Gjithsej 95 persona janë infektuar me virusin korona në Tetovë me rrethinë, sot 2 raste të reja

Dy raste të reja me virusin korona janë evidentuar sot në Tetovë me rrethinë, kështu numri i të infektuarve në këtë rajon ka arritur në 95. Në ndërkohë, Komuna e Gostivarit për disa ditë me radhë qëndron e pastër nga virusi, priten lehtësime të masave, shkruan Portalb.mk.

Prej numrit të përgjithshëm të personave të infektuar me virusin korona në Tetovë me rrethinë, 44 prej tyre janë shëruar, kështu numri aktiv në këtë rajon aktualisht është 51.

Në ndërkohë në Tetovë vazhdon aksioni i shpërndarjes së maskave falas nga qeverisja lokale, deri në këto momente janë shpërndarë rreth 20,000 maska mbrojtëse, doreza dhe fletushka me informacione në lidhje me pandeminë e virusit korona.

Edhe pse numri i të infektuarve në këtë rajon vazhdimisht është në ulje, nga Komuna e Tetovës megjithatë apelojnë që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm, të mbajnë distancën fizike si dhe maskat mbrojtëse në përputhje me rekomandimet dhe masat e organeve kompetente shëndetësore në vend.

Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB), Tetovë, në periudhën nga 6 deri më 7 maj urdhrin për lëvizje të kufizuar e kanë shkelë 4 persona, me ç rast të njëjtit janë privuar nga liria dhe ndaj tyre do to përgatiten parashtresa adekuate për “mosveprim sipas rregullave gjatë periudhës së epidemisë”.

Ndërkaq gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave statistikore nga SPB, Tetovë, për 10 persona në Tetovë janë përgatitur vendime për izolim nga Inspektorati Shtetërorë Sanitar dhe Shëndetësorë kurse deklarata për vet izolim kanë nënshkruar 7 persona, edhe atë 1 në Tetovë kurse 6 në Gostivar.

Gostivari me rrethinë

Për disa ditë me radhë në Komunën e Gostivarit nuk ka persona të regjistruar me virusin korona, kurse numri i të infektuarve aktiv është 3, edhe atë:

  • Komuna e Gostivarit – 2
  • Komuna e Vrapçishtit – 1

Në pollogun e Epërm apo në Gostivar dhe komunat përreth si Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë gjithsej janë regjistruar 17 raste me virusin korona ndërsa janë testuar 225 persona për shkak se aq ka qenë e nevojshme bazuar në informatat e epidemiologëve.

Ndërsa për gjendjen e tyre shëndetësore aktuale, Taravari informoi se janë në gjendje stabile dhe se pritet që të njëjtit dita e ditës të shërohen plotësisht.

Ai në mbledhjen e djeshme të Shtabit të Krizës e ritheksoi kërkesën e tij deri te Qeveria e RMV-së për zbutjen e masave restriktive.

“Pres që qeveria ta zyrtarizoje konkluzion numër 6 nga mbledhja e së enjtes, ku thuhet se edhe kafenetë kanë të drejtë të punojnë në formën Tak&go, pra përmes sportelit njëlloj siç shërbehet edhe ushqimi, ëmbëlsirat apo pijet tjera. Që nga fillimi më habiste fakti se pse vetëm kafeja nuk lejohet të shitet, ndërsa gjithçka tjetër, përfshirë edhe ushqimin e ngrohtë lejohet, kur dihet se për dallim nga përgatitja e gjellërave, kafeja nxirret drejtpërdrejtë nga aparati” deklaroi  Arben Taravari.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë informon se në 24 orët e kaluara janë bërë 332 testime, janë regjistruar 33 raste të reja me virusin korona, janë shëruar 22 persona, ndërkaq ka ndërruar jetë 1 person. Me këtë, numri i të infektuarve ka arritur në 1.572, të shëruarve 1.079, ndërkaq të vdekurve 89. Numri i rasteve aktive është 404.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button