Shqiptari me profil të rremë, në emër të Salvinit shpërndau 30 mijë postime, rrezikon 3 vite burgim

Një emigrant shqiptar me inicialet K.G, banues në Genova me profesion gjeometër, është denoncuar nga autoritetet italiane dhe rrezikon deri në 3 vite burgim, pasi kishte një profil të rremë me emrin e liderit të Partisë Lidhja, ish-zëvendës kryeministrit e ministrit të Brendshëm të qeverisë Conte 1, Matteo Salvini.

Profili i rremë ishte aktiv që nga shtatori i vitit 2019, transmeton Koha.net.

Emigranti shqiptar nga 20 shtatori 2019 deri më 14 prill 2020 kishte shpërndarë mbi 30,000 postim fake, me një mesatare prej 150 postime në ditë për të diskredituar figurën e Matteo Salvnit.

Profili i shtirur si lideri i Partisë Lidhja mbante emrin “Matteo Salvini fanparody” me mbi 7 mijë ndjekës dhe sipas akuzës denoncuese kanë qenë me mijëra fansa të Salvinit që nuk e kanë kuptuar se bëhej fjalë për një profil të rremë.

Por jo vetëm kaq. Siç transmeton oranews, emigranti shqiptar duke përdorur të njëjtin profil e duke ndryshuar vetëm emrin , ka falsifikuar profilet në Twitter dhe të disa eksponentëve të Partisë Lidhja si Giancarlo Giorgetti, zëvendës kryetar i Paritsë Lidhja, Giulio Centemero, deputet i po kësaj force politike e anëtar i Komisionit parlamentar të Financës, Claudio Borghi deputet e Lucia Borgonzoni, senatore dhe ish Nën Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Kulturës e kandidate për guvernatore e rajonit të Emilia Romagnës në zgjedhjet rajonale të 2019.

Emigranti shqiptar K.G është denoncuar nga deputeti legist Giulio Centemero dhe u zbulua falë punës së një inxhinieri informatik të Universitetit Politeknik të Milanos, që arriti të zbardhë kodin identifikues të shqiptarit si dhe markën e celularit nga ku dërgohej kjo sasi e madhe postimesh e lajmesh të rreme.

Shqiptari rezulton se ka banuar më parë në rajonin e Emilia Romagna dhe kishte lidhje me aktivistë të së majtës alternative që përdornin hashtagun “bëjmë rrjet”.

Mijëra postime të shpërndarë nga shqiptari kishin si qëllim dëmtimin e figurës së Matteo Salvinit dhe të eksponentëve politikë të Lidhjes.

Sipas palës denoncuese janë lajme të rreme politike, aktuale duke përfshirë dhe aspekte të jetës private e familjare të personit të dëmtuar, të karakterizuara nga falsifikimi i informacionit dhe vulgariteti i shprehjeve të përdorura që është një dëmtim i rëndë përveç moskezistencës së satirës.

Ndër lajmet e rreme të shpërndara nga shqiptari nën emrat e eksponentëve politikë të Lidhjes janë ato të lidhura me figurën e presidentit francez Emanuel Makron, me Presidentet e Bankës Europiane Cristine Lagarde, apo me deklarate të rreme në këtë kohë pandemie.

I tillë është postimi në Twitter që “Salvini fals” ka shkruar: ” të hapim kishat por me një kusht që nëse dikush sëmuret, në vend të oksigjenit t’i vemë në gojë rruazet me kryq”.

Ndër lajmet e rrema të këtij profili “fake” është dhe ai i shpërndarë gjatë zgjedhjeve në Umbria ku “Salvini kishte kërkuar që në skedat elektorale të shënohej dhe numri i telefonit të çdo zgjedhësi” apo lajmi tjetër i rremë i emetimit të pullave postale me vlerë 500 euro me fotografinë e liderit të Lidhjes.

Pas denoncimit ndaj shqiptarit, çështja i ka kaluar Prokurorisë dhe mbetet për t’u hetuar dhe aspekti i sasisë së madhe të postimeve të bëra gjatë ditës nga emigranti shqiptar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button