Partitë politike, aminin e sjell lideri, flasin ekspertët

Partitë politike të Maqedonisë nuk janë aspak demokratike, ende aminin për çdo vendim e sjell lideri, në të kundërtën përjashtohen nga partia.

Partitë tona janë të ndërtuara dhe të bazuara mbi kultin e liderit, tha analisti Xhelal Neziri.

‘Kur një subjekt e mbështet funksionimin dhe ekzistimin vetëm te lideri aty nuk mund të flitet për demokraci të brendshme. Kështu deri diku funksionojnë edhe partitë maqedonase, gjë që nuk i bën mirë demokracisë. Sa më shumë debat të ketë brenda një partie aq më shumë do të jetë efikase në skenën politike. Liderët duhet të jenë të aftë vetëm të menaxhojnë mirë fraksionet brenda-partiake e jo t’i ngulfasin ato. Sa më shumë fraksione të ketë brenda një partie aq më shumë dyer të hapura ka për kuadro dhe ide të reja, gjë që e bën atë parti më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse. Në vendet perëndimore me demokraci të zhvilluar brenda partive ka fraksione të legalizuara, që shpesh dalin me qëndrim ndryshe nga ai i partisë. Por, uniteti i këtyre fraksioneve del në sipërfaqe vetëm atëherë kur është më e nevojshme, si; janë zgjedhjet apo përcaktimet strategjike të subjektit politik’ tha Neziri.

Edhe për 20 vite pluralizëm partiak ne nuk kemi parti politike në plotkuptimin e fjalës, thotë eksperti Edmond Ademi.

‘Për partitë politike në Maqedoni, në përgjithësi, mundet lirisht të thuhet se janë shumë larg nga demokratizimi i mbrendshëm. Është një situatë, të them bizare, ku partitë politike flasin me zë të lartë për demokracinë, vlera, parime , a përmbrenda vet atyre, si organizma ska as demokraci as vlera, as parime! Për ideologji as mos flasim. Te ne kemi parti politike ku lideri i partisë është alfa dhe omega, ku kulti i liderit është gjithçka, dhe mu prandaj për partitë politike në Maqedoni mundet të konstatohet se ende gjenden në fazë para-politike. Në krahasim me partitë politike në vendet më të zhvilluara, ku ndryshimi i liderëve të atyre partive është gjë shumë normale, dhe një proçes shumë logjik, tek ne po thuaj se kjo është një dukuri i pamundur, apo shumë e rrallë’ tha Ademi.

Lajme të ngjashme

Back to top button