Autorekrutim

Ndodh që ndodhitë rradhiten si fjalët në një fjali. Ndonjëherë, bile deri në atë masë sa që duken se janë aq të rradhitura, sa që munden të përshkruhen me një fjali ose fjalë të vetme. Do ndaj fjalën me lexuesit që ata të mund të gjykojnë nëse është kështu edhe tani me ndodhitë e fundit dhe fjalën: autorekrutim.

Por, fjala e rrallë është si një udhëtar i çuditshëm në vendkalim kufitar. Mu ai është udhëtari që duhet të hapë valixhen dhe të shpalos krejt çka ka me vete. Ashtu edhe fjala e rrallë është mu ajo fjalë të cilës duhet t’i shpalosen krejt kuptimet, të cilat e njëjta mund ti përmbajë në vehte.
Autorekrutimi është vetërekrutimi ose rekrutimi i vet një njeriu ose grupi njerëzish për ndonjë, sipas tyre dhe nga vet atoe paramenduar, kauzë ose qëllim. Kauza, qëllimi ose ideali nuk është patjetër që të jenë vetëm të paramenduara. Ato mund edhe të ekzistojnë në të vërtetë. Por handikapi i autorekrutimit është se ata të njëjtit, përveç se vetërekrutohen, ata këtë gjë e bëjnë sipas komentit të vet për idealin, kauzën ose qëllimin. Handikap tjetër është se kjo gjë, gati gjithmonë, është e shoqëruar me mendim të lartë për veten dhe definitivisht më shumë se ajo çka dhe për ku duhet.

Të nisim nga shembulli më eklatant i autorekrutimit, nga java që kaloi, tifozët. Ashtu përkujtohemi në lojërat e futbollit që bënim në lagje. Atëherë, kur, të gjithë donim të luanim si sulmues. Ashtu atëbotë, të gjithë lojërat që i humbnim ishin rezultat i asaj se nuk kishim mbrojtjen ose portierin e duhur?!

Bashkimi i tifozëve përmes një komunikate, ishte mu ajo. Gjatë kësaj, kjo gjë ishte në të kundërtën me vet thelbin dhe esencën e tifozllëkut. Kjo sepse për të qenë tifoz duhet që fillimisht të bësh tifozeri për dikë, nuk mjafton vetëm të jesh kundër dikujt. Kurse kështu rrezikon të përfundosh sikur Aleanca Kuq e Zi në Shqipëri. Ja, ju kujtua Sali Berishës të bëhet më tifoz se vet ata tifozët dhe këtyre ditëve u dha një dajak mu atyre, tifozëve të parë. Ashtu edhe këtu dhe sidomos tani, kur edhe në gazeta të huaja (Guardian) shkruhet se struktura shtetërore qëndrojnë pas grupeve të tifozëve mund të ketë një kësi epilogu.

Pas këtij vijnë rastet e lehta për krahasim: Gjorgje Ivanov dhe poçari (vorbaxhiu) që nuk le që ASHAM të bëjë asnjë vorbë si duhet: Bllazhe Ristevski. I pari ndërlidhet me vezën në Tiranë. Me të njëjtin qytet ku thuhet se kishte raste që taze snobët që kanë dëgjuar se ka diçka që quhet “vezë në sy”, kanë nisur nëpër restorante të porosisin “vezë në vesh”!

Kurse vorbaxhiu nga ASHAM duhet që deri në fund të shpjegojë se sa të pasuksesshëm paskan qenë ato grupe kaçakësh, aq shekuj, që ju paska mbetur dhe ia paska arritur një vorbaxhiu të bëhet doktor shkencash dhe anëtar i ASHAM, brenda një nate. Pasi nuk është e mundshme që ky të ketë qenë gjatë gjithë kësaj kohe akademik dhe të jetë fshehur si vorbaxhi, duket se ka bërë autorekrutim si akademik. Autorekrutim i cili, megjithatë, mund të zhduket me lustrim.
Kurse rastet e rënda, jo për krahasim por për matje se sa janë të rënda, janë personalisht, vetë kryetarët e bashkësive më të mëdha fetare. Ata, për së dyti herë (herën e parë me rastin e ngjarjeve në Kalanë e Shkupit), hedhin fjalë si ato dy pleqtë në ballkonin e Muppet Show. Dhe atë, mu atëherë kur, ja, të tjerët shohin të rregullojnë pak skenën.

Ashtu njeriu i parë i KOM, gjithsesi, pa komentuar gjë për incidentin më të madh të freskët fetar, me meshën jolegale serbe në Zebërnjak, Maqedoni, komentoi vezën mbi veturë. Autorekrutim. Ai, duke e paramenduar shtetin një vetëshërbim, si në parajsë, ku duhet vetëm të dëshirosh, nuk duhet as të ulesh për ta marrë e lere më të paguash, thërret organe. Sigurisht ka patë ndërmend edhe ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Besimi, i cili ishte në Tiranë në festim, gjithsesi i shoqëruar nga oficerë të ARM-së?!

Por, ja, ta zëmë se nuk ka asnjë shqiptar, as në Maqedoni dhe askund në botë. Shqiponjat as mos të fluturojnë e as mos të aterojnë. Prapëseprapë do ekziston KOS-i dhe Marrëveshja e Nishit, por edhe Patriarku botëror ortodoks i cili, ja, demanton deklarata të rrejshme?! Por, shqiptarë ka, dhe shumë shpejt do i paraqiten këtij edhe shqiptarë me përkatësi krishtere ortodokse në Maqedoni.

Kurse atij të BFI-së duhet ti kujtohet se edhe në Shqipërinë më të madhe të mundshme, bankat e huaja do punojnë në mënyrë normale. Edhe aty do duhet të paguhen kamatat e kredive të marra. Si tani ashtu edhe në të ardhmen, në çdo rregullim të mundshëm shtetëror. Kurse pagesat nga vakëfi, ato edhe ashtu paguhen dhe përmbarohen me përpikshmëri, edhe në këtë e edhe në botën tjetër. Njashtu, si një lexues i autorekrutuar i vullnetit të Zotit, ai do duhej ta dinte se vullneti i Zotit është i drejtë dhe ai do reflektohej vetëm në ndonjë rend shtetëror të drejtë. Ashtu, kjo do ishte ndonjë shtet juridik i cili do kishte arkiv të rregulluar. Arkiv ku do gjendej edhe ai takvimi zyrtar i BFI-së nga viti 1982, ku, i njëjti Sulejman Rexhepi, lufton irredentizmin shqiptar?! Prapë, vetëm lustrimi është ilaç për autorekrutimin.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button