohet me Statut.

Neni 191 i Statutit të Universitetit "Nënë Tereza"
Neni 191 i Statutit të Universitetit “Nënë Tereza”
  • “Revizion të brendshëm të Universitetit kryen Njësia e Revizionit të Brendshëm, si njësi e pavarur organizative në përbërë të saj, në pajtueshmëri me ligjin, aktet nënligjore dhe aktet e brendshme.
    Udhëheqësi dhe të punësuarit në Njësinë e Revizionit të Brendshëm janë përgjegjës përpara rektorit të Universitetit”, thuhet në nenin 191 të Statutit të Universitetit “Nënë Tereza”.

Revizioni i ka konstatuar edhe këto shkelje:

  • Nuk janë miratuar procedura të shkruara për punën materiale dhe financiare dhe nuk është vendosur kontrolli ex-ante dhe ex-post.
  • Nuk janë zbatuar në kohë dispozitat ligjore për zgjedhje të kryetarit të Senatit dhe nuk është themeluar Këshilli Universitar si organ kompetent në mbikëqyrjen e zbatimit të veprimtarive të Universitetit.
  • Nuk janë harmonizuar në kohë Statuti dhe aktet tjera të përgjithshme të universitetit me dispozitat ligjore.
  • Regjistrimi i mjeteve dhe burimeve të mjeteve deri më 31 dhjetor 2018-të nuk është kryer në mënyrën e parashikuar sipas rregullativës ligjore.
  • Për pranimin dhe dhënien e materialeve nuk është bërë evidencë kontabiliste, gjegjësisht materialet e furnizuara nuk janë evidentuar nëpërmjet llogarive të stokut të mallrave me çka do të sigurohet evidencë e saktë për të njëjtat.
  • Nuk janë evidentuar gjësendet-objekt, të patundshme, të marra me vendimin për dhënie në shfrytëzim të përhershëm të gjësendeve të patundshme.

Universiteti “Nënë Tereza”

Aziz Pollozhani vazhdon të jetë në uebfaqen e BDIs-së
Aziz Pollozhani vazhdon të jetë në uebfaqen e BDIs-së

Universiteti “Nënë Tereza” u themelua në 25 dhjetor të vitit 2015, ndërsa gjenerata e parë filloi në vitin 2016 me ligjërata.

Përafërsisht prej premtimeve të pushtetit se ky universitet nuk do të jetë i politizuar, më 30 shtator të vitit 2016-të, u zgjodh për 6 muaj dhe vazhdon të jetë ende në pozitën e rektorit, veterani i partisë në pushtet BDI, Aziz Pollozhani, i cili vazhdon të jetë në ueb-faqen e partisë. Paraprakisht , Pollozhani ka qenë deputet dhe ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Padyshim që problemi kryesor i universitetit ka qenë objekti. Universitet në letër, por pa ndërtesë. Andaj është dashur që studentët të shëtisin nëpër objekte të  ndryshme për të ndjekur ligjëratat. Premtime ka pasur që do të ndërtohet në vitin 2017-të, 2018-të, 2019-të, por i njëjti s’është ndërtuar. Ende nuk është ndërtuar, me buxhetin e ri MASH në vitin 2019-të ndau 200.000 milionë denarë për ndërtimin e objektit, megjithatë punimet nuk kanë filluar për shkak të ngecjes së dokumentacionit nëpër labirintet institucionale. Premtimet vazhdojnë.

Në qershor të vitit 2018-të Alsat-m njoftoi se Aziz Pollozhani nuk është zgjedhur në krye të UNT-së me konkurs publik, ashtu siç parashikon ligji, por vetëm me konkurs të brendshëm në kuadër të universitetit.

qershor të vitit 2018-të, sipas inspektorit të Arsimit Gjorgjija Ilijevski, në inspektimin e fundit të jashtëzakonshëm në qershor të vitit 2017, është konstatuar se UNT-ja ka filluar me punë dhe ka regjistruar studentë pa akreditim të programeve studimore. Akreditimi dhe Vendimi i përkohshëm për të kanë ndodhur disa muaj pas regjistrimit të studentëve. Inspektori thotë se në atë kohë, senati nuk ka pasur asnjë student si përfaqësues.

Në gusht të vitit 2018-të, aktivisti, Valon Bela, akuzoi rektorin e Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhanin keqpërdorim të detyrës zyrtare, keqpërdorim të mjeteve financiare, punësimet në 4 sy (pa konkurse publike), mosrepsektim të ligjeve dhe rregulloreve gjatë punësimit, korrupsion, familjarizëm dhe kronizëm. Të gjitha, Universiteti i ka mohuar duke i quajtur të pabaza, spekulative dhe qëllimkëqija.

Në shkurt të vitit 2019-të, Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit e gjobiti Pollozhanin me 500 euro pasi që i njëjti nuk kishte dorëzuar listë anketuese për gjendjen pronësore. Pollozhani u arsyetua se Universiteti “Nënë Tereza” është institucion i ri dhe pa përvojë paraprake dhe mosdorëzimi i fletës anketuese sipas tij ndoshta mund të jetë, nga mosnjohja e mjaftueshme e procedurave ligjore.

Pas rektorit, Antikorrupsioni i gjobiti me vlerë prej 300 deri në 500 euro edhe 4 dekanë, pasi edhe ata nuk i kishin dorëzuar listat anketuese për gjendjen pronësore.

Nga shkrimet paraprake mund të lexoni:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button