fbpx

RMV, Deklarata e Samitit të Zagrebit konfirmoi se rajoni është prioritet gjeostrategjik për BE-në

Qeveria e Maqedonisë së Veriut raportoi se në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor “Zagreb 2020” u konfirmua mbështetja e BE-së për rrugën eurointegruese të vendit, transmeton Portalb.mk.

Në mbledhje mori pjesë kryeministri Oliver Spasovski, zv.kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.

“Liderët e shteteve anëtare në BE, njerëzit e parë të Këshillit Evropian, Permanentit Evropian dhe Komisionit Evropian, si dhe shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve nga Ballkani Perëndimor sollën dhe miratuan deklaratë të përbashkët nga Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor, në të cilën BE-ja edhe një herë e konfirmon mbështetjen pa dilemë për perspektivën evropian të Ballkanit Perëndimor”, raportojnë nga Qeveria e RMV-së.

Qeveria njoftoi se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për perspektivën evropian si një zgjidhje e fuqishme strategjike.

“Deklarata e Zagrebit adreson edhe krizën me virusin korona, duke bërë thirrje për unitet dhe solidaritet. Në këtë drejtim, BE është e përkushtuar ndaj partnerëve nga Ballkani Perëndimor dhe mbetet e përkushtuar në ndihmën e përpjekjes së tyre në luftën kundër virusit korona dhe me menaxhimin e pasojave mbi shoqërinë dhe ekonominë ”, raportojnë nga BE.

Deklarata e plotë e Zagrebit:

Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të shteteve të tij Anëtare, në konsultim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe në prani të palëve të interesuara rajonale dhe ndërkombëtare, përsërisim sot solidaritetin tonë të fortë me partnerët tanë në kontekstin e krizës së koronavirusit.

Në këto kohë të pashembullta, kemi rënë dakord për sa më poshtë:

1. Duke rikujtuar Samitin e Zagrebit në vitin 2000, Samitin e Selanikut në vitin 2003 dhe atë të Sofjes në vitin 2018, Bashkimi Evropian edhe një herë ripohon mbështetjen e tij pa mëdyshje për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Partnerët e Ballkanit Perëndimor përsëritën angazhimin e tyre drejt perspektivës evropiane si zgjedhja e tyre strategjike e palëkundur. Besueshmëria e këtij angazhimi varet edhe nga komunikimi i qartë me publikun dhe nga zbatimi i reformave të nevojshme.

2. Shkalla e krizës së koronavirusit kërkon unitetin dhe solidaritetin tonë. Bashkimi Evropian qëndron përkrah partnerëve të tij të Ballkanit Perëndimor dhe mbetet i angazhuar për të mbështetur aktivisht përpjekjet e tyre në luftën ndaj epidemisë së koronavirusit dhe pasojave të saj mbi shoqëritë dhe ekonomitë.

3. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor po luftojnë së bashku koronavirusin dhe pasojat e tij. BE-ja mobilizoi me shpejtësi të madhe një paketë prej 3,3 miliardë euro në ndihmë të Ballkanit Perëndimor, siç theksohet në Komunikimin e Komisionit të datës 29 prill për mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor në përballjen me COVID-19 dhe rimëkëmbjen pas pandemisë. Këtu futet mbështetja e menjëhershme për sektorin e shëndetësisë, konkretisht përmes furnizimit me mjetet kritike për të shpëtuar jetë dhe mbështetja e rëndësishme për nevojat e rimëkëmbjes shoqërore dhe ekonomike të partnerëve tanë, një paketë Asistence Makro Financiare prej 750 milion euro si dhe një paketë prej 1,7 miliardë euro asistencë nga Banka Evropiane e Investimeve.

4. Pandemia që ende vijon po tregon se si BE-ja dhe Ballkani Perëndimor po përballojnë së bashku sfidat e përbashkëta. Ky bashkëpunim përfshin prokurimet e përbashkëta dhe flukset tregtare pa kufizime për pajisjet personale mbrojtëse, duke siguruar kalimin e shpejtë të mallrave të domosdoshme përmes Korsive të Gjelbra të cilat lidhin BE-në dhe Ballkanin Perëndimor; furnizimin nga ana e BE-së me materiale testimi për të kontrolluar funksionimin korrekt të testimeve të koronavirusit në Ballkanin Perëndimor si dhe bashkëpunimin e ngushtë me organizmat përkatëse të shëndetësisë.

5. Fakti se kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim shkojnë shumë më larg nga çfarë i është dhënë rajonit nga ndonjë partner tjetër meriton të njihet publikisht. BE-ja çmon edhe mbështetjen me vlerë që ka dhënë Ballkani Perëndimor për fqinjët më të afërt dhe për BE-në gjatë pandemisë. Ajo pasqyron solidaritetin dhe mbështetjen e ndërsjellë mbi të cilën është ngritur BE-ja. Ky bashkëpunim dhe bashkërendim duhet të vazhdojë në të ardhmen, edhe në fazën e daljes dhe të rimëkëmbjes.

6. BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë si objektiv të përbashkët një Evropë në paqe, të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar; të mbështetur në lidhjet tona historike, kulturore dhe gjeografike dhe në interesat tona të përbashkëta politike, të sigurisë dhe ato ekonomike. BE-ja është e vendosur të rrisë më tej angazhimin e saj në të gjitha nivelet për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit dhe mirëpret zotimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për mbrojtjen e vlerave dhe parimeve evropiane dhe kryerjen e reformave të nevojshme në mënyrë të thellë dhe të fuqishme. Rritja e asistencës së BE-së do të lidhet me progresin e prekshëm në sundimin e ligjit dhe në reformat socio-ekonomike si dhe me respektimin e vlerave, rregullave dhe standardeve të BE-së nga ana partnerëve të Ballkanit Perëndimor.

7. BE-ja mirëpret angazhimin e fortë të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për epërsinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit, veçanërisht për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për qeverisjen e mirë, respektimin e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të sigurojnë se mbrohen dhe zbatohen me rreptësi vlerat themelore, parimet demokratike dhe sundimi i ligjit edhe në kohën kur janë marrë masa të posaçme dhe të jashtëzakonshme për të kufizuar pandeminë e koronavirusit. Transformimi i shoqërisë dhe zbatimi i efektshëm i reformave mbështetet në këto themele. Shoqëria civile, media e pavarur dhe pluraliste, liria e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve luajnë rol thelbësor në procesin e demokratizimit.

8. Ne do të përforcojmë bashkëpunimin tonë në përballjen me dezinformimin dhe aktivitetet e tjera hibride që burojnë veçanërisht nga aktorë të shteteve të treta, të cilët kërkojnë të minojnë perspektivën evropiane të rajonit. Nevojitet bashkëpunim më i ngushtë për rritjen e qëndresës dhe sigurinë kibernetike. Komunikimi strategjik është thelbësor në këtë fushë.

9. BE-ja mbështet plotësisht zotimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Në këtë kuadër mbetet i rëndësishëm zbatimi në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme i marrëveshjeve dypalëshe, ku përfshihen Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Traktati për Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë. Duhet t’i kushtohen përpjekje të mëtejshme dhe vendimtare pajtimit dhe stabilitetit rajonal si dhe gjetjes dhe zbatimit të zgjidhjeve përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe për çështjet midis partnerëve që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë. Mirëpresim emërimin së fundmi të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

10. Bashkëpunimi i ngushtë i Ballkanit Perëndimor në kuadrin e strukturave ekzistuese rajonale e ka treguar vlerën e tij në përballjen me krizën e COVID-19. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë këtë bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal dhe nxit udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e bashkëpunimit rajonal për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike pas krizës. Kjo kërkon angazhim të fortë nga i gjithë rajoni për të vazhduar thellimin e integrimit ekonomik rajonal, duke u mbështetur në rregullat dhe standardet e BE-së dhe duke sjellë kështu rajonin dhe shoqëritë tregtare brenda tij më pranë tregut të brendshëm të BE-së. Zhvillimi i këtij dimensioni, edhe përmes Zonës Ekonomike Rajonale (REA), mund të kontribuojë për ta bërë rajonin më tërheqës për investimet.

11. Pasi të dalim nga masat e menjëhershme për kufizimin e pandemisë COVID-19, do të vijë një fazë e re bashkëpunimi të ngushtë për t’u bërë ballë pasojave të mëdha socio-ekonomike të krizës. Duke u mbështetur në Komunikimin e datës 29 prill, Komisioni Evropian ftohet të paraqesë një plan të fuqishëm ekonomik dhe investimesh për rajonin i cili të synojë fuqizimin e ekonomive , duke përmirësuar ndërkohë konkurrueshmërinë e tyre, për t’i lidhur ato më mirë brenda rajonit dhe me BE-në. Investimet kanë rëndësi jetësore për të inkurajuar rimëkëmbjen afatgjatë të rajonit, për të mbështetur reformat e nevojshme për të vazhduar ecjen në rrugën evropiane dhe për të mbyllur pabarazitë duke i sjellë më shpejt përfitime rajonit. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të transformohen në ekonomi tregu funksionale të afta që të lidhen plotësisht me tregun unik të BE-së, që të krijojnë vende pune dhe mundësi sipërmarrjeje, të përmirësojnë klimën e biznesit dhe të investimeve dhe të nxisin sundimin e ligjit. Në këtë përpjekje rol parësor i duhet dhënë bashkimit të rajonit me ambiciet e BE-së që lidhen me klimën, në pajtim me Marrëveshjen e Parisit, nxitjes së Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, përparimit drejt ekonomisë digjitale dhe rritjes së lidhshmërisë në të gjitha përmasat e saj: transport, energji, në përmasën digjitale dhe midis popujve, përfshirë këtu turizmin dhe kulturën. Vëmendje i duhet dhënë edhe zhvillimit shoqëror, sidomos masave në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe politikave sociale si dhe krijimit të mundësive të reja për rininë.

12. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor ndajnë një sërë sfidash sigurie që kërkojnë veprime të bashkërenduara individuale dhe kolektive. Ne biem dakord të çojmë përpara bashkëpunimin tonë në çështjet kryesore të sigurisë me vendosmëri më të madhe dhe në mënyrë më sistematike, edhe në rrafshin operacional. Partnerët zotohen të plotësojnë këto përpjekje duke zhvilluar instrumente gjithëpërfshirëse për bashkëpunimin brenda Ballkanit Perëndimor dhe duke përdorur, sipas rastit, mjetet dhe kornizat e BE-së.

13. Parandalimi dhe lufta ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit, duke përfshirë financimin, radikalizimin dhe kthimin e luftëtarëve të huaj terroristë, kërkojnë vëmendje të veçantë.

14. Partnerët e Ballkanit Perëndimor pranojnë se rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore për transformimin politik e socio-ekonomik të rajonit dhe për qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale, të cilat janë në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre. Në këto fusha kërkohen përpjekje më të mëdha dhe rezultate të qëndrueshme, duke u mbështetur në rezultatet domethënëse të arritura përmes aktiviteteve të financuara nga fondet IPA.

15. Partnerët e Ballkanit Perëndimor, në bashkëpunim me BE-në dhe me njëri-tjetrin, do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime të vendosura kundër trafikimit të qenieve njerëzore, kultivimit të drogës, pastrimit të parave dhe kontrabandës të qenieve njerëzore dhe drogës. Lufta kundër trafikut të paligjshëm të armëve përbën një shembull të shkëlqyer se si mund të rrisim sigurinë tonë kur punojmë së bashku drejt një objektivi të përbashkët.

16. Bashkëpunimi ynë në përballimin e sfidave të emigracionit, përfshirë luftën ndaj trafikimit të emigrantëve, ka treguar vlerat e tij dhe do të zhvillohet edhe më tej dhe do të përfitojë nga mjetet e tilla si bashkëpunimi me Frontex-in, EASO-n dhe Europol-in. Marrëveshjet ende të panënshkruara statusore të Frontex-it duhet të nënshkruhen pa vonesë. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përmirësimin e kapaciteteve pritëse në Ballkanin Perëndimor.

17. Siguria e energjisë duhet të kthehet në përparësi, bashkë me diversifikimin e burimeve dhe linjave.

18. BE-ja mirëpret kontributin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për misionet dhe operacionet e BE-së. BE-ja pret thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) dhe përsërit thirrjen e saj ndaj të gjithë partnerëve për të ecur drejt rreshtimit të plotë përkrah pozicioneve të BE-së në politikën e jashtme, sidomos për çështjet ku vihen në diskutim interesat e përbashkëta madhore, dhe për të vepruar në pajtim me to.

19. Për të nxitur më tej interesat tona të përbashkëta, udhëheqësit e BE-së shprehin gatishmërinë për rigjallëruar dialogun politik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, madje edhe rregullisht në nivele të larta.

20. Përshëndesim faktin që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor janë dakord me pikat e mësipërme.

Ndryshe, Samiti i Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor “Zagreb 2020”, që duhej të mbahej në Zagreb, ka filluar sot përmes video-lidhjeve, ku Qeveria e RMV-së shpreh gatishmërinë për nisjen e dialogut për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, në përputhje me metodologjinë e re.

“Filloi Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor Zagreb 2020, që këtë vit po mbahet me video-konferencë. Ky Samit e konfirmon angazhimin e BE-së se rajoni është pjesë përbërëse e Evropës dhe një prioritet gjeostrategjik për BE-në”, deklarojnë nga Qeveria e RMV-së.

Oliver Spasovski, kryeministri i Qeverisë së RMV-së shprehur falënderim deri të kryesia kroate, liderët e institucioneve të BE-së dhe liderët e vendeve anëtare, që të mbahet ky samit në formën online.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button